Ndërlidhjet

Në Kosovë, vizita e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, vlerësohet si historike. Zyrtarë kosovarë dhe analistë konsiderojnë se me këtë vizitë, SHBA po dëshmon se është e përkushtuar për Ballkanin në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.



Përveç peshës së madhe në sferën politike, zyrtarët kosovarë vlerësojnë se vizita e nënpresidentit të SHBA-ve, Xho Bajden, në Kosovë, rikonfirmon përkushtimin amerikan për të sjellë paqe në Ballkan. Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar vizitën si historike.

“Kjo është vizitë historike, është edhe vizitë me mesazh për të ardhmen e thellimit të bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për mbështetje të fuqishme të SHBA-së për paqe e stabilitet dhe zhvillimin e demokracisë dhe perspektivës euro-atlantike për rajonin”, u shpreh kryeministri Hashim Thaçi.

Këshilltari i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se për Kosovën kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë.

“Kjo vizitë padyshim se shpreh përkushtimin e përhershëm që SHBA-të kanë pasur për rajonin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, që nga fillimi i lëvizjes së përgjithshme për liri e pavarësi, në dekadën e fundit të shekullit 20 dhe deri në ditët e sotme”, tha Beqiri.

Përgatitje për pritjen e Bajdenit...
Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vizitën e konsideron si mbështetje dhe përkrahje për shtetin e Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, edhe si një përgjegjësi shtesë për punën e mëtutjeshme në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se vizita e nënpresidentit Bajden është e një karakteri shumëdimensional.

“Vlerësohet si vizitë historike për Kosovën dhe popullin e saj; është vizita më e rëndësishme që i bëhet Kosovës pas pavarësisë. Është vizitë që do të bartë mesazhin jo vetëm për Kosovën, për paqe dhe tolerancë”, tha Makolli.

Ndryshe nga shqiptarët, që e mirëpresin vizitën e Bajdenit, serbët e Kosovës kanë paralajmëruar protesta në pjesën veriore të Mitrovicës.

Nënpresidenti Bajden do të vizitojë edhe Manastirin e Deçanit, por nuk është paraparë takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Megjithatë, disa politikanë serbë konsiderojnë se nga administrata amerikane duhet kërkuar që të ndikojë në përmirësimin e jetës së serbëve në Kosovë.

“Pa marrë parasysh që Amerika ka një qëndrim shumë të qartë ndaj statusit të Kosovës, këtë vizitë nuk guxojmë ta humbim dhe të kemi vetëm qasje protokollare, por duhet të kërkohet që jeta e serbëve në këto hapësira të relaksohet. Kjo do të thotë se duhet të kërkohet krijimi i kushteve për kthimin e serbëve, jo vetëm në mjediset rurale, por edhe në ato urbane. Kështu që unë pres, në këtë kuptim, që administrata e SHBA-ve të ofrojë mbështetje
”, tha politikani serb, Rangjel Nojkiq.

Kosova ishte pjesë e fjalimit të nënpresidentit Bajden ende pa arritur në Prishtinë. Ai gjatë qëndrimit në Sarajevë ka bërë të qartë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kjo deklaratë, sipas zyrtarëve kosovarë, përbën një mesazh të qartë për të gjithë ata që nuk e njohin realitetin e krijuar pas 17 shkurtit të vitit të kaluar.

Analisti për çështje politike, Ismajl Hasani, mendon se jo vetëm Kosova, por edhe vendet e rajonit përfitojnë nga vizita e zotit Bajden, meqë ai ka qenë kohë të gjatë i përfshirë në zhvillimet e Ballkanit.

“Do të thosha se jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin, vizita është e rëndësisë së veçantë, sepse presidenti Obama ka identifikuar njeriun, që në të ardhmen, në nivel të administratës amerikane, do të merret me Evropën Juglindore, sepse ai posedon ‘background’ të admirueshëm të njohurive për Ballkanin”, u shpreh Hasani.

Nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës në Prishtinë, ku, ndër të tjera, do të takohet me autoritetet qendrore dhe do të mbajë një fjalim në Kuvend, do t’i jepet një medalje për kontributin e tij për Kosovën nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu.
XS
SM
MD
LG