Ndërlidhjet

logo-print

Pritje e ngrohtë për Bajdenin


Pano mirëseardhjeje për zotin Xhozef Bajden...

Pano mirëseardhjeje për zotin Xhozef Bajden...

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, është pritur në një atmosferë të ngrohtë në Prishtinë. Gjatë ditës, zoti Bajden ka vizituar dhe Manastirin e Deçanit, për të përmbyllur kështu vizitën e tij në kampin ushtarak amerikan Bondsteel.


Pas një sërë takimesh në kryeqytet, nënpresidenti amerikan ka vizituar Manastirin e Deçanit, ku ka shkuar me një helikopter të forcave paqeruajtëse, ndërsa vizita është siguruar nga një prani e madhe e forcave të rendit.

Ka qenë ati Sava Janjiq, ai që mirëpriti nënpresidentin amerikan, ndërkohë që për zotin Bajden vizita në Manastir nuk është e para. Ndryshimet në këtë vend, që nga viti 2001, sipas tij, janë “të shumta dhe të dukshme”. Ai e ka quajtur Manastirin simbol të tolerancës, ndërsa për Ballkanin ka shfaqur këtë shpresë:

Zoti Bajden në Manastirin e Deçanit...

"Ka mundësi që në këtë pjesë të botës të ndryshojë dinamika dhe që për herë të parë në histori, i tërë Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës së lirë dhe të integruar”,
ka thënë nënpresidenti Bajden, i cili vizitën e nisur në mëngjes, e përmbyll në kampin ushtarak amerikan Bondsteel në Ferizaj.


Ndryshe, ka qenë aeroplani “Air Force 2”, ai më të cilin, pak pas orës 9 e 30, ka arritur në Aeroportin e Prishtinës nënpresidenti amerikan, ku është pritur ngrohtë, në një ceremoni mirëseardhjeje për të.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ambasadorja amerikane, Tina Kaidanow, si dhe zonja e parë e Kosovës, bashkëshortja e presidentit Sejdiu, dhe ajo e kryeministrit Thaçi - ishin të parët që përshëndetën zotin Bajden.

Një pano shumë e madhe, me ngjyrat e flamurit amerikan, e vendosur në pjesën ushtarake të aeroportit, shprehte mirëseardhjen për njeriun që në Kosovë njihet si një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës.

Rreth 50 nxënës të Shkollës Amerikane, duke valëvitur flamujt amerikanë dhe kosovarë, e kanë pritur me brohoritje nënpresidentin Bajden, duke u bërë të parët kosovarë të rëndomtë që u përshëndetën me atë që tashmë edhe vetë ka pohuar se është mik i Kosovës.

Para largimit nga aeroporti për në Prishtinë, me një helikopter të forcave paqeruajtëse të NATO-s, që, për çështje sigurie, shoqërohej edhe nga 4 helikopterë të tjerë, nënpresidenti Bajden është nderuar nga një njësit i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zoti Xhozef Bajden në Aeroportin e Prishtinës...
Në rrugëtimin nga selia qendrore e KFOR-it për në qendër të Prishtinës, nënpresidenti amerikan është përshëndetur nga qytetarë të shumtë dhe nxënës shkollash, të cilët në duar mbanin flamuj amerikanë dhe ata të Kosovës.

Vetë nënpresidenti amerikan, në fjalimin para deputetëve, ka falënderuar popullin kosovar për këtë mikpritje.

“Ju falënderoj për mikpritjen shumë zemërgjerë që ma keni bërë. Duhet të them se mu ngroh zemra kur erdha nga aeroporti në qytet, ku duket se kishte qindra-mijëra njerëz në dy anët e rrugës që më dëshironin mirëseardhje si përfaqësues i SHBA-ve”, tha nënpresidenti Bajden, i cili Kosovën e viziton pas Bosnjës dhe Serbisë, vende këto - ku mungoi një pritje si në Prishtinë.

Prishtina sot ka gdhirë e zbukuruar me flamuj amerikanë dhe ata të Kosovës. Ndërsa, ka disa ditë, që rrugët e Prishtinës janë të mbushura me pano, që mbajnë foton e zotit Bajden me mesazhin ”Mirë se vjen dhe Faleminderit” (Welcome and Thank You).

Shoqata “Miqtë e Amerikës”, gjatë tërë ditës, ka shpërndarë bluza që mbanin portretin e zotit Bajden, fotografi të tij, si dhe flamuj amerikanë, shqiptarë dhe kosovarë.

Ndryshe, autoritetet kosovare të sigurisë, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Sigurisë dhe Ambasadën Amerikane, kishin bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e zotit Bajden, vizita e të cilit është vizita e nivelit më të lartë politik që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve dhe përfaqësuesit politikë e kanë cilësuar këtë vizitë si një riafirmim i mbështetjes dhe përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, por edhe për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Zoti Bajden në Kosovë vlerësohet si një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, të cilën deri sot e kanë njohur 60 vende të botës.
XS
SM
MD
LG