Ndërlidhjet

Analistët: SHBA-të sigurojnë tërësinë territoriale


Zoti Bajden duke përshëndetur para Kuvendit të Kosovës...
Zoti Bajden duke përshëndetur para Kuvendit të Kosovës...

Analistët në Kosovë vlerësojnë se përmes fjalimit në Kuvendin e Kosovës, nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, përçoi mesazhin se SHBA-të do të vazhdojnë përkushtimin për Kosovën, por edhe se institucionet duhet të vazhdojnë të punojnë sikurse deri tani.


Analistët për çështje politike, fjalimin e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, në Kuvendin e Kosovës, e kanë konsideruar si shumë të rëndësishëm, që përçoi mesazhin se SHBA-të do t’i qëndrojnë pranë Kosovës.

Analisti Ramush Tahiri thotë se me fjalën e tij, Bajden ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

“Është një fjalim shumë i mirë. Është fjalim tradicional i liderëve të SHBA-ve. Është një fjalim përkrahës për rrugën e deritashme të Kosovës dhe gjithashtu është një fjalim që shpreh synimin e SHBA-ve që do t’i gjenden krahë popullit të Kosovës dhe rrugës drejt integrimeve në Bashkimin Evropian”, tha Tahiri.

Analisti tjetër, Driton Lajçi, pohon se fjalimi i zotit Bajden kishte mesazhe të qarta për popullin e Kosovës.

“Ai e konfirmoi atë që Qeveria amerikane e ka bërë publike - që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Gjithashtu, ai e shpalosi edhe një detaj të komunikimit me presidentin serb, të cilit i është thënë mesazhi që Kosova do të jetë një dhe e tërë dhe nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës".

"Gjithashtu, ai e rikonfirmoi që SHBA-të do t’u lënë juve që ju t’i kryeni detyrat e shtëpisë, sepse ata veç e kanë shpalosur se cili është vizioni, cila është harta rrugore nëpër të cilën duhet të ecë Kosova drejt integrimeve dhe do ta kenë përkrahjen e SHBA-ve”,
tha Lajçi.

Ramush Tahiri konsideron se nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, ua ka bërë me dije institucioneve të Kosovës se puna e tyre po vëzhgohet nga të tjerët. Pavarësisht kësaj, ai thotë se fjalimi i nënpresidentit nuk ishte në asnjë rast kritikues.

“Mesazhi kryesor ishte i thjeshtë - vazhdoni këtë rrugë që jeni duke punuar deri tash shumë mirë, do ta keni përkrahjen e SHBA-ve, dhe realizoni ëndrrën tuaj që edhe nëse gjendeni përballë vështirësive, ju kurajojmë që ju të keni besim në vetvete dhe të keni besim në miqtë ndërkombëtarë, që do t’i realizoni qëllimet e juaja”, tha Tahiri.

Zoti Bajden, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka përkrahur mbështetjen për ruajtjen e tërësisë territoriale. Ai gjithashtu ka përkrahur edhe krijimin e një shoqërie shumëkombëshe. Për këtë, analisti politik, Lajçi, thotë:

“Gjithashtu e potencoi rëndësinë që duhet të kenë institucionet e Kosovës që të krijojnë struktura, institucione multietnike, ku do të përfshihen serbët dhe komunitetet tjera”.

Në Kosovë, sikurse përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ashtu edhe analistët politikë, vizitën e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, e vlerësuan si historike.
XS
SM
MD
LG