Ndërlidhjet

Protestë në Mitrovicë


Mitrovicë
Mitrovicë
Disa dhjetëra qytetarë serbë janë mbledhur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, në anën veriore të qytetit të Mitrovicës, në shenjë proteste për vizitën e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhozef Bajden, në Beograd dhe në Prishtinë.

Qytetarët serbë të Kosovës dhe liderët e tyre kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj pranë përmendores së të vrarëve gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Marko Jakshiq, njëri prej liderëve të serbëve lokalë, ka shprehur revoltën me fjalë fyese, duke thënë se dje dhe sot Serbia është nënçmuar, për shkak të vizitës së nënpresidentit Bajden.

“Ne jemi këtu që ta mbrojmë dhe shpëtojmë fytyrën e Serbisë, sepse ka ardhur për vizitë ai, i cili ka dhënë urdhër që mbi eshtrat e njerëzve, përmendorja e të cilëve është këtu, dhe mbi fatkeqësinë e tyre, të lindë i ashtuquajturi shtet monstrum. Ai njeri sot vjen në Prishtinë, që ata kriminelë që i kanë vrarë këta njerëz, t’ia bëjnë këtij tjetrit respektin dhe nderimet. Një nënçmim i tillë nuk i është dashur Serbisë”, tha Jakshiq.

Ai po ashtu ka porositur kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, që të mos i marrë parasysh udhëzimet e nënpresidentit Bajden për Kosovën dhe të parandalojë, siç e quajti ai, katastrofën humanitare të serbëve në Kosovë.

Pamje nga protesta e sotme në Mitrovicë, 21 maj '09.
“Kërkojmë nga kryetari i Serbisë që të mos i zbatojë udhëzimet dhe urdhrat e Xhozef Bajdenit. Ne kërkojmë që ai të bëjë të kundërtën që e thotë ai, të flasë më pak lidhur me atë se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por t’i hapë sytë dhe ta pengojë krijimin e Kosovës së pavarur”,
u shpreh Jakshiq.

Ndërkaq, Sasha Nikoliq, pjesëmarrës në protestën e sotme, tha se serbët e Kosovës e shohin nënpresidentin Bajden si iniciator të bombardimeve që kanë ndodhur në ish- Republikën Federative të Jugosllavisë.

“Ne jemi mbledhur sot që të nderojmë viktimat e bombardimeve dhe ta porosisim madje edhe Serbinë, e cila dje e ka pritur në mënyrë festive dhe me nderime ushtarake Bajdenin, që ne nuk do t’i harrojmë viktimat e bombardimeve të NATO-s dhe se zoti Bajden kurrë nuk do të mund të jetë mik i Serbisë”,
tha Nikoliq.

Sidoqoftë, pas protestës, e cila përfundoi në mënyrë të qetë, përfaqësuesit e të ashtuquajturës Lëvizje Popullore të Atdheut, në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë, kanë djegur flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Malit të Zi.

Anëtarët e mbledhur të kësaj organizate kanë bartur parulla me përmbajtje kërcënuese si dhe fyese ndaj nënpresidentit Xhozef Bajden.
XS
SM
MD
LG