Ndërlidhjet

"Bajden: Pavarësia s'ka kthim mbrapa"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, vërtetoi dje konstatimin e tij se kosovarët janë pro-amerikanët më të mëdhenj, shkruan e përditshmja “Koha ditore”, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i bënë një pritje madhështore numrit dy të Shtëpisë së Bardhë.


Edhe e përditshmja “Zëri” thekson se nënpresidenti Bajden u prit ashtu si duhet prej qytetarëve dhe politikanëve, të cilëve ua transmetoi ato porosi që i pritën.

Tutje, gazeta thekson se Kosova është njëra prej betejave më të shquara politike të fituara prej z.Bajden dhe miqve të tij.

Për këtë, gazeta thekson se ai ndihet krenar dhe nuk kursen fjalët e prera dhe porositë kategorike, të cilat i dëgjuan deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe i gjithë populli, se shteti i Kosovës është punë e kryer dhe ndarje të tij nuk do të ketë.

E përditshmja “Zëri” ka vënë në pah se vizita e politikanit të madh amerikan në Kosovë u bë në rrethana krejtësisht të reja për vendin.

Edhe gazeta tjetër “Kosova sot” thekson rëndësinë e vizitës së nënpresidentit amerikan, Bajden, duke vënë në pah se kontributi i tij për shtetin Kosovës është i pamohueshëm, ndaj edhe është pritur si hero në kryeqytetin kosovar.

Në vlerësimet e gazetave po ashtu është vënë në dukje se institucionet e Kosovës duhet t’i kuptojnë porositë e z. Bajden për të rritur angazhimet e tyre për ta forcuar shtetin, për të bërë më shumë për sundimin e ligjit, për mirëqenien e qytetarëve, për respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, për ato vlera për të cilat Amerika angazhohet në të gjitha anët e botës.

Gazetat vënë në pah porositë e z. Bajden se SHBA-të qëndrojnë prapa shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit nuk ka kthim, sikurse që nuk do të ketë ndarje të saj.

Shtypi kosovar thekson se deklarimet e prera të nënpresidentit amerikan, Bajden, do të kenë jehonë dhe ndikim edhe në shumë vende, të cilat deri më tani janë hamendur për ta njohur pavarësinë e Kosovës, që këtë hamendje ta flakin dhe ta përshpejtojnë procesin e njohjes.
XS
SM
MD
LG