Ndërlidhjet

Shtyrja përpara e Ballkanit Perëndimor


Duke rikujtuar ndërhyrjen e SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë dhe Kosovë përballë paaftësisë së BE-së, gazetat perëndimore shkruajnë se nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, është i mendimit se Ballkani Perëndimor, sot, ka sërish nevojë për ndihmë.

Më 1991, Radovan Karaxhiq, atëbotë lider i serbëve të Bosnjës, në Parlamentin e këtij vendi ua kishte tërhequr vëmendjen myslimanëve të Bosnjës se janë duke e çuar vendin drejt ferrit. Më 19 maj, Xho Bajden, nënpresidenti amerikan, qëndroi në të njëjtin vend dhe dënoi politikën nacionaliste, shkruan në numrin e sotëm e përjavshmja “Economist”.

Fakti se zoti Bajden zgjodhi Sarajevën për të filluar turneun e tij në Ballkan, flet për nivelin e shqetësimeve që administrata e Obamas ka për Bosnjën, edhe pse synon ta nxisë fillimin e një periudhe të re për gjithë rajonin.

Duke rikujtuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë dhe Kosovë përballë paaftësisë së Bashkimit Evropian, gazeta shkruan se zoti Bajden mendon se Ballkani Perëndimor, sot, ka sërish nevojë për ndihmë.

Vendimi i administratës së re për t’u përqendruar në tërësinë e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në pavarësinë e Kosovës, është i mirëpritur nga secili, përderisa rajoni nuk shndërrohet në një territor mospajtimesh midis Uashingtonit dhe Brukselit, shkruan “Economist”.

Shumica në Uashington mendojnë se Bashkimi Evropian është i pashpresë dhe se vetëm një Amerikë muskuloze mund t’i zgjidhë problemet. Në këtë drejtim, një nga idetë që po shqyrtohet, është që Amerika të emërojë një emisar për Ballkanin.

“Economist” shkruan se ky hap është pritur ftohtë nga evropianët, të cilët mendojnë se me të mund të zhvlerësohen përpjekjet e tyre për t’i bindur vendet e Ballkanit të zbatojnë reformat e dhimbshme.

Vizita e Bajdenit në rajon ishte një mundësi për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ta çojnë përpara bashkërisht Ballkanin Perëndimor, nëse munden, shkruan në fund “Economist”.

E përditshmja “Guardian” gjithashtu shkruan se thirrjet për angazhimin e një të dërguari të posaçëm amerikan, janë gjithnjë e në rritje.
Por, një hap i këtillë, shkruan “Guardian”, do të shërbente vetëm për të zhvlerësuar legjitimitetin dhe ndikimin që Bashkimi Evropian ka në rajonin që vlerësohet si kyç për zhvillimin e politikës së jashtme të bllokut evropian.

Emërimi i një të dërguari amerikan në këtë periudhë, do të dërgonte një mesazh të qartë se Uashingtoni nuk beson se Brukseli është i aftë për të përmbyllur butësisht dhe vendosmërisht një proces tranzicioni.

Edhe pse ndikimi amerikan pa asnjë dyshim mund të ketë fuqi pozitive mbi elemente të caktuara në procesin e reformimit, emërimi i të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin do të shërbente për të zhvlerësuar Bashkimin Evropian në këtë periudhë të zbarkimit të tij në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazeta.

Duke i ofruar Evropës një pasqyrë, vizita e nënpresidentit amerikan, Bajden, do të duhet të ngriste çështjen jo mbi rolin e Shteteve të Bashkuara, por mbi vetë Bashkimin Evropian, dhe domosdoshmërinë e riangazhimit dhe ridinamizimit të Evropës në Ballkanin Perëndimor, shkruan në fund “Guardian”.
XS
SM
MD
LG