Ndërlidhjet

Inkurajimi nga Bajdeni


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Mesazhet e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhozef Bajden, në Kuvendin e Kosovës ishin inkurajim për institucionet dhe popullin e Kosovës. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.


Përfaqësuesit e institucioneve dhe të partive politike në Prishtinë vazhdojnë ta vlerësojnë si historike vizitën e nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, në Kosovë. Ndërkaq, mesazhet e tij i shohin si mbështetje e drejtpërdrejtë për pavarësinë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, njëherësh dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se mesazhet që nënpresidenti Bajden adresoi në Prishtinë, tregojnë qartë mbështetjen amerikane për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike.

“Rikonfirmimi që zoti Bajden, në emër të administratës së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Obama, solli për Kosovën si shtet të pandarë dhe për pavarësinë e saj si proces të pakthyeshëm, është rikonfirmim për të ardhmen e rajonit në bashkësinë euroatlantike”, thotë Manaj.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, thotë se mesazhet e Bajdenit kishin të bënin edhe me angazhimet që institucionet e Kosovës i kanë para vetes, duke pasur parasysh se tash Kosova është një shtet i pavarur.

“Sugjerimi, gjithsesi, është për atë se çfarë duhet të bëjë krejt lidershipi politik i Kosovës për më tutje. Dihet se është ai sugjerimi i vazhdueshëm dhe permanent, që të kemi kujdes në mirëqeverisje, të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pastaj, kur flet për Kosovën stabile dhe të qëndrueshme, për Kosovën që ka perspektivë zhvillimore, natyrisht se është diçka që na kurajon”, thotë Buja.

Nga partitë opozitare, përveç mesazheve mbështetëse për Kosovën, pavarësinë dhe unitetin territorial të saj, veçohen edhe porositë që kanë të bëjnë me institucionet dhe Qeverinë.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Bajden ka dërguar mesazhe të qarta kundër dukurive negative, të cilat ai ka kërkuar të luftohen me më shumë angazhim nga Qeveria aktuale.

“Nënpresidenti Bajden, në fillim të fjalës së tij, e ka përmendur transparencën. Ka kërkuar më tepër transparencë nga institucionet qeverisëse, ka kërkuar që të kihet kujdes me shpenzimin e fondeve, qoftë të donatorëve, qoftë të mjeteve tona, ka kërkuar që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni”.

“Ka kërkuar më tepër sundim të ligjit dhe më tepër insistim në ekonomi dhe ka kërkuar nga ne që të jemi të sigurt se Kosova do të vazhdojë me traditën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Do të thotë, në fund të fundit, ka qenë mesazh i mikut”,
deklaron Gjini.

Zoti Bajden gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, 21 maj 2009.

Edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, e sheh fjalimin e Bajdenit në Parlament si inkurajim për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Fjalimi ishte gjithëpërfshirës. Me të vërtetë, zoti Bajden ka inkurajuar institucionet e Kosovës, popullin e Kosovës edhe në formë të sugjerimeve, në formë të kërkesave miqësore, që ta kenë parasysh ndërtimin e demokracisë në vend, të ndërtojnë shtetin e së drejtës, t’i kenë parasysh të drejtat e pakicave”.

“Po ashtu ka lavdëruar të arriturat në Kosovë gjatë këtij një viti të Kosovës të qenit shtet i pavarur dhe sovran. Natyrisht, fjalimi i tij ishte shumëdimensional, nga i cili konsideroj se, në veçanti institucioneve të Kosovës, por edhe popullit të Kosovës në përgjithësi, mund t’i shërbejë si udhërrëfyes për ndërtimin e së ardhmes”,
thekson Makolli.

Në anën tjetër, serbët e Kosovës thonë se pavarësisht faktit që nuk pajtohen me qëndrimet amerikane për Kosovën, presin që administrata e presidentit Obama të ndikojë në përmirësimin e jetës së komuniteteve në Kosovë, marrë parasysh ndikimin që ky vend ka këtu.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se pret që ndikimi amerikan të reflektohet sidomos në çështjet e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve në Kosovë.

“Për ne statusi i Kosovës ende nuk është i zgjidhur, pavarësisht deklaratave të tilla. Këto janë qëndrime të shteteve të caktuara”, thotë Veliq në lidhje me deklaratat e Bajdenit.

Ndërkaq, Slobodan Petroviq, një përfaqësues që merr pjesë në institucione, thotë se i sheh me inkurajim mesazhet e Uashingtonit dhe pret që ato të kenë reflektime pozitive tek serbët.

“Për mua ishin interesante mesazhet që kanë të bëjnë me komunitetet, në këtë rast komunitetin serb, që janë shumë me rëndësi jo vetëm për ekzistencën e serbëve, por edhe kthimin e tyre në Kosovë”, tha Petroviq.

Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një komunikate, ka falënderuar popullin e Kosovës për mikpritjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që ia ofruan nënpresidentit Bajden më 21 maj. Njëherësh, Ambasada ka kërkuar falje për çdo vështirësi të shkaktuar nga mbyllja e rrugëve dhe masave tjera të nevojshme, që ishin të lidhura me vizitën.
XS
SM
MD
LG