Ndërlidhjet

logo-print

Problemet e investitorëve të huaj


Ekspertë për çështje ekonomike thonë se mungesa e energjisë elektrike, niveli i lartë i korrupsionit, infrastruktura e dobët dhe mosfunksionimi si duhet i gjykatave, pengojnë investimet e huaja në Kosovë.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se investitorët e huaj kërkojnë ambient stabil për investime.

“Interesimi i investitorëve të huaj nuk është në atë nivelin që kishim dëshiruar të gjithë ne në Kosovë dhe dihet se pakënaqësia jonë rrjedh nga ajo, se ne kemi nevojë për investime më serioze, investime që do të kontribuonin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe sidomos investime në sektorët që potencialisht do të përmirësonin bilancin tregtar shumë të keq në Kosovë”, tha Keqa.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më fleksibile në dhënien e informatave, sepse, shton ai, në Kosovë ka sektorë ekonomikë, ku mund të investohet dhe ku kompanitë mund t’i shohin përfitimet e tyre.

“Ne, si Odë Ekonomike, nuk jemi gjithaq të kënaqur me punën e institucioneve shtetërore që kanë bërë deri më tani, me tërheqjen e investitorëve të huaj. Mendoj se Oda ka kryer një punë mjaft të madhe, duke takuar dhe duke mbajtur takime të ndryshme, apo edhe duke sjellë biznese nga bota e jashtme për një bashkëpunim të përbashkët dhe investime në Kosovë”,
u shpreh Keqa.

Në anën tjetër, Mustafë Hasani, kryeshef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pohon se Qeveria e Kosovës ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes, ambienti të përshtatshëm për investime, në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunim rajonal.

Ai pohon se vetëm gjatë këtij muaji kanë bërë disa vizita në vende të ndryshme të Evropës, me qëllim të promovimit të Kosovës tek investitorët e huaj dhe interesimi i investitorëve të huaj, sipas tij, nuk ka munguar.

“Kanë qenë dy interesime, njëri interesim është për privatizimet që do të ndodhin këtë vit, apo ndoshta për vitin e ardhshëm - fjala është për KEK-un, për Aeroportin, PTK-në dhe koncesionet që mund të jenë për hidrocentralet. Dhe, interesimi tjetër është i kompanive që mund të fillojnë ndonjë proces të prodhimit, në shikim të mundësive për eksport edhe jashtë Kosovës”,
pohoi Hasani.

Ai gjithashtu tha se kjo agjenci tashmë ka filluar edhe përgatitjen e strategjisë për promovimin e investimeve të huaja, që, sipas tij, do të ndikojë në rritjen e interesimit të investitorëve ndërkombëtarë.

“Ne, në këtë vit, po bëjmë një strategji për promovimin e investimeve, e cila ka për detyrë të shohë se cilat janë fushat dhe ku duhet orientuar Agjencia për Promovimin e Investimeve. Ne jemi orientuar në sektorin e bujqësisë, në sektorin e energjetikës, në sektorin e përpunimit të drurit dhe metaleve. Kështu që, faktikisht, të gjitha orientimet tona që i kemi në promovimin e investimeve, janë sektorë që edhe Qeveria i ka prioritete”, theksoi Hasani.

Megjithatë, deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 2600 kompani të huaja. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, nga viti 2009 deri në vitin 2011, synon të absorbojë investime të huaja mbi 5 miliardë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG