Ndërlidhjet

logo-print

Në Kosovë vazhdon të ketë mungesë të zbatimit të mirëfilltë të ligjeve. Kështu të paktën vlerësojnë ekspertë të drejtësisë, përderisa ligjvënësit kosovarë mohojnë një gjë të tillë, duke konsideruar se të gjitha ligjet e aprovuara, janë të implementueshme.


Ekspertët juridikë konsiderojnë se në Kosovë edhe më tutje vazhdon të ketë mungesë në zbatimin e mirëfilltë të ligjeve. Ata pohojnë se pengesa më e madhe në këtë drejtim vazhdon të jetë jofunksionalizimi i plotë i institucioneve.

Eksperti Kujtim Kërveshi mendon se lidershipi i Kosovës duhet të punojë shumë, për ta shndërruar vendin në një shtet ligjor.

“Kemi problem me ndërtimin institucional të institucioneve. Shumë institucione që merren me zbatimin e ligjit, nuk janë aq të fuqishme që këtë legjislacion ta bëjnë të zbatueshëm në praktikë. Ta zëmë, për shembull, Qeveria është shumë e ngathtë në aprovimin e legjislacionit sekondar që i ndihmon në zbatimin e ligjeve”.

“Gjyqësia është në një situatë të vështirë; numri i gjyqtarëve është në zvogëlim, përgjegjësitë janë në rritje. Pas shpalljes së pavarësisë, gjithashtu edhe institucionet tjera, përveç ekzekutivit dhe gjyqësorit, nuk janë në gjendje që të prodhojnë një infrastrukturë më të mirë ligjore dhe zbatim të ligjit, sesa sot”,
thotë Kërveshi.

Por, ndryshe mendon Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit parlamentar për legjislacion dhe gjyqësi. Ai thotë se në Kosovë zbatohen të gjitha ligjet që janë aprovuar nga ligjvënësit kosovarë.

“E vërtetë është që ligjet po zbatohen në Kosovë. Nganjëherë, për shkak të neglizhencës, ka edhe ndonjë projektligj që nuk zbatohet, mirëpo, në përgjithësi, mund të thuhet se ligjet në Kosovë po zbatohen”.

“Është një hap i rëndësishëm rreth monitorimit, rreth mbikëqyrjes së ligjeve dhe natyrisht që po kërkojmë nga Qeveria që të nxjerrin urdhëresat administrative për t’i bërë të implementueshme ligjet aktuale”,
tha Hyseni.

Kuvendi i Kosovës, sipas juristëve, ka miratuar ligje që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Por, lë për të dëshiruar shumë zbatimi i tyre. Kujtim Kërveshi thotë se ka një sërë ligjesh që në vazhdimësi nuk zbatohen.

“Të përmendim për shembull Ligjin për arbitrazhin, Ligji për ndërmjetësimin, ligjet që kanë të bëjnë me procedurën kontestimore, Ligji mbi sanksionet e larta dhe shumë ligje të tjera - mbesin akoma jo në mënyrë të kënaqshme të zbatueshme”.

“Unë besoj që institucionet tona nuk duhet të kënaqen me numrin e ligjeve të shpallura, por ato duhet të mburren me numrin e ligjeve që zbatohen në praktikë”,
tha Kërveshi.

Mungesa e zbatimit të ligjit rrjedhimisht përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës, që, sipas juristëve, do t’i shkaktojë Kosovës pengesa të mëdha në arritjen e synimit të saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Mirëpo, Komisioni për legjislacion dhe gjyqësi i Kuvendit ka parashikuar që gjatë këtij viti të monitorojë zbatimin e ligjeve. Bahri Hyseni shpjegon:

“Një nga objektivat e Kuvendit të Kosovës ka qenë monitorimi dhe pothuajse të gjitha komisionet parlamentare janë të obliguara që së paku dy ligje t’i monitorojnë dhe nga kjo praktikë po shihet se ka filluar një implementim shumë më i mirë se që ka qenë për zbatimin e ligjeve në praktikë”, tha Hyseni.

Organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë vënë në pah se Kosova ka ligje të avancuara dhe që respektojnë të drejtat e njeriut, por ato mbesin vetëm në letër. Sipas juristëve, nëse nuk gjendet zgjidhje, këto mangësi do të bëjnë që Kosova të jetë larg shtetit ligjor.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG