Ndërlidhjet

ESI: Komisioni të heqë vizat për Ballkanin


Javën që vjen, dihet nëse do të ketë liberalizim vizash me ndonjërin nga vendet e Ballkanit. Por, një gjë është e sigurt - Kosova mbetet jashtë këtij procesi. ESI kërkon nga Komisioni Evropian heqjen e plotë të vizave për vendet e Ballkanit.

Të hënën e ardhshme (25 maj), Komisioni Evropian pritet të diskutojë me vendet anëtare të BE-së raportet më të reja mbi arritjet që vendet e rajonit kanë bërë në lidhje me regjimin e lirë të vizave.

Iniciativa Evropiane për Stabilitet vlerëson se kjo është koha kur duhet të merren vendime konkrete sa i përket udhëtimit të lirë pa viza në BE për qytetarët e shteteve të Ballkanit perëndimor.

Kjo iniciativë sërish kërkon nga Bashkimi Evropian që të mundësojë një udhëtim pa viza për vendet e Ballkanit.
Dërgimi i këtij sinjali te Maqedonia dhe mbase edhe në Serbi e Mal të Zi, nuk duhet t’ua mbyllë derën shteteve tjera që kanë mbetur prapa...

“U mbetet vendeve anëtare që të vendosin nëse do të dërgojnë sinjal pozitiv. Dërgimi i këtij sinjali te Maqedonia dhe mbase edhe në Serbi e Mal të Zi, nuk duhet t’ua mbyllë derën shteteve tjera që kanë mbetur prapa. Të gjitha vendet në rajon duhet ta kuptojnë se Evropa është diçka e arritshme”, thotë Verena Knaus, analiste nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

Më herët, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se nga vendet e rajonit është vetëm Maqedonia ajo që i ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash. Serbia dhe Mali i Zi duhet të bëjnë edhe pak përpjekje. Ndërsa, më pas ka mbetur Shqipëria dhe Bosnja.

Për shkak se Kosova nuk njihet nga 5 vende anëtare të BE-së, ajo as që është e përfshirë në këtë proces. Këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, thotë se edhe pse jo në diskutimet formale, në ato joformale do të zë vend dhe Kosova.

“Kosova, për arsye të njohura, nuk do jetë pjesë e këtij raporti, e as e diskutimeve formale, që do të zhvillohen në lidhje me progresin që është arritur në secilin vend anëtar. Por, nga informatat që ne kemi, një pjesë e diskutimeve joformale do të jenë edhe për Kosovën, ku Komisioni Evropian do t’i informojë vendet anëtare se Kosova ka filluar në mënyrë të njëanshme që t’i zbatojë kriteret dhe ka përgatitur udhërrëfyesin”, tha Rexhepi.

Kosova ka disa javë që ka nisur njëanshëm të bëjë përgatitjet për liberalizim vizash. Vitin e ardhshëm do të nisë lëshimin e pasaportave biometrike, ndërkohë që po përgatitet të arrijë edhe kriteret tjera. Të paktën kështu pohon Fisnik Rexhepi.
...i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe krerëve institucionalë, që të fillojnë të lobojnë intensivisht te vendet e Ballkanit, në mënyrë që kur të përgatitet raporti i Komisionit Evropian, edhe Kosova të marrë dritën e gjelbër...

“Ministri Pajaziti ka rekomanduar që për çështje të zbatimit të kritereve, të hartohet një plan veprimi, që do ta koordinojë MPB-ja. Një pjesë shumë e rëndësishme është lobimi te vendet anëtare. Komisioni Evropian vetëm jep rekomandim nëse një vend i ka përmbushur ose jo kriteret. Vendimmarrja u takon vendeve anëtare. Pra, i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe krerëve institucionalë, që të fillojnë të lobojnë intensivisht te vendet e Ballkanit, në mënyrë që kur të përgatitet raporti i Komisionit Evropian, edhe Kosova të marrë dritën e gjelbër”,
tha Rexhepi.

Iniciativa Evropiane për Stabilitet alarmon se Kosova rrezikon të lihet anash si një enklavë e izoluar në rajon. Kjo organizatë hamendet se pse Komisioni Evropian nuk dëshiron që edhe Kosova të ndjekë politikën e forcimit të sundimit të ligjit, kontrollimit të kufijve dhe kriteret tjera.

Sidoqoftë, kosovarët, sipas Verena Knausit, duhet të ecin rrugës që kanë nisur.

“Ajo që duhet bërë, është mu ajo që është duke bërë tash Qeveria e Kosovës. Të mos pritet që Komisioni Evropian dhe BE-ja të dërgojnë edhe zyrtarisht ftesën, sepse kjo nuk mund të ndodhë tash, për shkak të mosnjohjes, pra për shkaqe politike, por të bëjnë atë që bëjnë edhe vendet tjera, në mënyrë që të përmbushen kërkesat për udhëtim pa viza”, u shpreh Knaus.

Viti 2011 shihet si cak nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kur kosovarët do të udhëtojnë në Evropë vetëm me pasaportë.

Vitin e ardhshëm, kjo ministri do t’i lëshojë pasaportat biometrike, ndërkohë ata që tashmë janë pajisur me pasaportat e reja të Republikës së Kosovës, nuk kanë nevojë që menjëherë t’i zëvendësojnë ato.
XS
SM
MD
LG