Ndërlidhjet

Analistët: Bajden kërkoi kompromis me Greqinë për emrin


Xhozef Bajden
Xhozef Bajden

Analistët politikë në Shkup thonë se vizita e nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, në Ballkan është shenjë e qartë se amerikanët angazhohen për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por së pari duhet të zgjidhet çështja e emrit me Greqinë.


Qeveria e Maqedonisë është e vetëdijshme për mesazhet që i dërgoi nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, se vendi i Maqedonisë është në NATO, por së pari duhet ta zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë.

Madje, edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski publikisht pranoi se ndërkombëtarët kanë shtuar presionet për zgjidhjen sa më shpejt të çështjes së emrit me Greqinë, por ka thënë se duhet biseduar vetëm për emrin dhe jo edhe për çështje të tjera.

Nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, gjatë turneut të tij në Ballkan, nuk e vizitoi Maqedoninë, por e përmendi atë në fjalimet e tij, duke shprehur dëshirën e administratës amerikane që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Maqedoninë ta shohin pjesë të komunitetit euroatlantik.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Sllobodan Çashule, deklaroi se vizita e Bajdenit dhe interesimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin ka qenë i pritur, ndërsa mosvizita e Maqedonisë nga ana e tij, siç tha Çashule, nuk është ndonjë problem i madh.

“Amerikanët dëshmojnë vullnet dhe vizion të qartë se konsolidimi i Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi konsolidimi i sigurisë në Evropë është i pamundur pa anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, tha Çashule.

Ndërsa, analisti politik, Xhelal Neziri, thotë se deklarata e Bajdenit është një kërkesë e qartë që Maqedonia të bëjë kompromisin e domosdoshëm për çështjen e emrit me Greqinë.

“Deklarata e nënpresidentit amerikan, Bajden, është në vijën e presioneve që i bëhen Maqedonisë për të zgjidhur këtë çështje shumë të ndjeshme. Nëse pranon zgjidhjen e çështjes së emrit, me siguri anëtarësimi në NATO do të thotë se do të ketë më shumë investime dhe do të mundësojë standard më të mirë jetësor, do të thotë perspektivë më të qartë dhe më të sigurt për Maqedoninë. Në të kundërtën, gjithçka është e vënë në një pikëpyetje të madhe, madje edhe vetë ekzistimi i Maqedonisë si shtet”, tha Neziri.

Analistët thonë se vizita e Bajdenit është treguesi më i mirë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe më tej me Ballkanin, përkatësisht edhe me Republikën e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG