Ndërlidhjet

“Betejë e ashpër për Kosovën në Damask”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Pritjet nga Konferenca Islamike lidhur me Kosovën, ashtu sikurse gjatë fundjavës, dominojnë edhe në gazetat e sotme në Prishtinë.

E përditshmja “Koha Ditore” thekson se një betejë e ashpër është zhvilluar të shtunën dhe të dielën në Damask ndërmjet vendeve përkrahëse të pavarësisë së Kosovës dhe vendeve që mbështesin qëndrimin e Serbisë kundër pavarësisë, ndërkohë që autoritetet e Sirisë nuk kanë lejuar as Prishtinën e as Beogradin të marrin pjesë në Konferencën Islamike.

Gazeta ka vënë në dukje se Rezoluta për Kosovën është hartuar nga Shqipëria, ndërsa i është lënë Arabisë Saudite që ta nxjerrë në votim para shteteve anëtare të Konferencës Islamike, për shkak të fuqisë dhe ndikimit që ka mbi shtetet tjera islamike.

E përditshmja “Koha Ditore” thekson më tej se miratimi eventual i Rezolutës shton gjasat që në një afat të shkurtër vendimin për njohje të Kosovës ta marrin edhe shumica e vendeve tjera islamike.

Por, burime të “Kohës Ditore” në Damask bëjnë të ditur se miratimi i Rezolutës, e cila pritet të hedhet në votim gjatë ditës së sotme, nuk nënkupton automatikisht njohje për pavarësinë e Kosovës, pasi, siç nënvizon gazeta, Organizata e Konferencës Islamike nuk ka mandat për t’u imponuar vendime vendeve anëtare të saj, por vetëm sugjeron dhe mund të përshpejtojë procesin e njohjes.

Grupi i Kontaktit për Kosovën është mbledhur pas një kohe të gjatë - Në këtë temë është fokusuar e përditshmja “Express”, duke nxjerrë në pah rolin e Rusisë në çështjen e Kosovës.

Kështu, siç thekson gazeta, kthimi i Rusisë në tavolinat e Grupit të Kontaktit mund të jetë një ogur i mirë dhe dëshmi se politika e saj e bllokadës së pavarësisë së Kosovës nuk pati sukses.

Gazeta thekson se Rusia në instancën e fundit, pas disa hapave të ndërmjetëm, do të pajtohet me realitetin e krijuar në Kosovë dhe me arkitekturën e re të sigurisë së rajonit, ku shteti i Kosovës duhet të jetë njëri nga gurët themeltarë.

Ndryshe, siç ka vënë në dukje gazeta, vazhdimi i jetës së Grupit të Kontaktit është dëshmi e fortë se punët në rajon nuk janë kryer deri në fund dhe se proceset duhet përfunduar.

Gazeta thekson me këtë rast se me gjasë ky ka qenë edhe qëllimi i vizitës së nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, në rajon, që t’i bindë faktorët kryesorë, para së gjithash Serbinë bllokuese, në domosdonë e përfundimit të proceseve dhe mbylljen e konflikteve të ngrira.

Ndërkaq, e përditshmja “Kosova sot” ka një shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gazeta thekson se Bashkimi Evropian duhet ta tregojë me vepra vullnetin pozitiv për të integruar vendet e rajonit ballkanik, që ende mbeten nën llupën e rreptë të monitoruesve evropianë.

Në këtë kontekst, e përditshmja “Kosova sot” ka vënë në dukje se pavarësisht përpjekjeve të kosovarëve për t’u bërë pjesë e përfitueseve të liberalizimit të vizave, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në këtë proces dhe të izolohet.

Gazeta thekson nevojën e qartësimit të pozicionit të Kosovës dhe jo të krijohet një klimë e panevojshme frustrimi, por të nxitet një ecje e përbashkët rajonale, pa diskriminuar askënd.
XS
SM
MD
LG