Ndërlidhjet

logo-print

Bota e dënoi testin atomik të Koresë Veriore


Bashkësia Ndërkombëtare e ka dënuar fuqishëm testin e fundit bërthamor dhe raketor të Koresë Veriore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se testi paraqet një “kërcënim për sigurinë ndërkombëtare” dhe se është një “kundërshtim i hapur”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet që, gjatë ditës së sotme, të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se është “thellësisht i shqetësuar” lidhur me këtë zhvillim.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se edhe Moska është e shqetësuar me këtë lajm:

“Natyrisht, ne jemi të shqetësuar me lajmin, që Koreja Veriore ka shpërthyer një mjet bërthamor”, tha Lavrov.

Ministria e jashtme kineze, përmes një deklarate, është shprehur vendosmërisht kundër testit.

Japonia dhe Bashkimi Evropian, po ashtu, kanë dënuar fuqishëm veprimin e Phenanit.

Kryeministri Taro Aso, tha se Japonia do të kërkojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, për dënimin e testit, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Havier Solana, bëri thirrje për një reagim të fuqishëm ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG