Ndërlidhjet

Kosova synon menaxhim të integruar të kufirit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës krijoi Bordin ekzekutiv për zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të kufirit, gjë që paraqet një nga parakushtet për përmbushjen e kritereve evropiane.


Në përpjekje të arritjes së kritereve evropiane për menaxhimin e kufijve, Qeveria e Kosovës ka krijuar sot një bord menaxhues, i cili do të zbatojë strategjinë për kufirin e integruar.

Kjo strategji u tha se përbën një angazhim të veçantë në raport me Kushtetutën si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në procesin e para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, tha se hartimi i strategjisë dhe planit të veprimit parashikon arritjen e objektivave të afërta me praktikat dhe standardet që i zbatojnë edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Hartimi i strategjisë është bazuar në legjislacionin e Kosovës, ligjet e aprovuara dhe është në funksion të krijimit të hapësirës dhe infrastrukturës ligjore për funksionimin e kufirit tonë dhe menaxhimin e integruar të kufijve”, tha Xhelili.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se kjo strategji është një sfidë dhe një shans për të menaxhuar me kufijtë e Kosovës, duke bashkëpunuar edhe me akterët e tjerë pjesëmarrës, sidomos me fqinjë të Kosovës dhe me bashkësinë ndërkombëtare.

“Menaxhimi i integruar i kufijve, si koncept i ri, parashtron para nesh një sfidë dhe shans për t’u ballafaquar dhe, në të njëjtën kohë, edhe për të menaxhuar sfidat me objektivat tona, të cilat i kemi vënë përpara si qeveri, si ministri dhe si shoqëri”, theksoi Shala.

Menaxhimi i kufirit përfshin edhe pjesën e Kosovës që kufizohet me Serbinë, si një prej vijave më problematike. Ndihmësdrejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, tha se bashkëpunimi me Serbinë mund të zgjasë në kohë, për shkak të raporteve aktuale mes dy vendeve.

Por, të dyja shtetet, sipas tij, do të jenë të detyruara të bashkëpunojnë në të ardhmen. Një dimension të ri në këto raporte, sipas tij, mund të luajë edhe bashkësia ndërkombëtare, marrë parasysh se kufijtë e Kosovës mbikëqyren edhe nga autoritete civile dhe ushtarake ndërkombëtare.

“Ne, në fakt, vetëm se kemi filluar në praktikë të zbatojmë shumë forma të ndryshme të bashkëpunimit në nivelin taktik dhe operativ, prandaj çështja me Serbinë është çështje që në të ardhmen mendojmë të bashkëpunojmë”.

“Strategjia pra nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë; është njëri nga akterët me të cilin në një të ardhme do të detyrohemi të krijojmë raporte të bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit”,
tha Selimi.

Menaxhimi i integruar i kufirit përbën një prej komponentëve të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave. Por, aktualisht Kosova nuk është përfshirë në këtë proces.

Andaj, autoritetet në Prishtinë janë të interesuara që t’i përmbushin kriteret e parapara për t’u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që Kosova të mos mbetet vendi i vetëm i rajonit që do të mund të lihej anash këtij procesi.
XS
SM
MD
LG