Ndërlidhjet

Vonesat e paarsyeshme për AKI-në


Agjencia Kosovare e Inteligjencës vazhdon të jetë jofunksionale tërësisht, pasi që ende s'është kompletuar hierarkia udhëheqëse e saj. Përfaqësuesit e partive opozitare dhe ekspertët e sigurisë thonë se kjo vonesë do t’i kushtojë vendit.


Eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, konsideron se në momentin në të cilin gjendet Kosova, si në aspektin politik ashtu dhe në atë të sigurisë, funksionalizimi i agjencisë është shumë i rëndësishëm.

“Jemi në një vonesë shumë të madhe. Unë mendoj se shkaku i parë i kësaj është çështja subjektive; derisa mendohet që ky shërbim të jetë në funksion të një partie politike apo të një individi apo grupacioni, është një gabim shumë i madh dhe nuk çon në drejtim të zhvillimit të saj të gjithëmbarshëm e pozitiv. Prandaj, unë mendoj që vonesa është shumë e dëmshme për ne në Kosovë, aq më parë kur kihet parasysh momenti në të cilin ndodhet Kosova”, tha Qehaja.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa, vonesën e mosfunksionalizimit të AKI-së nuk e justifikon me asgjë.

“E shoh si të pajustifikueshme, e shoh si mungesë të dijes sonë për të organizuar kapacitete që i kemi në vend. Krejt mendoj që nuk jemi të gatshëm. Unë e di që kemi kapacitete të mjaftueshme në vend, por nuk po dimë t’i organizojmë”,
u shpreh Mustafa.

Anëtari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmanaj, thotë se duke u nisur nga puna e deritanishme e Qeverisë së Kosovës, nuk ka një vullnet të duhur në këtë drejtim.

“Nuk është mungesë e kuadrit, por unë konsideroj se është më shumë mungesë e vullnetit politik dhe është ajo mosgatishmëria e komunikimit ose kompromisit mes koalicionit qeverisës. Ose nuk kanë kompromis, ose njerëzit që i kanë propozuar herët e kaluara, nuk kanë mundur t’i sjellin deri te një përzgjedhje”, tha Selmanaj.

Për zotin Selmanaj, Kosova në fushën e shërbimeve inteligjente vazhdon të jetë në një shkallë shumë të ultë. Siç shprehet ai, kjo gjendje e tanishme do të ketë pasoja.

“Në fushën e inteligjencës jemi pesë hapa mbrapa të tjerëve dhe konsekuencat do të jenë në vazhdimësi, sepse nuk do të mund të jemi as vëzhgues të shumë fushave, samiteve ose konferencave që do të mbahen në Evropën juglindore dhe nuk do të kemi të drejtë as si vëzhgues të marrim pjesë në ato takime. Këto konsekuenca do të jenë në vazhdimësi dhe më së shumti do të pësojë qytetari dhe siguria në Kosovë”, tha Selmanaj.

Eksperti Qehaja thotë se Kosova gjendet në një situatë mjaft të brishtë të sigurisë, sidomos në disa pjesë të saj, andaj, sipas tij, funksionalizimi i këtij organi të sigurisë është shumë i nevojshëm.

“Ne nuk jemi as në fillim të fillimit të zhvillimit të këtij sektori. Kështu që është një brengë shumë e madhe. Unë, si ekspert i sigurisë, këtë e shoh si një dobësi shumë të madhe, sepse çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, me aktivitetet armiqësore, që janë të drejtuara kundër Kosovës, nëse nuk i zbulon me kohë dhe shkon pas tyre, atëherë kjo nuk është udhëheqësi, e cila është meritore për t’i kryer punët e veta”, deklaroi Qehaja.

Sipas ekspertëve, faktorë që dëmtojnë sigurinë në vend janë: tensionet e vazhdueshme në veri, prania e shërbimeve ilegale informative të huaja në Kosovë, si dhe strukturat paralele serbe të sigurisë në veri.
XS
SM
MD
LG