Ndërlidhjet

Kosova është në fazën e pranimit në Asociacionin Ndërkombëtar të Avokatisë(IBA), thonë avokatët kosovarë. Pranimi në IBA, sipas tyre, do të thotë shumë për avancimin e profesionit të tyre, si dhe për forcimin e shtetit të Kosovës.


Oda e Avokatëve të Kosovës është në pritje të pranimit në Asociacionin Ndërkombëtar të Avokatisë (International Bar Association - IBA), i cili ngërthen në vete oda avokatësh nga vende të ndryshme të botës.

Kosova ka synuar anëtarësimin në këtë organizatë që nga viti 2005, por pengesë ka qenë statusi i pazgjidhur politik i saj.

Ndërkohë, siç thotë kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, para një muaji, vetë kjo organizatë i ka dërguar ftesë zyrtare Kosovës për anëtarësim.

“Ftesa për anëtarësim ka ardhur para 35-40 ditësh dhe ne jemi në proces, në kontakt me ta për përpilim. Është një proces rreth dokumentacionit; atyre, për shembull, është dashur t’ia prezantojmë Kushtetutën e shtetit. Kushtetuta e garanton pavarësinë e avokaturës me nenin 111; pastaj, atyre është dashur t’ua përcjellim aktet tjera”.

“Është ligji për avokatinë, i cili njëkohësisht e konfirmon pavarësinë e profesionit, që është element të cilin ata e vlerësojnë me rastin e shqyrtimit të aplikacionit”,
u shpreh Dragusha.

Dërgimi i ftesës, sipas Dragushës, është sinjal pozitiv, që i hap rrugë anëtarësimit.
Presim shumë shpejt kërkesën zyrtare për pagesën e anëtarësisë, që është një konfirmim i anëtarësimit tonë në këtë organizatë...

“Ne kemi aplikuar për anëtarësim në cilësinë e anëtarit të plotë, anëtarësim ky që do të na ofronte të gjitha beneficionet, që i kanë anëtarët në këtë organizatë. Aplikacionin zyrtarisht e kemi dërguar më 22 maj të këtij viti. Ai i është drejtuar bordit të kësaj organizate dhe pritet që shumë shpejt të shqyrtohet”.

“Presim shumë shpejt kërkesën zyrtare për pagesën e anëtarësisë, që është një konfirmim i anëtarësimit tonë në këtë organizatë”,
tha Dragusha.

Avokati Tomë Gashi, njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, vlerëson se anëtarësimi në këtë asociacion do të thotë shumë për Kosovën.

“Kjo nënkupton forcimin në njëfarë mënyre të pavarësisë sonë, që do të thotë në këtë shoqatë ndërkombëtare të Odave të Avokatëve, Kosova do të paraqitet si shtet e jo si ndonjë provincë, apo vend që ka qenë i administruar nga OKB-ja për 10 vjet”, theksoi Gashi.

Përveç përfitimit që mund t’i bëhet Kosovës në kontekst të promovimit të pavarësisë së saj, Gashi thotë se përfitimi do të jetë edhe i vetë avokatëve, meqë mund të përfaqësojnë lëndë edhe jashtë Kosovës.

“Nëse kemi kualitete të caktuara te individët, te avokatët, mund të përfaqësojmë lëndë në mënyrë individuale nëpër shtete, të cilat janë anëtare të IBA-së. Thënë thjesht, ndoshta unë mund të përfaqësoj në Belgjikë, Amerikë, apo gjetkë”, tha Gashi.

Asociacioni Ndërkombëtar i Avokatisë (IBA) është themeluar në vitin 1974 dhe, siç cilësohet në faqe të tij të internetit, është organizatë lidere në fushën juridike. Ka një anëtarësim prej 30 mijë avokatëve, më shumë se 195 Odave të Avokatëve dhe shoqatave juridike nga të gjitha kontinentet.

Qëllimi kryesor i IBA-së është që të promovojë shkëmbimin e informacioneve në mes të shoqatave juridike anembanë botës, të përkrahë pavarësinë e gjyqësorit, të drejtat e avokatëve për të ushtruar profesionin e tyre pa ndërhyrje dhe të mbështesë të drejtat e njeriut të avokatëve në botë përmes Institutit për të Drejtat e Njeriut (Human Rights Institute).

Trego komentet

XS
SM
MD
LG