Ndërlidhjet

Mosfunksionimi adekuat i sistemit gjyqësor në Kosovë ka bërë që ekonomia e paligjshme të zhvillohet në përmasa të mëdha, duke e dëmtuar kështu ekonominë formale dhe konkurrencën në tregun kosovar, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë. Sipas tyre, mbi 40 për qind e mallit në tregun kosovar llogaritet si treg i zi.

Nënkryetari i Institutit për Zhvillime dhe Hulumtime “Riinvest”, Muhamet Sadiku, thekson se ekonomia joformale është rezultat i çrregullimeve në ekonominë e përgjithshme dhe, sipas tij, është e pranishme në shumë vende, përfshirë edhe vendet e zhvilluara.

Megjithatë, ai thekson se për të penguar këtë fenomen, duhet të krijohen mekanizma
adekuatë.

“Për të penguar ekonominë joformale duhet të funksionojë shteti ligjor, është e nevojshme të forcohet aparati administrativ, të përforcohen gjobat si dhe shërbimet e inspektimeve të ndryshme. Kosovarët duhet të vinë deri në atë situatë që bizneset jolegale të bëhen më të shtrenjta se bizneset legale. Atëherë, do të mund të pritet një zhvendosje nga ekonomia joformale në ekonominë formale”, thotë profesor Sadiku.

Profesor Sadiku potencon se të gjitha ato vende që kanë probleme në ndërtimin e demokracisë, kanë një pjesëmarrje të lartë të ekonomisë joformale.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit thonë se gjatë zbatimit të një projekti për zvogëlimin e ekonomisë joformale, kanë ardhur në përfundim se shkaktar kryesor i kësaj dukurie është mosfunksionimi i shtetit ligjor.

Ky projekt, që ka pasur për qëllim rishikimin e ligjeve dhe rregullativave ekzistuese që ndikojnë në rritjen apo zvogëlimin e ekonomisë joformale, sipas kryetar të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka treguar se në Kosovë në të gjithë sektorët ekonomia joformale është në përmasa shqetësuese.

“Rritja e efikasitetit të ekzekutivit të shtetit, siç janë policia, doganat, administrata tatimore dhe inspektimi i mallrave, do të ishte mundësia e vetme për zvogëlimin e ekonomisë të paligjshme. Por, derisa në disa vende në Kosovë ne nuk e kontrollojmë shtetin, kjo është e pamundshme dhe krijon pabarazi”, pohon zoti Shahini.

Ndërkaq, Mejdi Bektashi, ekspert për çështje ekonomike, i quan Doganat e Kosovës si përgjegjëse për ekonominë e paligjshme. Ai thekson se Kosova, sa i përket përmasave të ekonomisë joformale, është në një pozitë të palakmueshme, e cila po shkakton humbje të mëdha.

“Problemi ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës ligjore, që rregullon këtë problematikë të ndëshkimit të atyre që shkelin rregullativën ekzistuese, si dhe problemi i masave shumë të lehta dhe ndëshkimet shuma të vogla për ata që bëjnë vepra të tilla”, thotë profesor Bektashi.

Profesor Bektashi mendon se për të qenë më e efektshme lufta ndaj këtij fenomeni, duhet shtuar masat në pikat kufitare.

Ndryshe, deri më tani, nuk ka hulumtime relevante lidhur me këtë fenomen, mirëpo ka trajtime, të cilat vlerësojnë se pjesëmarrja e ekonomisë joligjore në ekonominë e Kosovës sillet mbi 40 për qind.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG