Ndërlidhjet

“OKI miraton Rezolutën për Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Sipas të përditshmes “Kosova sot”, rezoluta në Konferencën Islamike është njëra nga arritjet më të forta të Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe se ky dokument ka rëndësi të madhe politike dhe diplomatike, duke inkurajuar njohjet e reja të Kosovës.

Duke vënë në pah rolin e Shqipërisë në miratimin e kësaj rezolute, e përditshmja “Kosova sot” thekson se insistimi i saj dhe mbështetja e vendeve me ndikim në botën islame, si Turqia dhe Arabia Saudite, kanë dhënë rezultatet e shumëpritura, ndërsa për diplomacinë serbe, ky ishte dështimi i radhës.

Gazeta ka vënë në pah se me gjithë lobimin e Serbisë kundër rezolutës për Kosovën, zëri i diplomacisë shqiptare ishte më bindshëm, andaj edhe konferenca rezultoi me një qëndrim shumë të favorshëm për shtetin kosovar.

Më tej, gazeta thekson se paralajmërimi i njohjeve të reja nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, është inkurajues, menjëherë pas konferencës së vendeve myslimane.

Duke pasur parasysh dritën e gjelbër që është ndezur nga Konferenca Islamike, gazeta “Kosova sot” thekson se të gjithë tashmë e kanë të njohur çështjen e Kosovës, ndaj pritet vetëm edhe formalizimi i njohjeve të reja të shteteve anëtare të kësaj Organizate.

Integrimi i Kosovës në BE - synim i autoriteteve në Prishtinë - Në këtë temë është fokusuar e përditshmja “Koha ditore”, duke theksuar se për t’u bërë realitet integrimi i Kosovë në BE, duhet plotësuar shumë kritere, të cilat me këtë angazhim dhe ritme pune të institucioneve kosovare vështirë se do të përmbushen në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Duke vënë në pah rëndësinë e ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për ndërtimin e shtetit, e përditshmja “Koha ditore” thekson se do të duhen shumë vite që Kosova t’u ngjasojë sadopak metropoleve botërore, ku sundon rendi e ligji.

Kosovarët duhet të reflektojnë kulturën qytetare nëse pretendojnë të jenë pjesë e civilizimit evropian dhe botëror.

Sipas “Kohës ditore”, Kosova duhet t’i vë vetes kushtet për t’u bërë pjesë e Evropës, duke ngritur vetëdijen e qytetarëve se kujdesi për shtetin është së pari obligim qytetar, qoftë edhe ngritja e nivelit të pastërtisë në ambientet publike, që paraqet vetëm njërin prej problemeve që nuk janë tejkaluar ende.

E përditshmja “Zëri” ka një shkrim që ka për temë kontrabandën në veri të Kosovës. Ndërkohë që përfaqësues të komunitetit të biznesit kosovar kritikojnë me të madhe pushtetin për dështim në luftimin më të rreptë të kontrabandës në veriun e Kosovës, gazeta thekson se qytetarë nga kjo zonë problematike e Kosovës janë shprehur të habitur se si është e mundur që njerëzit që udhëheqin kontrabandën dhe krimin, të lihen të lirë, ndërsa para tyre dorëzohet çdo formë e pushtetit dhe ligjit.

Gazeta thekson se kontrabandistët serbë që operojnë në veriun e Mitrovicës, janë të njohur për opinionin e atjeshëm, sikurse që njihen edhe qytetarët shqiptarë nga pjesa jugore e qytetit, të cilët, siç thekson “Zëri”, ua organizojnë logjistikën e kontrabandimit të mallrave të ndryshme.
XS
SM
MD
LG