Ndërlidhjet

KS dënon unanimisht testin nuklear

  • Nik Krastev

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka dënuar unanimisht provën nukleare të Koresë së Veriut, duke e cilësuar si shkelje të qartë të të gjitha rezolutave të këtij Këshilli. Në një komunikatë për shtyp, Këshilli i Sigurimit ka paralajmëruar se do të fillojë menjëherë punimet për hartimin e një rezolute të re, e cila do të ketë edhe detyrime ligjore dhe nëpërmjet së cilës do të adresohen shkeljet e Koresë Veriore.


Duke folur në cilësinë e presidentit të radhës së Këshillit të Sigurimit për muajin maj, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, ka transmetuar ndjenjën e unanimitetit brenda Këshillit në raport me Korenë e Veriut.

Pesëmbëdhjetë anëtarëve të këtij Këshilli nuk u janë dashur më shumë se një orë për të dalë me një deklaratë të përbashkët.

Ambasadori rus tha se testi nuklear i Koresë Veriore është shumë më shqetësues se lansimi i projektilit me rreze të gjata më 5 prill, për faktin se ka shkelur jo vetëm rezolutat e Këshillit të Sigurimit, por edhe dy traktatet më të mëdha për zvogëlimin e armatimit nuklear.

Vitali Çurkin
"Kjo është një ngjarje e rrallë, siç e dini, dhe është në kundërshtim jo vetëm me rezolutat e Këshillit të Sigurimit, por edhe me marrëveshjet për zvogëlimin e armatimit nuklear. Rusia është një nga vendet që ka hartuar këto dokumente, prandaj mendojmë se ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme në raportet aktuale ndërkombëtare. Çdo veprim që zhvlerëson regjimin e këtyre dy traktateve, është shumë serioz dhe kërkon kundërpërgjigje të fuqishme”,
ka thënë Çurkin.

Suzan Rajs, ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara, e ka cilësuar provën e Koresë Veriore shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, duke thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë një rezolutë të fuqishme me masa të fuqishme për të dënuar Korenë e Veriut.

Suzan Rajs

"Besojmë se duhet të jetë një rezolutë e fuqishme, me një përmbajte të përshtatshme, por të fuqishme. Mirëpo, natyrisht, derisa ta përfundojmë procesin e negociatave mbi këtë rezolutë, do të ishte e pamatur të flitet për përmbajtjen që do të ketë”,
ka thënë zonja Rajs.


Dhe, ndërkohë që ambasadorja amerikane nuk pranoi të japë hollësi nëse Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë sanksione shtesë ekonomike dhe të tjera kundër Koresë Veriore, zëvendësambasadori francez, Zhan Pjerr Lakroa, tha se Parisi padyshim do të bëjë një gjë të tillë.

"Qëndrimi ynë kombëtar, pra qëndrimi francez është që në këtë rezolutë të përfshihen sanksionet e reja, mbi ato të cilat tashmë janë miratuar nga Këshilli i Sigurimit, sepse kjo sjellje duhet të ketë një çmim për të paguar”, tha zëvendësambasadori francez.

Homologu i tij nga Japonia, Jukio Takasu, tha se prova nukleare është një kërcënim serioz jo vetëm për paqen rajonale dhe stabilitetin ndërkombëtar, por është hap që ka zhvlerësuar gjithashtu autoritetin dhe prestigjin e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori kinez, Zhang Jesui, nuk ka folur para gazetarëve pas përfundimit të këtij sesioni të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit. Por, Qeveria kineze kishte lëshuar një deklaratë për opinion, duke thënë se e “kundërshton me vendosmëri” testin nuklear të Koresë Veriore.
XS
SM
MD
LG