Ndërlidhjet

Përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se zyrtarët kosovarë nuk do të marrin pjesë në një takim të CEFTA-s në Mal të Zi, për shkak të, siç thonë ata, moszgjidhjes së disa problemeve rreth përfaqësimit të Kosovës.


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë e ngrirjes së raporteve me Sekretariatin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Juglindore, e njohur si CEFTA.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, thotë se mospjesëmarrja e përfaqësuesve kosovarë në takimin, i cili mbahet sot në Mal të Zi, bëhet për shkak të çështjeve, siç thotë ai, protokollare.

“Ne nuk do të marrim pjesë në këtë takim. Kjo është vazhdimësi e takimeve që kemi pasur në Bruksel për liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë së vendeve anëtare të CEFTA-s”.

“Ne nuk jemi në takim thjesht për shkak të disa çështjeve që kanë mbetur të pazgjidhura sa i përket përfaqësimit tonë apo nënshkrimit eventual të protokollit, që ka të bëjë me liberalizimin e mëtejmë në tregtinë e këtyre vendeve”,
tha Zharku.

Ndryshe, që nga dhjetori i vitit të kaluar, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar hyrjen e produkteve kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Doganave të Kosovës.

Por, pavarësisht nga problemet me këto dy vende, ministri Zharku thotë se raportet me vendet tjera anëtare të CEFTA-s janë normale, kështu që Kosova, sipas tij, vazhdon të zbatojë dhe të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s.

“Ky është një takim i nivelit më të lartë politik, përndryshe në takimet e tjera ne nuk kemi kurrfarë problemi. Ne besojmë që duhet të jemi pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe do të vazhdojmë me punën tonë normale. Megjithatë, ju e dini që ekzistojnë disa probleme në përfaqësimin e delegacionit tonë në ato forume”.

“Ju e dini se përfaqësuesit tonë e kanë lëshuar mbledhjen për shkak të përfaqësuesit të UNMIK-ut. Tash, kësaj radhe, delegacioni i Serbisë e ka lëshuar mbledhjen për shkak të mosprezencës së UNMIK-ut, kështu që jemi në konsultime me faktorin ndërkombëtar”,
tha ministri Zharku.

Nga ana tjetër, ekspertë për çështje ekonomike deri më tash kanë dhënë vlerësime të ndryshme lidhur me masat që Kosova duhet t’i marrë karshi Serbisë dhe Bosnjës.

Safet Gërxhaliu, ekspert nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se autoritetet kosovare është dashur të jenë në takim, pasi, sipas tij, është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të marrë ndonjë vendim për zgjidhjen e problemit me CEFTA-n.

“Me një heshtje të tillë apo një anashkalim të problemeve, ato vetëm po rriten dhe po zgjerohen kur është në pyetje implementimi i CEFTA-s për Kosovën. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, vërtet agonia rreth implementimit të CEFTA-s vetëm se po zgjatet”.

“Është koha kur kryeministri Thaçi duhet të merret me këtë punë më me seriozitet. Nëse nuk ka kapacitet që ministria të merret me këtë punë, atëherë të bëhet një grup ndërministror, që do të jetë bartës i aktiviteteve rreth implementimit të CEFTA-s”,
theksoi Gërxhaliu.

Ndërkohë, në Budvë të Malit të Zi është duke u mbajtur një konferencë për CEFTA-n, në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të biznesit nga Kosova. Ndërsa, përfaqësuesit e delegacionit të Serbisë e kanë lëshuar takimin, për shkak të pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit kosovar.

Sidoqoftë, vendimi i Qeverisë serbe për të bllokuar produktet që vijnë nga Kosova, vlerësohet si një hap tjetër kundërshtues ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG