Ndërlidhjet

Mesazh për njohje të reja


Miratimi i Rezolutës për Kosovën në OKI, nga Prishtina zyrtare shihet si mesazh për njohje të reja nga bota e vendeve islame. Zyrtarët kosovarë besojnë se vendet islamike po e pranojnë realitetin e ri në Kosovë.


Prishtina zyrtare përshëndet miratimin e Rezolutës për Kosovën në Organizatën e Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj Rezolute shihet si hap përpara në fillimin e njohjeve më masive nga vendet islamike.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, përmes një konference të përbashkët, vlerësuan se kjo Rezolutë do të ketë efekte të shumanshme pozitive në raportet mes shtetit të Kosovës dhe vendeve të botës islame.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Rezoluta shpreh marrëveshjen e vendeve anëtare të Konferencës Islamike, por edhe njohje të realitetit të ri në Kosovën e pavarur.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi.
“Konsiderojmë një mbështetje për vizionin tonë politik dhe, në të njëjtën kohë, një përkrahje që ne e kuptojmë në trendin e filluar të mirë të njohjeve, që duhet t’i bëhen Republikës së Kosovës. Presim po kështu që në procesin e mëtutjeshëm të ketë njohje të tjera, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë e institucioneve të Republikës për bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me këto vende”,
tha Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo Rezolutë është shumë e rëndësishme për Kosovën. Ai tha se miratimi me unanimitet tregon se në të ardhmen këto shtete anëtare të Konferencës Islamike do ta njohin Kosovën.

“Është mesazh i qartë dhe shtytje edhe më e madhe që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt të njohin Republikën e Kosovës. Rezoluta ka vlerësuar lart zhvillimet dhe progresin e madh të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë ta ndihmojë zhvillimin e shtetit të Kosovës”, theksoi Thaçi.

Miratimi i Rezolutës është përshëndetur edhe nga opozita kosovare. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se miratimi i kësaj Rezolute është kontribut i drejtpërdrejtë i angazhimit të diplomacisë së Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Turqisë dhe Arabisë Saudite.

Rezoluta, sipas tij, është treguese e qartë se njohjet do të vazhdojnë.

Ahmet Isufi
“Efektet besojmë se do të jenë shumë pozitive, për shkak se është arritur një konsensus brenda shteteve islamike dhe kjo konferencë do ta fuqizojë përkrahjen e Kosovës dhe do të kemi njohje të reja nga shtetet, të cilat kanë qenë të rezervuara deri tani”,
tha Isufi.



Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Konferencës Islamike. Sejdiu tha se Kosova është e interesuar të jetë anëtare e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, por paraprakisht ai tha se Kosovës i duhet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara.

“Kosova është e interesuar të jetë anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë gjithmonë dhe e dyta është se në statutin apo Kushtetutën e Organizatës së Konferencës Islamike ekziston një dispozitë që anëtare të kësaj konference mund të jenë vetëm vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Prandaj, për ne është me rëndësi që të gravitojmë në ecje të bashkëpunimit me të gjitha këto vende”, u shpreh Sejdiu.

Nga 57 shtetet anëtare të Konferencës Islamike, 13 prej tyre e kanë njohur deri tash Kosovën e pavarur. Rezoluta e miratuar në Damask të Sirisë ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate që në sesionin e radhës të Ministrave të Jashtëm, të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë.

Pasi që teksti i rezolutës së propozuar dhe i asaj të miratuar ishte harmonizuar me konsensus, kjo Rezolutë nuk u bën thirrje vendeve anëtare ta njohin Kosovën, siç ishte versioni i saj i parë, por, megjithatë, në të njihet përparimi në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
XS
SM
MD
LG