Ndërlidhjet

"Integrimi - proces i gjatë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Raporti i Institutit Demokratik të Kosovës, sipas të përditshmes “Kosova sot”, është një sinjal shqetësues për funksionimin e shtetit të Kosovës, sepse ai konfirmon edhe një herë shqetësimet e ngritura prej kohësh në lidhje me agjencitë e pavarura, që supozohet se duhet të jenë profesionale dhe të paanshme, pra larg ndikimeve politike.

Gazeta ka vënë në dukje se një vit e disa muaj pas pavarësisë, gjërat janë përkeqësuar, ndonëse autoritetet e vendit kanë pasur mundësi për marrjen e vendimeve vetë.

Më tej, gazeta thekson se trysnia politike, ndikimet e forta partiake, i kanë shndërruar bordet e agjencive të pavarura në mekanizma të instrumentalizuar dhe pak të dobishëm.

Në këtë kontekst, e përditshmja “Kosova sot” thekson se agjencitë janë manipuluar dhe kështu u është hapur rrugë aferave korruptive, konfliktit të interesit dhe realizimit të interesave të dyshimta financiare.

Tutje, gazeta thekson se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta marrin seriozisht raportin e Institutit Demokratik të Kosovës dhe të nxjerrin mësimet e duhura për të shmangur gabimet në të ardhmen, sepse vërejtjet e bëra nga ky Institut janë të rënda dhe kanë ndikim negativ në çdo vlerësim të pritshëm, kështu që distancimi nga ndikimet e shtuara politike është hap i domosdoshëm që duhet ndërmarrë, thekson midis tjerash në këtë temë e përditshmja “Kosova sot”.

Integrimi evropian i Kosovës - Në këtë temë shkoqisim pjesë nga intervista që e përditshmja “Lajm” ka zhvilluar me ushtruesin e detyrës së kryeshefit të Agjencisë për koordinimin e zhvillimit të integrimit evropian në Kryeministri, Edon Cana.

Sipas tij, Kosova në rrafshin e integrimit në familjen evropiane, në përgjithësi, është shumë mbrapa vendeve tjera, si pasojë e një procesi historik.

Cana thekson se për të pasur sukses integrimi evropian, përveç hyrjes në agjendë, çështja duhet trajtuar me shumë seriozitet nga institucionet, por edhe nga qytetarët.

Cana i ka thënë të përditshmes “Lajm” se aktualisht Kosova është larg procesit të liberalizimit të vizave me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe më larg integrimit në këtë union.

Duke i parë sfidat e shumta dhe kriteret që Kosova duhet t’i plotësojë, si dhe duke qenë integrimi evropian si një prioritet shtetëror, Edon Cana mendon se agjencia që e drejton ai, duhet të shndërrohet në ministri për integrime evropiane, sepse, siç ka vënë në dukje, procesi i integrimit është tejet i gjatë.

E përditshmja “Zëri” ka shkrimin për strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës. Sipas gazetës, strukturat paralele ilegjitime serbe në këtë qytezë, kanë dhënë ultimatum që zyrtarët shqiptarë të Shtërpcës të largohen nga objekti i Kuvendit Komunal, ndërkohë që kanë paralajmëruar protesta edhe për sot kundër vendosjes së simboleve shtetërore të Kosovës në fshatin Drekovc.

Kërkesën e strukturave paralele serbe në Shtërpcë për largimin e shqiptarëve nga ndërtesa komunale e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” edhe nënkryetari i kësaj komune, Ali Halimi.
XS
SM
MD
LG