Ndërlidhjet

Opsionet presidenciale në Iran


Kandidatët presidencialë në Iran
Kandidatët presidencialë në Iran

Kanë mbetur pak më tepër se dy javë deri kur iranianët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin nga katër kandidatët në garë: presidenti aktual, Mahmud Ahmadinexhad, ish-kryeministri Mir Hyesin Musavi, ish-kryekuvendari Mehi Karubi, si dhe ish-kreu i Gardës Revolucionare Islamike, Mohsen Rezai. Në prag të zgjedhjeve, korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Golnaz Esfandiari, ka bërë një përshkrim të vetë kandidatëve si dhe të terrenit politik.

* * * * *

Presidenti aktual i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, vlerësohet të ketë fituar tashmë famë ndërkombëtare pikërisht për shkak të dyshimit të tij për Holokaustin, për shkak të sulmeve të tij verbale kundër Izraelit, si dhe për atë që është përkrahës i programit bërthamor të Iranit.

Mbështetësit e Ahmadinexhadit e përshkruajnë atë si një njeri që punon shumë dhe që vërtet brengoset për jetën e iranianëve. Ata që e kundërshtojnë atë thonë se ai ka krijuar shumë probleme për iranianët dhe e fajësojnë për gjendjen e dobët ekonomike në vend.

Ahmadinexhadi qe akuzuar nga rivalët e tij për ndërmarrjen e një kampanje të hershme, duke shfrytëzuar fuqitë e tij presidenciale si dhe burimet qeveritare për të udhëtuar nëpër provincat e Iranit për të blerë vota. Qeveria e Ahmadinexhadit i ka mohuar akuzat e tilla dhe vetë presidenti i ka hedhur poshtë kritikat për udhëtimet e tij të fundit si “imoralitet zgjedhor”.

Ahmadinexhadi besohet të ketë mbështetjen e liderit suprem, Ayatollah Khamenei, edhe pse ky i fundit nuk e ka shfaqur publikisht përkrahjen për të.

Kandidati në pushtet prin dhe në disa anketa zyrtare, të cilat janë publikuar nga mediat iraniane. Ndonëse ekzistojnë dyshime rreth besueshmërisë së tyre, vëzhguesit pajtohen se derisa Ahmadinexhadi do të ballafaqohet në një garë, ai do të jetë vështirë për t’u mundur.

Presidenti aktual sfidohet nga ish-kreu i Gardës Revolucionare Islamike, Mohsen Rezai. Edhe pse zoti Rezai vlerësohet të ketë më pak shanse në këtë garë, ai ka paralajmëruar se “Irani po shkon drejt një humnere”.

Ish-kryekuvendari Mehi Karubi, rivali 72 vjeçar, konsiderohet të jetë sfidues serioz i presidentit aktual në garë. Zoti Karubi, i cili ishte kundërshtar i Ahmadinexhadit edhe në zgjedhjet e 2005-ës, ka siguruar mbështetjen e disa figurave të njohura reformiste si dhe të grupeve të studentëve pro reformave.

Karubi ka kritikuar Ahmadinexhadin për qasjet e tij konfrontuese ndaj problemeve ndërkombëtare si dhe për shkak të dyshimit të tij për Holokaustin.

“Para së gjithash, Holokausti ka ndodhur”, ka thënë Karubi, së fundi, në një intervistë të publikuar në ueb-sajtin e fushatës së tij.

Ndërkaq, si kundërshtar kryesor i Ahmadinexhadit aktualisht shihet Mir Hyesin Musavi. Ish-kryeministri, i cili e përshkruan veten si reformator fundamentalist, është mbështetur publikisht nga ish-presidenti Mohammad Khatami.

“E konsideroj Musavin si intelektual fetar”, u ka thënë Khatami së fundmi mbështetësve, në përpjekje për t’i inkurajuar ata që t’ia japin përkrahjen e tyre Musavit. “Përkushtimi i Musavit për moral është një nga tiparet e tij të shquara siç është dhe bashkëndjesia e tij për njerëzit”, kishte thënë Khatami.

Të shumtë janë ata që kanë vlerësuar lart Musavin për menaxhimin e ekonomisë së Iranit gjatë luftës 8-vjeçare me Irakun në 1980-at. Ai ka premtuar t’i zbusë tensionet me Perëndimin, por ka thënë se Irani duhet së pari të fitojë besimin ndërkombëtar mbi programin e tij bërthamor.

Musavi ka zgjuar vëmendje të posaçme edhe për shkak të gruas së tij. Gjatë fushatës, ai është shfaqur çdoherë me bashkëshorten, e cila gjë në Iran është e pazakontë, dhe shumë e përshkruajnë atë si Mishel Obama iraniane.

Sidoqoftë, zgjedhjet në Iran thuhet se përcillen me mjaft të papritura dhe është shumë vështirë të parashikohen rezultatet. Kështu, katër vjet më parë, askush nuk priste që Ahmadinexhadi, atëbotë kryebashkiak i Teheranit, një figurë jo e njohur, të bëhej fitues i zgjedhjeve. Ai i fitoi ato dhe aktualisht është president.

The Briefing - Iran's Presidential Election
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:23 0:00
XS
SM
MD
LG