Ndërlidhjet

Ellis: Anëtarësimi i Kosovës në IBA - arritje thelbësore


Mark Ellis

Mark Ellis

“Anëtarësimi i plotë në Asociacionin Ndërkombëtar të Avokatisë (IBA) është një hap thelbësor jo vetëm për avokatët në Kosovë, por edhe për vetë Kosovën si shtet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, drejtor ekzekutiv në IBA.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ellis, Kosova ka fituar anëtarësim të plotë në Asociacionin Ndërkombëtar të Avokatisë. A mund të shpjegoni së çfarë domethënieje ka kjo për Kosovën?

MARK S. ELLIS
Mendoj se është arritje thelbësore. Asociacioni Ndërkombëtar i Avokatisë (IBA) përfaqëson rreth 198 asociacione avokatësh dhe shoqata ligjore në mbarë botën, me rreth 30 mijë individë si anëtarë.

Mundësia tani për Odën e Avokatëve të Kosovës për të qenë anëtare e plotë, me status të plotë në këtë grup të zgjedhur, është një hap thelbësor jo vetëm për avokatët në Kosovë, por edhe për vetë Kosovën si shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë votimit për anëtarësim, a kishte rezistencë nga ndonjë vend anëtar?

MARK S. ELLIS
Ka qenë ky një proces i gjatë, i cili më duhet të them se ka zgjatur më shumë se një vit. Oda e Avokatëve të Kosovës i është afruar Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatisë, duke kërkuar anëtarësim të plotë.

Ka pasur diskutime për mundësinë që Kosovës t’i jepet një anëtarësim mbështetës, që nënkupton një anëtarësim të radhës së dytë.

Unë nuk e kam mbështetur një gjë të këtillë, sepse mendoj se ishte e përshtatshme për të lëvizur drejt anëtarësimit të plotë. Për këtë është dashur të ketë një votë jo unanime, por të paktën 2/3 e votave të Këshillit të IBA-së.

Para kësaj, i gjithë ky proces ka kaluar nëpër një sërë procesesh miratimi, përfshirë këtu Komitetin e Kredencialeve dhe Bordin Menaxhues të IBA-së.

Pra, përgjithësisht, ka qenë një detyrë me plot argumente, por ndjej kënaqësinë të them se kur erdhi deri tek vota finale në Paris, të shtunën që lamë pas, vota ishte pothuajse unanime.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ellis, cilat janë kriteret kryesore që një vend duhet t’i përmbushë për të qenë anëtar i Asociacionit?

MARK S. ELLIS
Shoqata ligjore e një vendi duhet t’i përmbushë kriteret që janë përcaktuar në Kushtetutën e IBA-së. Debati rreth Kosovës është përqendruar më së shumti mbi mënyrën se si duhet trajtuar Kosova karshi Kushtetutës së Asociacionit.

Në këtë Kushtetutë diskutohet definimi i një shteti, që, sipas fjalorit kushtetues të Asociacionit, nënkupton një territor që është i definuar nga kufij të njohur ndërkombëtarisht dhe me një strukturë të pavarur politike.

Por, më e rëndësishmja është që ne kemi arritur në përfundimin se Oda e Avokatëve të Kosovës është pjesë e territorit, në këtë rast të një shteti, që udhëhiqet nga një sistem i vetëm ligjor, i cili ka autoritet mbi njerëzit që jetojnë në këtë territor.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet Kosova, është reformimi i sistemit të drejtësisë dhe pavarësia e këtij sistemi. Si mund të ndihmojë Asociacioni në këtë drejtim?

MARK S. ELLIS
Mendoj se pikërisht kjo çështje do të jetë një hap i rëndësishëm për t’u bërë. Duke qenë se Kosova tash është anëtare e Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatisë, ne tani jemi në gjendje për të ofruar ndihmë për avokatët dhe strukturat e drejtësisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese.

IBA ka një histori aktive të angazhimit duke ndihmuar vendet në mbarë botën, posaçërisht vendet në zhvillim, ndërkohë që ecin drejt rrugës së krijimit të një tradite më të fuqishme ligjore. Dhe, mendoj se Kosova është shembull i mirë që e ilustron këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta ndihmojë Kosovën ky anëtarësim në betejën e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë?

MARK S. ELLIS
Nuk do të thosha. Mendoj se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të marrë në konsideratë çështje dhe parametra të tjerë ligjorë, që nuk hyjnë në procesin e vendimmarrjes së Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatisë.

Kushtetuta e këtij Asociacioni lejon një interpretim më liberal apo më mikpritës të Kosovës si shtet.

Mendoj se procesi në GJND do të përfshijë një shqyrtim më substancial të parametrave ligjorë mbi shtetësinë e Kosovës. Megjithatë, duke u nisur nga fakti se IBA-ja është një organizatë prestigjioze dhe për anëtarësimin e Kosovës është punuar jashtëzakonisht shumë, mendoj se është e rëndësishme të thuhet se ky anëtarësim i plotë është një hap i rëndësishëm për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

XS
SM
MD
LG