Ndërlidhjet

Shansi i paqes


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, me marrjen e postit, premtoi se do të zbulojë mënyra për të biseduar me shtetet kundërshtare të Uashingtonit, siç janë Koreja Veriore dhe Irani. Kjo dallonte nga administrata e ish-presidentit Bush, e cila këto vende i kishte cilësuar si bosht të së keqes. Por, a do të lejojnë ngjarjet, si testi bërthamor e raketor i Phenianit dhe retorika në rritje e Teheranit, Obamën të fillojë përpjekjet e tij, apo do ta shtyjnë atë të përdorë mënyra më të ashpra?


Nuk ishte një javë e lehtë për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kishte filluar mandatin e tij duke u bërë thirrje shteteve kundërshtare të angazhohen për dialog.

"Nëse vendet si Irani janë të gatshme që të hapin grushtin e tyre, ato do të gjejnë dorën tonë të shtrirë", pati thënë Obama vetëm një javë pas marrjes së detyrës në janar.

Por, të hënën, Koreja Veriore duket se iu përgjigj në heshtje kësaj deklarate, duke bërë testin e dytë bërthamor, të parin gjatë mandatit të Obamës, i cili shkaktoi shpërthime, të cilat nga ekspertët krahasohen me ato të Hiroshimës dhe të Nagasakit.

Të martën, Pheniani testoi tri raketa me rreze të shkurtër veprimi, pavarësisht faktit që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi unanimisht testin nën-tokësor të së hënës.

Po gjatë kësaj jave, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmedinexhad, tha se ka përfunduar koha për bisedime me Perëndimin për programin bërthamor të këtij vendi.

Tani, pyetja kyçe për Uashingtonin është se i pasqyrojnë veprimet e Koresë Veriore dhe Iranit, vendimet e politikës së jashtme të këtyre shteteve apo janë të lidhura me çështjet e brendshme të tyre.

Eksperti për Korenë në Universitetin Lids në Britani, Aidan Foster-Karter, thotë se Koreja Veriore aktualisht përballet me problemin e trashëgimtarit të pushtetit. Ai thotë se presidenti Kim Xhong I përjetoi një infarkt vitin e kaluar dhe tash nuk është e qartë se cili nga tre djemtë do ta zëvendësojë.

“Kjo mund të duket sjellje pak e çuditshme nga Pheniani, por mendoj se është shpjegim i mundshëm. Ata përpiqen ta zgjidhin çështjen e ndërlikuar të trashëgimtarit, prandaj do të bëjnë zhurmë dhe do të jenë militantë, në mënyrë që të tjerët t’i lënë të qetë”, thotë Foster-Karter.

Ai gjithashtu nuk e përjashton mundësinë që Koreja të ketë vendosur të jetë shtet me armatim bërthamor, i painteresuar të zhvillojë bisedime me Perëndimin.

“Nëse ata kanë përcjellë Obamën, do ta kenë kuptuar se ai është një president i përkushtuar për bisedime me shtete të ndryshme. Pra, nëse Koreja Veriore do të dëshironte këtë, i ka pasur dyert e hapura, të cilat nuk kanë pasur nevojë të hapen me një raketë ose një bombë, të cilat, nëse asgjë, do t’i vështirësonin gjërat”, tha ai.

Paqartësi të ngjashme ka edhe rreth Teheranit, ku duket se po ndikojnë zhvillimet paraelektorale për zgjedhjet presidenciale.

Javën e kaluar, presidenti Ahmedinexhad akuzoi Mohamad Katamin, mbështetësin kryesor të rivalit të tij reformator, për “poshtërimin” e Iranit.

Kjo gjë, sipas tij, po bëhej duke pezulluar pasurimin e uraniumit ne vitet 2003-2005 si një masë për ndërtimin e besimit me Perëndimin.

Pyetja kryesore që shtrohet, është: A kanë qenë apo jo veprimet e Phenianit dhe të Teheranit të motivuara nga politikat e brendshme, apo i pasqyrojnë tendencat për fuqizimin e këtyre shteteve karshi Obamës.

Për të zhvilluar bisedime, presidentit amerikan i nevojitet vullneti i partnerëve të jashtëm si dhe një pushim nga thirrjet e brendshme për një strategji më konfrontuese të SHBA-ve. Por, siç treguan ngjarjet e kësaj jave, të dyja kushtet do të mund të zbatohen me vështirësi.
XS
SM
MD
LG