Ndërlidhjet

Bota dënon Korenë Veriore


Korea e Veriut ka kryer edhe një test tjetër raketor.

Ky është lansimi i raketës së tretë që nga e hëna kur Pheniani kreu një provë bërthamore nëntokësore. Pavarësisht reagimeve dhe kundërshtimeve ndërkombëtare, zyrtarët koreanë pohojnë se testet po bëhen për shkaqe të mbrojtjes. Zëvendës-ambasadori i Koresë Veriore në OKB, Pak Tok Hun, tha se "ajo që është me rëndësi, është ndërprerja e politikave kërcënuese e veçanërisht atyre të Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër, përveç atij që të mbrojmë veten”, tha ai.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pasi që dënoi testimet bërthamore, paralajmëroi miratimin e një rezolute detyruese për testimet e Koresë Veriore. Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, tha se duhet të gjendet një zgjidhje adekuate.

“Nuk duhet të shpejtojmë dhe të dënojmë Korenë Veriore vetëm për hir të dënimit”, tha Lavrov.

Veprimet e deritashme të Phenianit, sipas zyratrit japonez, Takeo Kavamura, po shkojnë në drejtim të gabuar.

“Qëndrimi mospërfillës i Koresë Veriore karshi Këshillit të Sigurimit dhe kërkesa që ky mekanizëm t’i kërkojë falje Koresë Veriore dëshmon se Pheniani po shkon në drejtim të gabuar duke dështuar të marr parasysh opinionin e Bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërkohë, armata verikoreane tha se më nuk ka detyrime ndaj marrëveshjes paqësore, e cila e ndërpreu luftën e viteve 1950-53 në siujdhesën e Koresë.

Në deklaratë, armata u kërcënua se do të përgjigjet me “goditje të fuqishme ushtarake” nëse anijet e Koresë së Veriut ndalohen dhe kontrollohen nga forcat ndërkombëtare për të penguar eksportin e raketave dhe armëve të shkattërimit në masë.

Një ditë pas provës bërthamore që bëri Pheniani, Korea e Jugut iu bashkangjit programit të prirë nga Shtetet e Bashkuara, për t’i ndaluar anijet që dyshohen se bartin komponenta për ndërtimin e armëve të shkatërrimit në masë.
XS
SM
MD
LG