Ndërlidhjet

Partitë duan OSBE-në t’i monitorojë zgjedhjet


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Presidenti Sejdiu po vazhdon konsultimet me partitë politike lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Partitë politike kërkojnë një rol më të rëndësishëm të faktorit ndërkombëtar në monitorimin e zgjedhjeve.


Ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu po i zhvillon edhe konsultat e fundit me spektrin politik kosovar para se të shpallë datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale, partitë politike kërkojnë një rol më të madh të mekanizmave ndërkombëtarë në procesin e monitorimit dhe mbikëqyrjes së zgjedhjeve.

Partitë opozitare, sidomos, janë më të zëshme dhe kërkojnë që OSBE-ja dhe organizmat tjerë monitorues të kenë një rol më të madh në procesin zgjedhor. Ndërkohë që edhe partitë në pushtet nuk e mohojnë rolin e faktorit ndërkombëtar në procesin zgjedhor.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, thotë se tash Kosova i ka institucionet e saj, të cilat kanë kapacitete ta udhëheqin procesin.

Ramë Buja
“E para gjë, konsideroj se OSBE-ja e ka vendin, rolin e vet në mbikëqyrjen apo monitorimin e zgjedhjeve. Por, të mos e ekzagjeroj më shumë se që ka nevojë, unë besoj që KQZ-ja tash është kompletuar dhe është në funksion të vetin. Do të ketë vështirësi, sepse e ka kohën e shkurtër, por me sa unë kam informacione, ajo do jetë e gatshme t’i organizojë këto zgjedhje dhe pa telashe. Tash kemi edhe përvojë, i kemi zgjedhjet e pesta që po i mbajmë
”, thotë Buja.

Partia tjetër në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pse beson në kapacitetet vendore, megjithatë preferon prezencën ndërkombëtare në proces. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se nuk mund të përjashtohet roli i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar në monitorimin e këtyre zgjedhjeve.
Kosova ka nevojë për mbështetje, Kosova ka nevojë të monitorohet sikur çdo vend tjetër në Evropën Juglindore...

“Unë do të doja t’i shoh institucionet e Kosovës lidere dhe udhëheqëse të këtij procesi, por Kosova ka nevojë për mbështetje. Kosova ka nevojë të monitorohet, sikur çdo vend tjetër në Evropën Juglindore, andaj involvimi sa më i madh i mekanizmave, institucioneve ndërkombëtare, është një lloj sigurie për qytetarin, votuesin dhe për njerëzit në Kosovë”, thekson Haziri.

Në anën tjetër, opozita këmbëngul që zgjedhjet të mbahen në tetor dhe që në to të përfshihet bashkësia ndërkombëtare. Aleanca Kosova e Re thotë se kapacitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk mjaftojnë pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, beson se asistenca ndërkombëtare është më se e domosdoshme për mbarëvajtjen e procesit.

Ibrahim Gashi
“Me kapacitetet që ka aktualisht KQZ-ja, nuk do të mundet ndoshta që plotësisht të jetë e zonja që të menaxhojë me këtë proces dhe natyrisht është shumë e mirëseardhur asistenca e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, në cilësi të monitoruesve, vëzhguesve, por nëse ka nevojë edhe për një asistencë më të drejtpërdrejtë”,
tha Gashi.

Edhe më e zëshme për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në procesin e zgjedhjeve është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti ka propozuar 25 tetorin si datë të mundshme për zgjedhjet, kurse, për shkak të dyshimeve të saj në mbarëvajtje, kërkon që faktori ndërkombëtar të jetë i kontraktuar për të mbikëqyrur tërë procesin.
Nuk ka kurrfarë arsyeje që Kosova të mos hyjë në këto marrëdhënie kontraktuale, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike, të certifikuara...

“Kërkojmë mbikëqyrje nga OSBE-ja. Nëse të gjitha vendet e rajonit kanë marrëdhënie kontraktuale për mbikëqyrjen e zgjedhjeve me OSBE-në, ose me departamentet e OSBE-së, siç është ODIR-i, nuk ka kurrfarë arsyeje që Kosova të mos hyjë në këto marrëdhënie kontraktuale, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike, të certifikuara dhe të gjitha forcat politike t’i pranojnë rezultatet”, thotë Ardian Gjini, nga AAK-ja.

Gjatë konsultimeve për datën e zgjedhjeve, presidenti Fatmir Sejdiu ka zhvilluar takime edhe me partitë e komuniteteve, përfshirë edhe ato serbe. Një pjesë e këtyre subjekteve që përfaqësohet në institucione, ka konfirmuar pjesëmarrjen, kurse pjesa tjetër e spektrit politik serb pret instruksionet nga Beogradi.

Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Nacional Serb, thotë se pjesëmarrja në zgjedhje mund të akordohet vetëm nëse këtë e kërkon edhe Beogradi.
Marrë parasysh kompleksivitetin e problemit, me siguri se do të kërkohet mbështetja e Qeverisë së Serbisë...

“Marrë parasysh kompleksivitetin e problemit, me siguri se do të kërkohet mbështetja e Qeverisë së Serbisë”, thotë Veliq, duke shtuar se vendimi i Beogradit mund të jetë i akorduar edhe me faktorin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se konsultimet janë në fazën finale dhe pritet vetëm shpallja e datës.

“Preferencat e shumicës së subjekteve politike janë dy javët e fundit të tetorit ose eventualisht java e parë e nëntorit. Duket që nuk do të ketë telashe për caktimin e datës”, tha Beqiri.

Pas marrjes së konfirmimeve dhe preferencave për datën e zgjedhjeve lokale, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti Fatmir Sejdiu pritet të kumtojë datën përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, e cila besohet se do të shpallet gjatë kësaj jave.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG