Ndërlidhjet

logo-print

"Sejdiu refuzon nënçmimin e Shkupit"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Anulimi i vizitës së presidentit Sejdiu në Maqedoni - Në këtë temë është fokusuar e përditshmja “Zëri, e cila thekson se presidenti Sejdiu duhet të trajtohet ashtu siç e meriton prej homologut të tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, dhe ky trajtim nuk mund të mos lërë gjurmë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Maqedonisë, të cilat, siç nënvizon gazeta, pa nevojë kanë hyrë në një fazë që mund të klasifikohet si e ndërlikuar.

Sipas të përditshmes “Zëri”, problemet që u shfaqën midis Kosovës dhe Maqedonisë për shkak të mospjesëmarrjes së kreut kosovar në ceremoninë inauguruese të presidentit maqedonas, u përcollën me një ftesë të veçantë për presidentin Sejdiu, që ta vizitojë Shkupin zyrtar dhe në këtë mënyrë supozohej që do të tejkalohej ky problem që mëdyshi, së paku për disa ditë, sinqeritetin e raporteve midis Kosovës dhe Maqedonisë.

Në këtë kontekst, gazeta thekson se marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Kosovës dhe Maqedonisë janë interes i dyanshëm, i cili do të duhej të mbizotëronte si në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup.

Parë nga ky këndvështrim, “Zëri” thekson se asnjërit nga këto dy vende nuk iu duhen takime simbolike, apo krejtësisht protokollare, siç ishte paralajmëruar vizita e presidentit Sejdiu në Maqedoni.

Kërkesa për monitorimin e rreptë të zgjedhjeve nga OSBE-ja, që është rishtruar nga përfaqësues të opozitës kosovare, sipas të përditshmes “Kosova sot”, mund t’i përforcojë tonet negative të klimës parazgjedhore.

Në këtë kuptim, gazeta thekson se ende pa u caktuar data e zgjedhjeve, është krijuar një lloj përfytyrimi dyshues për votimet e para në shtetin e pavarur të Kosovës, ku krejtësisht përgjegjës për procesin zgjedhor janë autoritetet vendore.

Tutje, gazeta thekson se paralelisht me nxënien e kësaj atmosfere aspak të këndshme, kërkesa për monitorimin e OSBE-së tingëllon logjike, por çështja bëhet më komplekse kur merren në konsideratë pasojat e mundshme.

Sipas të përditshmes “Kosova Sot”, nëse faktori ndërkombëtar do të përfshihet në zgjedhjet lokale, që janë edhe testi i parë serioz i nivelit që ka mbërritur demokracia kosovare, në pikëpamje të shtetmbajtjes, ky do të ishte një test gjysmë i humbur për politikën kosovare.

Në të përditshmen “Koha ditore” mund të lexohen vlerësimet e gazetës lidhur me gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’i ndihmuar qytetarët që pësuan nga moti i ligë, që përfshiu disa komuna.

Nën titullin “Fatkeqësitë natyrore e gjetën Kosovën pa rezerva shtetërore të mallrave”, gazeta thekson se Qeveria dhe Kuvendi nuk e kanë bërë asnjë hap konkret për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga breshri, duke lënë kështu Komunën e Gjilanit të mendojë për themelimin e fondeve emergjente për të ndihmuar qytetarët, në vend se këto ndihma të vinin nga rezervat shtetërore të mallrave që duhet t’i ketë shteti.

Në këtë kontekst, gazeta thekson se dëmet që u janë shkaktuar rreth shtatë mijë familjeve në Komunën e Gjilanit, nuk i kanë bërë përshtypje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG