Ndërlidhjet

Skepticizmi i pensionistëve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Kriza ekonomike globale, e cila ka prekur Fondin e Kursimeve Pensionale, ka shtyrë bordin e ri të Trustit të Kursimeve që t’ua kompensojë humbjet personave, të cilët janë pensionuar dhe të cilët kanë tërhequr kursimet e veta nga Trusti në shumë më të vogël, sesa që kanë kontribuar. Një vendim i tillë është vlerësuar edhe si i vështirë për t’u zbatuar.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se në aspektin formal është një vendim i mirë dhe i mirëpritur për ata kontribuues që kanë qenë të dëmtuar gjatë kësaj faze.

Por, se a do të mund të zbatohet një vendim i tillë, zoti Dragusha shprehet:

“Unë shumë dyshoj se mund të zbatohet. Ato mjete duhet të merren dika dhe t’u kompensohen këtyre kontribuuesve. Supozoj që ato mjete të merren prej kontributdhënësve të tanishëm, në mënyrë që të ulet ajo shkallë e interesit të tyre, për t’u kompensuar ato apo në ndonjë formë tjetër. Ato janë mjete, të cilat nuk pikin nga qielli për t’iu ndarë këtyre kontributdhënësve“, shprehet zoti Dragusha, duke theksuar se bordi duhet ta ketë anën ligjore dhe të veprojë në pajtim me ligjin.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifaj, thotë se vendimi i bordit të Trustit për kompensim të ndryshimeve në mes të shumës së paguar dhe asaj të kontribuar, ka qenë një vendim i drejtë dhe i duhur.

“Një kërkesë e tillë ka qenë shumë më herët, që në kohën kur pensionistët merrnin kontributet e tyre me humbje, për shkak të krizës globale financiare. Është një sukses edhe i joni për kompensimin e këtyre mjeteve të humbura. Bordi ka bërë një punë të
mirë”,
vlerëson zoti Arifaj.

Në kohën e krizës ekonomike globale, në Trustin e Kursimeve Pensionale ka pasur mungesë të bordit, i cili do të shikonte ecurinë e efekteve të krizës.

Ndërkohë, drejtori i menaxhmentit të Trustit Pensional të Kosovës, Ardian Zalli, sqaron:

“Kemi pasur mungesë të bordit që nuk ka mundur të aktivizohet në këtë kohë; sikur të kishte bord atëherë, do të ishte bërë diçka atëherë. Si shenjë e mirësjelljes apo shenjë e rikuperimit për atë kohë që nuk ka pasur bord, do të kompensohen këta presona”, tha zoti Zalli.

Ndryshe, Bordi drejtues i Trustit të Kursimeve Pensionale ka kërkuar nga personeli operativ që të fillojë procedurën e lajmërimit të përfitueseve nga ky vendim dhe të fillojë me pagesën e kompensimit. Megjithatë, se sa do të jetë vlera e kompensimeve, ende nuk dihet, pasi që thuhet se duhet bërë një analizë më e thellë.
XS
SM
MD
LG