Ndërlidhjet

"Të gjithë me Sejdiun"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës njëzëri vlerësuan vendimin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, për anulimin e vizitës së tij në Maqedoni, duke e cilësuar këtë si një vendim të drejtë karshi lojës që pala maqedonase po i bën presidentit të shtetit të Kosovës. Kjo është hera e parë që vendimet e kreut të shtetit përshëndeten pa dallim si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.... Pas takimit që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar me shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare, është përgjigjur lidhur me anulimin e vizitës së presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Republikën e Maqedonisë... “Ky është vendimi më i drejtë i mundshëm i presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Është vendim i institucioneve të Kosovës dhe si i tillë e ka përkrahjen time të plotë dhe të vullnetit të qytetarëve të Kosovës...”

EPOKA E RE
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shtyrë votimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke e hequr kështu këtë pikë nga rendi i ditës në seancën e së enjtes. Shtyrja e zgjedhjes së Avokatit të Popullit për të enjten e ardhshme është bërë me kërkesë të partive në koalicion. Por kësaj shtyrjeje kanë votuar 98 deputetë, 26 kundër. Përfaqësues të këtyre dy partive politike kanë kërkuar që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës, në mënyrë që të arrihet një konsensus i plotë për njërin prej kandidatëve, i cili do të merrte shumicën e votave. Kërkesën për shtyrjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit e ka iniciuar shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se është konsultuar edhe me shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës...

LAJM
Decentralizimi, i mirë apo i keq, ai që është paraparë sipas Pakos së Ahtisaarit, ka filluar të implementohet përkundër vështirësive që po paraqesin jo vetëm strukturat paralele serbe dhe disa nga organizatat joqeveritare, por edhe nga zyrtarë që vijnë nga partitë kryesore parlamentare. Shembull, kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, edhe më tutje vazhdon të jetë kundër implementimit të këtij procesi në komunën të cilën ai e udhëheq. Mustafa e bën këtë përkundër faktit se vjen nga partia, e cila edhe ose asokohe në opozitë, Partia Demokratike, së bashku me partitë tjera në Parlament, ia dhanë bekimin implementimit të Pakos së Ahtisaarit, e cila përveç rekomandimit për pavarësi, ka edhe procesin e decentralizimit. “Forma që po tentohet të implementohet decentralizimi është për faqe të zezë”, tha Mustafa të enjten për “Lajm”...

KOHA DITORE
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka përzgjedhur Kristofor Villiam Dellin ambasador të këtij vendi në Kosovë, bëjnë të ditura mediat ndërkombëtare, duke iu referuar burimeve zyrtare të Shtëpisë së Bardhë. Në këtë post ai do të zëvendësojë ambasadoren aktuale Tina Kaidanov. Sipas raporteve, të mërkurën mbrëma Administrata amerikane ka prezantuar propozimet për kryediplomatët në disa kryeqytete botërore, në mesin e të cilave bën pjesë dhe Prishtina... “Jam mirënjohës që këta diplomatë të shquar amerikanë kanë ndihmuar që të ndihmojnë përfaqësimin e SHBA-ve dhe forcimin e partneritetit të jashtëm në këtë periudhë kritike për kombin tonë dhe botën”, citohet të ketë deklaruar Obama. Për inaugurimin e këtyre diplomatëve në postet e reja nevojitet edhe konfirmimi i Senatit. Në anën tjetër, zyrtarët e Ambasadës Amerikane nuk i kanë komentuar këto pohime...

INFOPRESS
“Tashmë kemi tre kandidatë dhe njëri nga to do të jetë avokati i popullit. Nuk do të krijojmë ndonjë mundësi që të na sjellin ndonjë të huaj për avokat populli”, thotë Ramë Buja, që ekskluzivisht për “Infopress”, zbulon Sami Kurteshin, kandidatin që do të marrë mbështetjen absolute të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. mes tjerash, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe anëtari i Kryesisë së kësaj partie, rrëfen për sukseset dhe ngecjet e Kuvendit. Në një intervistë për “Infopress”, Buja thotë se shoqëria civile dhe opozita po ekzagjerojnë me kritika...

KOSOVA SOT
Anulimi i vizitës së presidentit Fatmir Sejdiu është një tjetër moment që mund t’i tensionojë raportet mes dy shteteve. Autoritetet maqedonase po e dëshmojnë me forcë orientimin e tyre pro-Beogradit. Kjo është shumë shqetësuese për stabilitetin rajonal dhe sidomos për “multietnicitetin” në sajesën e brishtë shtetërore maqedonase. Në vend që Maqedonia t’u kushtojë më tepër rëndësi raporteve me shqiptarët, duke pasur parasysh se në të dyja anët e kufirit ka dy shtete shqiptare, ajo po ndjek një frymë konfliktuale. Shkupi po mundohet ta injorojë Prishtinën zyrtare dhe, fatmirësisht, kësaj here presidenti Fatmir Sejdiu ka marrë një vendim, që me plotë të drejtë është mbështetur nga të gjithë. Maqedonia po tregon se nuk është një fqinj i mirë, por zevzeke. Megjithatë, Bashkimi Evropian po bëhet gati t’ua heqë vizat shtetasve maqedonas, ndonëse ky shtet nuk arriti të hyjë as në NATO...

EXPRESS
Në ditën e tretë të takimeve me përfaqësues të përhershëm të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ministri Hyseni ka takuar përfaqësuesin e përhershëm të Jordanit në OKB, ambasadorin Mohammed F. Al-Allaf. Ministri Hyseni ka falënderuar ambasadorin jordanez për votën në mbështetje të rezolutës së Organizatës së Konferencës Islamike për Kosovën. Ministri Hyseni po ashtu ka ripërsëritur thirrjen për njohje nga Mbretëria e Jordanit. Ambasadori Al-Allaf, nga ana e tij, është shprehur se çështja e njohjes është çështje kohe, dhe e ka siguruar Ministrin Hyseni se pavarësia e Kosovës “është duke u shqyrtuar seriozisht nga Qeveria e Jordanit”...

ZËRI
Caktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale përfundimisht shtyhet për javën tjetër. Presidenti Fatmir Sejdiu nuk do të zhvillojë sot takimin e tij konsultativ me partitë politike, siç ishte paralajmëruar në fillim të javës. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, tha dje se presidenti Sejdiu nuk do të zhvillojë këtë javë takime tjera me partitë politike, por një takim i tillë do të mbahet javën e ardhshme. Paraprakisht, në kuadër të përgatitjes së procesit të zgjedhjeve, Sejdiu ka zhvilluar një takim të përbashkët me të gjitha partitë politike, më pas i ka takuar ato veç e veç, kurse për fund ishte paralajmëruar edhe një takim i përbashkët, para se Sejdiu të kumtonte datën e mbajtjes së zgjedhjeve komunale... Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë t’i parashtrojnë pikëpamjet dhe preferencat e tyre për zgjedhjet e vjeshtës...
XS
SM
MD
LG