Ndërlidhjet

Obama: Izraeli t’i ndalë ndërtimet

  • RFE /RL

Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se Izraeli duhet t’i ndalë ndërtimet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, si pjesë e marrëveshjes më të gjerë për paqe në Lindjen e Mesme. Duke folur në Zyrën Ovale, bashkë me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, vërejtjet lënë të kuptohet se Obama po merr qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, me shpresë për ta çuar përpara procesin e paqes.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e ka ripërtërirë trysninë ndaj Izraelit rreth nismës së tij paqësore për Lindjen e Mesme, por e hodhi poshtë caktimin e një date për krijimin e shtetit palestinez, duke përmendur këtu presionin politik, me të cilin kryeministri Benjamin Netanjahu përballet nga vija radikale e partnerëve të tij të koalicionit.

Duke u folur gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, Obama tha se ai është mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes me dy shtete, e cila mundëson paqe dhe siguri për izraelitët dhe palestinezët.

President Barak Obama gjatë takimit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas.
“Ne jemi aleatë të vendosur të Izraelit dhe është në interesin tonë të sigurohemi që Izraeli të jetë i sigurt. Besojmë se mënyra më e mirë për ta arritur këtë, është që të krijohen kushtet në terren dhe gjithashtu të bëhet gati skena për shtetin palestinez”,
tha Obama.

Ai tha se për të arritur këtë qëllim, i kishte thënë Netanjahut se Izraeli duhet t’i ndalë ndërtimet dhe zgjerimin e vendbanimeve hebreje në territoret e okupuara palestineze.

“Ajo që i thashë kryeministrit Netanjahu, është se çdo palë ka obligime sipas planit paqësor. Obligimet e Izraelit përfshijnë ndërprerjen e ndërtimeve. Ato parashohin të krijohen kushtet për të pasur një shtet të qëndrueshëm palestinez. Nga ana palestineze është e rëndësishme që të ndërmerren hapa të sigurisë në Bregun Perëndimor, të cilat presidenti Abas tashmë ka filluar t’i ndërmarrë”,
tha presidenti amerikan.

Sidoqoftë, Obama tha se Autoriteti Palestinez duhet të ndërmarrë hapa për t’i ndalur ata të cilët nxitin ndjenja anti-semitiste në Lindjen e Mesme.

“Unë gjithashtu i përmenda presidentit Abas, gjatë diskutimit të sinqertë, se është shumë me rëndësi që të vazhdojë të bëjë përparim në reduktimin e nxitjes dhe ndjenjave anti-semitiste, të cilat disa herë shprehen nëpër shkolla xhami dhe sheshe publike, sepse të gjitha ato janë pengesë për paqen”, tha Obama.

Nga ana e tij, Abas e paralajmëroi presidentin Obama se është “koha thelbësore” për zgjidhjen me dy shtete në krizën e Lindjes së Mesme.

“Zoti President, ju iu referuat përkushtimit ndërkombëtar kur u përcaktuat për planin e paqes. Dua t’u riafirmoj se ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj të gjitha obligimeve tona sipas planit të paqes”, tha Abas.

Autoriteti Palestinez ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve paqësore me Izraelin, derisa ky i fundit nuk i heq të gjitha postblloqet dhe nuk i pezullon të gjitha aktivitetet e ndërtimit.

Megjithëse dallimet politike kanë nxjerrë në pah një plasaritje të rrallë amerikano-izraelite, analistët thonë se mbetet e paqartë se sa larg do të jetë i gatshëm të shkojë Obama për ta shtyrë Izraelin që të bëjë koncesione.

Ajo që ka dalë nga politika e Uashingtonit për Lindjen e Mesme, është se Obama e sheh angazhimin në procesin paqësor si krucial për të riparuar imazhin e Amerikës në botën myslimane dhe për t’i tërhequr shtetet e moderuara arabe në një front të përbashkët kundër Iranit.
XS
SM
MD
LG