Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se dialogu është zgjidhja e vetme për integrimin e këtij komuniteti në institucionet kosovare. Sipas tyre, ky dialog është i mundur, nëse institucionet tregojnë gatishmëri për të.

Dialogu është zgjidhja e vetme, të cilën duhet ta arrijnë institucionet e Kosovës me bashkësinë serbe në Kosovë. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, por, sipas tyre, disponimi i institucioneve të Kosovës për dialog me serbët, më shumë është çështje e retorikës, sesa një orientim thelbësor për t’u realizuar diçka konkrete në këtë drejtim.

Rangjel Nojkiq, njëri nga liderët e serbëve lokalë, thotë se përgjegjësinë për mundësinë e një dialogu me serbët, e mbajnë institucionet e Kosovës.
Dialogu është zgjidhja e vetme dhe kjo nuk kontestohet. Megjithatë, ajo që është kontestuese, është se njerëzit ndryshe flasin, ndërkaq ndryshe është gjendja në terren...

“Dialogu është zgjidhja e vetme dhe kjo nuk kontestohet. Megjithatë, ajo që është kontestuese, është se njerëzit ndryshe flasin, ndërkaq ndryshe është gjendja në terren. Mendoj se përgjegjësinë e kanë institucionet për respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve”, tha Nojkiq.

Nevojën për dialog në mes institucioneve dhe serbëve të Kosovës e thekson edhe Rada Trajkoviq, po ashtu përfaqësuese e bashkësisë serbe në Kosovë. Ajo thotë se kjo varet nga fakti se a janë liderët dhe institucionet të gatshme për dialog të sinqertë.

“Duhet të llogarisim që njerëzit mund të ndryshojnë nëse dëgjojnë kërkesat, të cilat janë civilizuese. Në këtë kuptim, unë mendoj se e gjitha varet nga ajo se sa bashkësia ndërkombëtare ka mekanizma për t’i kontrolluar liderët shqiptarë në Prishtinë, në orientimin e tyre që Kosovën ta bëjnë hapësirë për të gjitha komunitetet që jetojnë aty”, tha Trajkoviq.

Ndërkaq, Rangjel Nojkiq thekson se një nga problemet që shkaktojnë mungesën e dialogut, është fakti se serbët nuk marrin pjesë në institucione.

“Unë këtë nuk e përkrah, sepse mendoj se ata do të duhej të merrnin pjesë në institucionet e të gjitha niveleve, në mënyrë që t’i realizojnë të drejtat e tyre, si dhe disa kushte të tjera. Në atë mënyrë, lehtësisht do të arrihej që të sigurohen përfaqësuesit legjitimë, sepse ata që kanë ardhur sipas sistemit të vendeve të garantuara, ata nuk mund të flasin shumë për kredibilitet. Unë kam qenë vetë në një situatë të tillë dhe ajo është e papranueshme”, deklaroi Nojkiq, duke shtuar se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas tij, kjo do të ishte mënyra më e mirë që serbët t’i mbrojnë interesat e tyre dhe kjo nuk do të nënkuptonte që serbët, të cilët janë pjesëmarrës në institucione, praktikisht e pranojnë statusin e Kosovës, gjegjësisht pavarësinë e saj.

Ai theksoi se dialogu është i arritshëm dhe se kjo duhet të bëhet, por për këtë, sipas tij, nevojitet që të largohen barrierat në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të trimërohen serbët që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës.

Ndryshe, Rada Trajkoviq thekson se për të krijuar një dialog me serbët, institucionet e Kosovës duhet të japin disa garanci.

Rada Trajkoviq
“Duhet të ofrojnë garanci se po hyjmë në një bisedë të hapur dhe se ekziston gatishmëria e tyre për t’u arritur diçka, si dhe garanci nga bashkësia ndërkombëtare, e cila, sa i përket procesit të decentralizimit dhe çështjeve të rëndësisë së veçantë për serbët, kohëve të fundit, është krejtësisht e palëvizshme”,
u shpreh Trajkoviq.


Sidoqoftë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se ekziston një numër i madh i çështjeve, të cilat mund të bisedohen me institucionet e Kosovës, por për t’u arritur një gjë e tillë, fillimisht duhet të zgjidhen disa probleme, siç i quajtën ata, elementare, të cilat thuhet se i bëjnë serbët të mos ndjehen si qytetarë të barabartë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG