Ndërlidhjet

Berisha, Thaçi përurojnë tunelin në Kalimash


Tuneli në Kalimash
Tuneli në Kalimash

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha e Hashim Thaçi, kanë përuruar tunelin në Kalimash, në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, duke u takuar, në mënyrë simbolike, në mes të tunelit.


Vetëm 5 minuta nga mesdita, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nga Thirra, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, prej Kalimashit, janë nisur për të shënuar bashkimin simbolik mes dy vendeve.

I hipur në eskavator, kryeministri Sali Berisha shëmbi murin e fundit të betonit të tunelit Thirre-Kalimash, për t’i shtrënguar më pas dorën homologut të tij, Hashim Thaçi.

Gjithçka ishte pjesë e ceremonisë të jashtëzakonshme, që në rreth dy orë do t’i kushtohej tërësisht këtij momenti historik, siç dhe e konsideruan autoritetet e të dyja vendeve.

Në daljen nga Kalimashi, qytetarë të shumtë ishin mbledhur për të qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të madhe. Personalitete ndërkombëtare asistuan gjithashtu në ceremoni, mbesa e ish-presidentit amerikan, Ajzenhauer, diplomati amerikan i karrierës, i njohur për rolin e tij në çështjen e Kosovës, Uilliam Uolker.

Në daljen publike, me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e konsideroi kryevepër të fushës së ndërtimit tunelin, sikurse dhe autostradën Durrës-Morinë.

“Sot, ne përjetuam këtu realizimin e njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, përjetuam shembjen jo të një muri, por të një mali, përjetuam shembjen jo të një muri, por të pamundësisë. Sot, ne inauguruam së bashku me kryeministrin e Kosovës, me ju zotërinj ministra, zonja kryetare, miq të dashur, tuenlin e Kalimashit, një nga kreyveprat në fushën e ndërtimit në Evropë dhe më gjerë. Ky tunel, para së gjithash, është tuneli i bashkimit të kombit”, tha Berisha.

Për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kjo është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhën.

“Është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Sot është një ditë e madhe dhe me shumë rëndësi edhe për mua personalisht, sepse i nderuari kryeministër ekziston një lidhje shumë e fuqishme në mes të këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës. Janë të shumta dhe të pallogaritshme rastet kur unë dhe bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, në shi, borë e acarë, e bëmë në këmbë këtë rrugë për lirinë e vendit. Dhe, sot, i nderuari kryeministër, Kosova dhe Shqipëria, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra-tjetrës dhe do të afrohen edhe më tepër”, u shpreh Thaçi.

Tuneli Thirre-Kalimash konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në Ballkan - 10 metra i lartë me dy hyrje dhe me gjatësi 5.6 kilometra. Për ndërtimin e tij, “Bechtel-Enka” ka angazhuar 1300 mjete të llojeve të ndryshme, si dhe ka punësuar rreth 3,500 punëtorë.

Tuneli kalon përmes malit të quajtur Qafa e Kumbullës. Ai përbënte në fakt dhe pjesën më të vështirë inxhinierike të autostradës Durrës-Morinë dhe ndërtimi i tij ka kushtuar plot 200 milionë euro.

“Bechtel-Enka” do të merrte në dorë projektin plot tre vjet më parë, pikërisht aksin Rrëshen-Kalimash, ku, krahas tunelit, punimet për të cilin filluan në 2007-ën, parashikohej dhe ndërtimi i 27 urave, prej të cilave sot 25 kanë përfunduar.

Falë autostradës së re, Durrës - Morinë ndahen me 170 kilometra distancë; një korridor që do të krijojë lidhjen më të shkurtër mes Kosovës dhe portit me dalje në Detin Adriatik në Durrës.

Një arterie e rëndësishme kombëtare kryesisht në aspektin ekonomik, që do të përmirësojë ndjeshëm shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, të cilat, siç dhe shkruhej në hyrje të tunelit, do të jenë tashmë bashkë përgjithmonë.
XS
SM
MD
LG