Ndërlidhjet

Të drejtat e fëmijëve në Kosovë


Përderisa në botë sot shënohet Dita e të Drejtave të Fëmijëve, në Kosovë, shumë fëmijë janë të angazhuar me punë, të cilat thuhet se janë në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare.



Shitja e cigareve nëpër rrugët e Prishtinës, për 12 vjeçarin Bedri Hyseni ka domethënien e ndihmës për familjen, por ai nuk është i vetëdijshëm se puna që bën, nënkupton shkelje të të drejtave të tij si fëmijë. Ai thotë se këtë punë e bën gjatë fundjavave, ndonëse, sipas tij, më me dëshirë do të ishte në ndonjë vend tjetër, ku do të mund të dëfrehej si fëmijët tjerë.

“I kam 12 vjet. Shkoj në shkollën ‘Bajram Curri’, në klasën e gjashtë, në Dumnicën e Epërme. Kam dalë të shes cigare. Me ka thënë vëllai që të dal, t’i ndihmoj familjes, të punoj, të nxjerr para. Kam qejf të jem tash duke luajtur me top ose diku tjetër. Por, tash jam këtu. Nuk është mirë që asnjë fëmijë të dalë kështu...”, thotë Bedriu.

Ndërkaq, përditshmëria e vogëlushit 10 vjeç, me përkatësi rome, i cili thotë se e ka emrin Zymer, është mbledhja e kanaqeve të metalta në kontejnerët e mbeturinave, për t’i shitur ato për pak para.
Mbledh kanaqe, ja këtu, nëpër kontejner... Babai nuk mundet, është plak. Edhe nëna ashtu...

“Mbledh kanaqe, ja këtu, nëpër kontejner, pastaj i dërgoj në ‘Tjegullore’ dhe i shes 30 cent për kilogram. Kështu, një paketë ose dy, më tepër nuk mundem... 2 ose 3 euro. Me ato para blej ndonjë gjë dhe i ndihmoj babait, nënës dhe për vete. Babai nuk mundet, është plak. Edhe nëna ashtu. Janë të vjetër”, tregon Zymeri.

Në anën tjetër, Bexhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, thotë se shkelja e të drejtave të fëmijëve është evidente në Kosovë, kur kihet parasysh se një numër i tyre, për shkak të gjendjes materiale, janë të detyruar të punojnë punë që janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.

“Shumë fëmijë të moshës jomadhore, madje edhe ata të klasës së parë dhe të dytë, punojnë në treg, shesin duhan dhe kjo nuk është aq keq sa përfundimi i tyre, ngase shumica e tyre në fund përfundojnë si delikuent”.

“Në radhë të parë, fëmijët janë viktima të prindërve, ngase duke u munduar ta luajnë rolin e prindërve, do të thotë të sigurojnë një ekzistencë për familjet e tyre, ata dalin dhe punojnë punë, të cilat janë në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare. Pra, gjendja e rëndë socio-ekonomike i detyron që këta të dalin dhe të punojnë”,
thotë zoti Shala.

Ai shton se një numër i fëmijëve janë të detyruar të lypin lëmoshë nëpër rrugë, ndërkohë që qëndrimi në rrugë, qoftë për të punuar, qoftë për të lypur, sipas tij, në shumë raste ka shkaktuar largimin e tyre nga shkolla.

Nga shkolla është larguar edhe vogëlushi rom, Zymeri. Ai i shpjegon shkaqet:

“Në shkollë nuk shkoj. Kam qenë, por e kam lënë shkollën... ashtu. Nuk më shkohej, sepse më ngacmonin shqiptarët. Më shajnë, më thonë ‘magjup’ e unë nuk po mundem t’i duroj. Tash unë po mbledh kanaqe dhe... kaq”.

Arsyet e largimit nga shkolla të Zymerit, sipas zotit Shala, janë shkelje të të drejtave të këtij fëmije. Ai vlerëson se sa i përket shkollimit, si e drejtë elementare që duhet ta ketë çdo fëmijë, gjendjen më të vështirë e kanë fëmijët romë.

“Fëmijët romë janë në pozitë shumë të vështirë sa i përket shkollimit, ngase ata e kanë shumë të vështirë t’i fillojnë, t’i vijojnë ose t’i përfundojnë mësimet në gjuhën e tyre amtare. Nuk ka as shkolla të mjaftueshme e as kuadro të mjaftueshme. Nuk ka përpjekje që të sigurohen këto kushte dhe ata janë të detyruar që të shkojnë në gjuhën serbe ose në gjuhën shqipe ose e braktisin fare".

"Është e vërtetë që pjesëtarët e komunitetit rom, duke përfshirë edhe fëmijët e tyre, aktualisht janë kategoria më e diskriminuar në Kosovë”,
thekson zoti Shala.

Sidoqoftë, zoti Shala thotë se që nga viti 1999 nuk është bërë asnjë hulumtim qoftë nga institucionet qeveritare, qoftë nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, lidhur me shkaqet që çojnë drejt shkeljes së të drejtave të fëmijëve.

Ai thotë se qeveria nuk ka ndonjë strategji, që të paktën të zvogëlojë numrin e fëmijëve që bëjnë punë të detyrueshme, për shkak të ambientit socio-ekonomik në të cilin jetojnë.
XS
SM
MD
LG