Ndërlidhjet

Dy anët e kundërta të decentralizimit


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon përgatitjet për të nisur me procesin e decentralizimit, shtohen dhe zërat që e kundërshtojnë atë. Serbët e Kosovës kërkojnë modifikime dhe kundërshtojnë Planin e Ahtisaarit, kurse "Vetëvendosja" thotë se po zhvillon aktivitet të ngjeshur për të kundërshtuar këtë proces.


Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar sërish procesin e decentralizimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin fare në zgjedhje, pasi që me zgjedhjet e ardhshme thuhet se do të legjitimohej ky proces.

Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur, sipas “Vetëvendosjes”, vazhdimi i decentralizimit do të nënkuptonte një proces që është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

Njëri nga aktivistët e kësaj lëvizjeje, Hysen Durmishi, tha se vazhdimi i decentralizimit në Kosovë, pa vullnetin e qytetarëve, mund të nxisë konflikte dhe tensione. Me këtë rast, “Vetëvendosje” ka bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve dhe mosbashkëpunim të qytetarëve në lidhje me decentralizimin.
Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën, ta zbatosh decentralizimin do të thotë të punosh për interesa të Serbisë dhe jo për Kosovën...

“Na thanë së decentralizimi është çmimi për pavarësi. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën, ta zbatosh decentralizimin do të thotë të punosh për interesa të Serbisë dhe jo për Kosovën”.

“Ne u bëjmë thirrje të mos dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale, të gjithë qytetarëve të Kosovës, për shkak se dalja në zgjedhjet e ardhshme lokale nënkupton legjitimim dhe legalizim të projektit të decentralizimit”,
tha Hysen Durmishi, aktivist i “Vetëvendosjes”, gjatë një konference për media, ku u kundërshtua decentralizimi në Komunën e Novobërdës.

Qeveria e Kosovës
Por, ndryshe mendon zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Shpend Tërdeva, i cili thotë se zgjedhjet assesi nuk duhet të ndërlidhen me procesin e decentralizimit.

“Procesi zgjedhor nuk ka të bëjë me komunat e reja; është një proces normal, për të cilin presim për pak kohë vendimin e presidentit të Kosovës”, tha Tërdeva.

Institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me praninë civile ndërkombëtare, po i vazhdojnë përpjekjet për të nisur decentralizimin, i cili në fund do të rezultonte me pesë plus një komuna të reja me shumicë serbe.

Mirëpo, nuk është vetëm “Vetëvendosja” që e kundërshton këtë proces. Pavarësisht se decentralizimi besohet se zhvillohet në radhë të parë për interesat e serbëve të Kosovës, një pjesë e këtij komuniteti e kundërshton atë në formën se si po zhvillohet.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se decentralizimit sipas Planit të Ahtisaarit, është i papranueshëm. Por, ai e pranon se ky proces do të ishte shumë i rëndësishëm për serbët, pavarësisht se nuk pajtohet me planet aktuale.

“Numri i komunave dhe kufijtë e tyre në këtë moment nuk janë adekuatë, ngase ka edhe vise tjera, në të cilat shumicën e përbën komuniteti serb”, theksoi Veliq, si vërejtje ndaj përpjekjeve aktuale të Qeverisë së Kosovës për decentralizimin.
Numri i komunave dhe kufijtë e tyre në këtë moment nuk janë adekuatë, ngase ka edhe vise tjera, në të cilat shumicën e përbën komuniteti serb...

Sipas tij, ky proces do të ishte i qëndrueshëm vetëm nëse shqiptarët dhe ndërkombëtarët i marrin parasysh kërkesat dhe interesat e serbëve.

“Ajo, për çka angazhohemi ne, është dialogu si me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, ashtu edhe me shqiptarët, për modifikimin e këtij plani, që nënkupton sigurimin e mekanizmave për mbijetesën politike e ekonomike të këtyre komunave”, tha Veliq.

Sipas Planit të Ahtisaarit, i pranuar nga institucionet e Kosovës dhe kundërshtuar nga pjesa më e madhe e subjekteve politike serbe, decentralizimi sjell formimin e komunave të Graçanicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit, komunës së Mitrovicës Veriore si dhe zgjerimin e asaj të Novobërdës. Në këto komuna, shumicën do ta përbënin serbët.

Sipas Planit të Ahtisaarit, për tri vjet, Kosova do të kishte 38 komuna; prej tyre - dhjetë me shumicë serbe, një me shumicë turke dhe të tjerat me shumicë shqiptare.
XS
SM
MD
LG