Ndërlidhjet

logo-print

Ekspertët për çështje ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve kosovare konsiderojnë se autostrada Durrës - Kukës - Morinë, do të ketë një rëndësi të veçantë ekonomike, si dhe do të nxisë investime të huaja.


Autostrada Durrës-Kukës-Morinë do të jetë gjysmake, nëse edhe Kosova nuk kryen punën e saj deri në fund - ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Prishtinë.

Eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, duke e konsideruar si një projekt madhor dhe të një rëndësie të veçantë, pohon se me përfundimin e punimeve të kësaj autostrade, do të ngrihet atraktiviteti i Kosovës dhe i Shqipërisë për forma të avancuara të biznesit ndërkombëtar.

Megjithatë, zoti Gërxhaliu thotë se nuk duhet të ketë një dozë të madhe optimizmi në këtë drejtim. Ai thotë se para se të finalizohet projekti madhor, duhet të detajizohen dhe të zgjidhen disa çështje teknike.

“Këmbimi tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është më tepër këmbim i dy kompanive të dy vendeve, nëse analizohet aspekti kuantitativ i këmbimit dhe në këtë drejtim, si duket, është një segment, i cili e ngadalëson këtë proces të bashkëpunimit në raport të komunitetit të biznesit Kosovë-Shqipëri”, tha zoti Gërxhaliu.

Një çështje tjetër që duhet të zgjidhet me insistim të dy qeverive, sipas zotit Gërxhaliu, është krijimi i kushteve më të mira për bizneset kosovare, të cilat veprimtarinë e tyre dëshirojnë ta zhvillojnë në Shqipëri.

“Bizneset e Shqipërisë janë më se të mirëseardhura dhe kanë një hapësirë të lirë të manovrimit profesional, derisa për kompanitë kosovare, Shqipëria nuk është mjaft mikpritëse. Deri më tani, asnjë biznes kosovar nuk ka arritur të krijojë qëndrueshmëri dhe stabilitet atje”, tha zoti Gërxhaliu.

Edhe kryetari i Institutit Riinvest, Muhamet Mustafa, pohon se autostrada Durrës-Kukës-Morinë është një projekt i rëndësishëm, pasi, siç thotë ai, kompenson ngecjet e Kosovës dhe Shqipërisë në integrimin e tyre në korridoret evropiane.

“Për të gjitha vendet, por sidomos për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për Evropën jugore dhe qendrore, krijon një lidhje më të shkurtër dhe më racionale. Do të ndikojë në uljen e kostos së transportit, por do të ketë edhe efekte anësore në rritjen e prodhimit bujqësor, në rritjen e turizmit, në zhvillimin e porteve në Shqipëri”,
vlerësoi profesor Mustafa.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se hapja e tunelit të Kalimashit është një kryevepër për zhvillimin e ekonomive të të dyja vendeve, duke përfshirë qarkullimin e njerëzve, rritjen e turizmit dhe rritjen e mallrave që kalojnë transit përmes Kosovës.

“Deri sot, Kosova ka qenë një vend i izoluar në kuptimin e daljes në det. Tash, Kosova ka dalje në det me një infrastrukturë shumë bashkëkohore. Tash, Kosova ka edhe portin, i cili i është premtuar dhe këto potenciale duhet të shfrytëzohen që të kemi rritje të ekonomisë”, u shpreh Shahini.

Zoti Shahini thotë se institucionet e Kosovës duhet të përgatisin infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe të ngrenë nivelin e menaxhimit të kufijve dhe të shërbimeve, që kërkohen për mallrat që mund të jenë mallra transite.

“Hapja e autostradës së Shqipërisë është gjysmake nëse nuk hapet edhe autostrada e Kosovës. Prandaj, investitorëve të huaj do t’u jepet një mundësi më e mirë nëse kjo rrugë do të lidhë korridorin 8 dhe 10”, tha zoti Shahini.

Ndryshe, Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, punimet pritet t’i përfundojë gjatë këtij muaji, ndërkohë dje është bërë hapja e tunelit të Kalimashit nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG