Ndërlidhjet

"'Loja' me pasaportat e Republikës së Kosovës"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Sinjale nga Greqia, El Salvadori dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore. El Salvadori ka dhënë garanci se menjëherë pas inaugurimit presidencial, më 1 qershor, do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër, në takimin dyditor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve Amerikane, që mbahet të martën dhe të merkurën në Honduras, pritet që një grup shtetesh të Amerikës Jugore ta deklarojnë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që sinjale për njohjen e Kosovës shtet ka dhënë edhe Greqia. Një valë njohjesh pritet të ndodhë gjatë muajit qershor. “Kosova po gëzon mbështetje të fuqishme ndërkombëtare në shtet-ndërtimin e saj, për çka në ditët e ardhshme priten njohje të reja”, tha presidenti Fatmir Sejdiu, të hënën...

KOHA DITORE
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë kufizuar në kundërshtim paqësor të “ndarjes etnike” të vendit, siç e quajnë ata decentralizimin e komunave të Kosovës. Në një konferencë të organizuar, të hënën, për media, për të kundërshtuar decentralizimin në Komunën e Artanës, aktivistët e kësaj organizate e kanë hedhur poshtë çdo mundësi të kundërshtimit të këtij procesi me metoda jopaqësore. Ndonëse, në njërën anë, janë zotuar se nuk do ta pranojnë kurrsesi decentralizimin, ndërsa, në anën tjetër, e kanë hedhur poshtë kundërshtimin me forcë të zbatimit të tij, ata nuk kanë mundur të tregonin ndonjë alternativë se si do të arrinin ta pengonin ndarjen në “vija etnike” të vendit. “Hapat që do t’i ndërmarrë Lëvizja Vetëvendosje janë hapa krejtësisht paqësorë. Ne do ta pengojmë implementimin në terren të decentralizimit”, ka thënë aktivisti Hysen Durmishi...

INFOPRESS
Autoritetet në Prishtinë kanë ripërsëritur disa herë se nga ana e Prishtinës nuk do të ketë ftohje të relacioneve me Shkupin zyrtar. Një gjë të tillë e ka thënë edhe të hënën në Prishtinë presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu. Ai ka pohuar se marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni janë normale dhe se nuk ka ndonjë tendencë për prishje të këtyre relacioneve. Sejdiu nuk ka dashur të komentojë edhe një herë anulimin e vizitës së tij në Maqedoni, duke thënë se ka dhënë më parë arsyet për një gjë të tillë dhe se gjithçka që ka pasur të thotë, e ka thënë. Por, siç është shprehur ai, edhe pas anulimit të kësaj vizite, nuk është vërejtur se do të ketë prishje të marrëdhënieve ndër-fqinjësore mes Prishtinës dhe Shkupit. “Kosova do të vazhdojë normalisht raportet që ka me Maqedoninë. Anulimi i vizitës në Maqedoni nuk do të jetë arsye e prishjes së marrëdhënieve me shtetin fqinj”, është shprehur kreu i vendit, Fatmir Sejdiu...

KOSOVA SOT
Projektligji i ri për mbrojtjen e ambientit, i hartuar nga Ministria e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor, ka marrë pëlqimin e Qeverisë. Mirëpo, ambientalistët janë skeptikë se situata në terren do të ndryshojë, pasi, sipas tyre, problemet me ambientin Qeveria e Kosovës nuk po i merr seriozisht. Ndërkaq, ndotja e ajrit vetëm në Prishtinë është 18 herë mbi normat e lejuara... Ambientalistët adresojnë kritikat e tyre në Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk e ka marrë seriozisht asnjëherë deri më tash çështjen e faktorëve që e ndotin ambientin. Luan Shllaku, ambientalit, thotë se shumë mirë dihet se ku janë problemet, mirëpo nuk i zgjidhim ato. “Deri më tash, të gjitha qeveritë, suksesin e tyre e shihnin që po i bëjnë ligjet në letra, kurse në praktikë nuk ka projekte. Ne në letra kemi bërë ligjin, kemi bërë strategji, të cilat do të duhej t’u hapnin rrugë projekteve të mëdha, por askush deri më tash nuk e ka marrë në dorë një projekt të vetëm serioz që do të ndryshonte situatën”, thotë Shllaku...

EXPRESS
Të dielën, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa përuronte hapjen e tunelit të Kalimashit, premtoi se do ta vazhdojë projektin e homologut të tij, Sali Berisha, deri në kufi me Serbinë. Megjithatë, derisa Shqipëria në fund të këtij muaji do ta lëshojë në qarkullim autostradën Durrës-Morinë, autostrada në pjesën e Kosovës ende është në letër. Dy vëllimet me detajet e projektit ka dy vjet që rrinë në sirtarët e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës... Zyrtarë të kësaj ministrie ende nuk e dinë saktësisht nga do të kalojë traseja e autostradës. Sipas projektit të hartuar, ajo duhet të kalojë nëpër tetë komuna dhe 66 zona kadastrale, në gjatësi prej 118 kilometrash. Me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë... Ky projekt, sipas MTPT-së, ka nevojë për disa intervenime, për t’i evituar shpenzimet e larta në disa pjesë. Nëse i përmbahet këtij projekti, segmenti i parë i autostradës, do të duhej të fillonte nga Vërmica në kufi me Shqipëri, nëpër fshatin Zhur, përskaj qytetit të Prizrenit dhe do të përfundonte në Suharekë. Kjo pjesë, që është ndarë si “Seksioni A”, ka 22.5 kilometra autostradë, e cila shkon larg rrugës aktuale, thotë zëvendësministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Adem Grabovci...

ZËRI
Ndonëse zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me rastin e lëshimit të pasaportave të para të Republikës së Kosovës, kishin thënë se ato pasaporta janë me standardet më të larta ndërkombëtare, tani, pas një viti, ata deklarojnë se nga qershori i 2010-ës, qytetarët e vendit duhet të pajisen me pasaporta të reja, pra me ato biometrike. Ish-zyrtarë të lartë të kësaj ministrie kanë thënë se ata e kanë pasur projektin, i cili parashikonte që katër muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, konkretisht në ditën 121 pas pavarësisë, MPB-ja të fillojë me lëshimin e pasaportave biometrike. Sipas tyre, kjo ministri jo vetëm që kishte hartuar projektin, por kishte siguruar edhe mjetet për realizimin e këtij projekti. Por, zyrtarët aktualë të MPB-së thonë se ata kur kanë ardhur në krye të këtij dikasteri, nuk kanë gjetur as edhe një dokument që ka të bëjë me dhënien e pasaportave biometrike...

BOTA SOT
Zyrtarë të Aleancës Kosova e Re kërkuan nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që sa më shpejt të caktojë datën e zgjedhjeve, për faktin se caktimi i datës do t’u jepte mundësi partive që të fillojnë përgatitjet teknike për zgjedhjet lokale, e në veçanti KQZ-së për organizimin dhe menaxhimin e tyre. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, duke pasur parasysh manipulimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara me votën e qytetarëve, kërkoi që zgjedhjet e sivjetme, përveç monitorimit të zgjedhjeve nga ana e ndërkombëtarëve dhe vendorëve, ne secilin vendvotim të instalohen kamerat që do të regjistrojnë gjithë procesin zgjedhor. “Gjatë zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2007, ne nuk kemi pasur anëtarë në këshilla të vendvotimeve, por disa nga vëzhguesit tanë janë keqtrajtuar dhe janë larguar detyrimisht më forcë nga vendvotimet. Gjithsesi manipulimi me vota ka ndodhur nga ana e këshillave të vendvotimeve që përbëhen nga përfaqësues të subjekteve politike”, tha Makolli...

EPOKA E RE
Një gjë është e sigurt. Pavarësisht se Lidhja Demokratike e Kosovës as që e mendon prishjen e koalicionit me PDK-në, aty, nga ata që i kanë humbur postet e mëparshme apo që nuk kanë fituar çfarë kanë synuar, zihet dëshira e prishjes së koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës. Në njërën anë është nënkryetari karizmatik, Eqrem Kryeziu, i cili i mbetet besnik vendimit për të lidhur marrëveshje me Thaçin. Pas tij, në mbështetje të këtij qëndrimi rreshtohen edhe ministrat, të cilët pas kanë edhe kryetarin Fatmir Sejdiu. Nevojën për ta vazhduar bashkëjetesën me PDK-në, Kryeziu e arsyeton si çështje të interesit të Kosovës, e cila, sipas tij, ka nevojë për qeveri stabile... Ditë më parë, shefi i Burimit, derivonë bastion i LDK-së, Fadil Ferati, shprehu haptas për “Epokën e re” qëndrimin e tij kundër vazhdimit të bashkëqeverisjes me partinë, të cilën e ka cilësuar kundërshtaren më të fuqishme politike. Largimin nga koalicioni me PDK-në e rekomandon edhe Melihate Tërmkolli, ish-ministre në Qeverinë e kaluar...
XS
SM
MD
LG