Ndërlidhjet

logo-print

Obama përballë botës islame

  • RFE /RL

Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

Presidenti amerikan, Barak Obama, do ta mbajë fjalimin e tij të shumëpritur për botën islame të enjten, më 4 qershor, në Kajro të Egjiptit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se Obama do ta theksojë përkushtimin e tij personal për t’i përmirësuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me myslimanët. Të tjerët sugjerojnë se ai do të flasë për çështje të vështira, si ekstremizmi i dhunshëm islamik, aspiratat bërthamore të Iranit dhe konflikti izraelito-palestinez.

- - - - - - - - - -

Obama e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara duan t’u shtrijnë dorën myslimanëve në mbarë botën me “gjuhën e respektit”. Por, pritjet nga fjalimi i tij në botën islame, janë të përziera.

Imad Jad është analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Politike, Al Ahram, në Kajro.

“Pritet shumë që vizita e presidentit Obama të hapë një faqe të re të marrëdhënieve me botën arabe dhe islamike. Përmes fjalimit të tij, gjithashtu pritet që presidenti Obama të ofrojë një vizion të qartë lidhur me pajtimin dhe të pushojë së përdoruri terminologji si ‘lufta kundër terrorit’. Gjithashtu pritet që ai të ofrojë një vizion të qartë për zgjidhje politike të çështjes palestineze, e cila konsiderohet thelbi i konfliktit në Lindjen e Mesme”, thotë analisti Jad.

Obama thotë se marrëdhëniet e Amerikës me botën islamike nuk mund të shihen përmes prizmit të vetëm një çështjeje, si p.sh. konflikti izraelito-palestinez. Realiteti, thotë ai, është përzierje shumë më e ndërlikuar me çështjet që përfshijnë Iranin, Sirinë, Libanin, Afganistanin dhe Pakistanin.

Megjithatë, Obama i ka rritur pritjet për paqen në Lindjen e Mesme, me thirrjen që i bëri Izraelit për t’i ndalur të gjitha aktivitetet e ndërtimit në territorin e pushtuar palestinez.

Deri tash, ky pozicion është hedhur poshtë nga kryeministri Benjamin Netanjahu.

Shumë liderë arabë thonë se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez është çelësi për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet botës islame dhe Shteteve të Bashkuara.

Por, ekspertët në botën arabe tërheqin vërejtjen se disa udhëheqës arabë e përdorin këtë çështje për të shpërqendruar vëmendjen nga “deficiti i demokracisë” dhe problemet e brendshme politike në vendet e tyre.

Mustafa Akyol, komentator në të përditshmen turke Hyrriet, thotë se për Obamën do të jetë sfidë që t’i ndryshojë pikëpamjet nga vitet e administratës Bush.

“Çështja është se kur myslimanët pyeten për të drejtat e njeriut dhe deficitin e demokracisë, ata thonë: ‘Po, ndoshta ky është problem’, dhe pastaj fillojnë t’i vënë në pikëpyetje politikat e jashtme të Perëndimit, sidomos të Shteteve të Bashkuara, si p.sh. luftën në Irak, kolapsin e procesit paqësor në Lindjen e Mesme dhe raportet për torturat në qendrat ushtarake të paraburgimit”, thotë Akyol.

Blake Hounshell, botues i revistës ‘Foreign Policy’ (Politika e Jashtme) në Uashington, është arabfolës, i cili ka jetuar me vite në Lindjen e Mesme.

“Ky është njëri nga fjalimet më të vështira që Obama i ka mbajtur deri sot. Sfida e tij do të jetë që t’i mbajë të ulëta pritjet për paqen në Lindjen e Mesme dhe përhapjen e demokracisë, ndërsa, nga ana tjetër, të tregojë se ai nuk është vetëm edhe një Bush tjetër. Në rajon ka shumë cinizëm. Analistët thonë se ai është vetëm një Bush tjetër dhe do t’i bëjë gjërat e njëjta me fasadë tjetër. Ai do të duhet t’i marrë liderët e rajonit, të cilët janë pothuaj të gjithë diktatorë, që Lindjen e Mesme ta largojnë nga një vend shumë i errët që është sot”, pohon Hounshell.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG