Ndërlidhjet

Presidenti Fatmir Sejdiu pritet të vendosë shumë shpejt për datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Nga Presidenca bëhet e ditur se java e fundit e tetorit ose e para e nëntorit, do të jetë koha kur do të mund të mbahen këto zgjedhje.


Presidenti Fatmir Sejdiu pritet që brenda kësaj jave të mbajë takimin e fundit me partitë politike, pas të cilit pritet të publikojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Por, deri më tani, sipas zëdhënësit të presidentit, Xhavit Beqiri, ende nuk është vendosur për datën e këtyre zgjedhjeve.

“Jo, ende nuk është vendosur data e zgjedhjeve lokale. Presidenti Sejdiu, siç e dini, ka mbaruar takimet me të gjitha subjektet politike veç e veç; ai, gjatë kësaj jave, pritet të ketë edhe një takim të përbashkët me të gjitha subjektet politike, që janë të regjistruara në KQZ, dhe vetëm atëherë mund të presim saktësimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Beqiri.

Nisur nga të gjitha takimet e zhvilluara mes presidentit dhe krerëve të partive politike, zoti Beqiri thotë se nuk vërehen kundërshtime të mëdha për përcaktimin e datës.

“Shumica e partive politike parapëlqejnë që zgjedhjet të mbahen diku në pjesën e dytë të tetorit ose në fillim të nëntorit, kështu që nuk janë larg sa i përket datës”, deklaroi Beqiri.

Por, përfaqësuesit e partive politike opozitare konsiderojnë se tash është koha që të publikohet data e mbajtjes së zgjedhjeve. Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se vonesat e mëtutjeshme do të kenë edhe pasoja.

Ligjvënësit kosovarë
“Çdo moment i përcaktimit të datës së zgjedhjeve ndikon ne largimin e subjekteve politike nga njëra-tjetra. Ne mendojmë se është totalisht e panevojshme që të shtyhet më. Mendojmë që duhet të jetë pjesa e dytë e tetorit, në mënyrë që të mos arrijmë në dhjetor në balotazh”,
u shpreh Gjini.


Edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, pohon se partia, së cilës i takon, preferon që zgjedhjet të mbahen në muajin tetor.

“Kërkesat e shumicës së partive politike janë që zgjedhjet të mbahen në muajin tetor, me arsye shumë të fuqishme të motit që mbretëron në Kosovë, për shkak edhe të asaj që në zgjedhjet e fundit kanë dalë shumë pak në zgjedhje. Unë mendoj që jo vetëm partitë politike në opozitë, por më shumë ato që janë në mazhorancë duhet të mendojnë për këtë çështje. Duhet t’i stimulojnë qytetarët e Kosovës dhe t’u ofrohen kushtet e mundshme që ata të dalin në zgjedhje”, tha Gaxherri.

Ndryshe nga partitë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, nuk ka ndonjë datë të preferuar për mbajtjen e zgjedhjeve. Vehbi Miftari, zëdhënës i kësaj partie, thotë:

“Si subjekt politik kërkojmë respektimin e normave kushtetuese dhe ligjore, parapëlqejmë që zgjedhjet të mbahen brenda afateve ligjore. Nuk kemi ndonjë datë të përcaktuar të veçantë. Konsiderojmë që edhe qëndrimet e partive politike janë të përafërta, nuk ka dallime të mëdha. Ne lutemi që presidenti, konform përgjegjësive kushtetuese që ka, të mbërrijë një konsensus të shpejtë me subjektet politike”, theksoi Miftari.

Ndryshe, mediat, së fundi, kanë raportuar se presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, tashmë ka vendosur për datën e zgjedhjeve, por një gjë e tillë është mohuar nga kabineti i presidentit.

Sido që të jetë, zgjedhjet e ardhshme lokale organizohen për herë të parë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Partitë opozitare kanë thënë se në organizimin e zgjedhjeve do të duhej të përfshihej edhe bashkësia ndërkombëtare, pasi që, sipas tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka kapacitete të mjaftueshme për organizimin e tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG