Ndërlidhjet

"Doganat sërish në shënjestër"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Të ashtuquajturit përfaqësues të komunave serbe në veri të Kosovës dhe afaristët serbë kanë formuar të martën në Zveçan një shtab të krizës, duke kundërshtuar rritjen e masave të kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 nga doganierët e EULEX-it. Sipas përfaqësuesve të komunave të Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, “EULEX-i është në shërbim të formimit të organeve të shtetit të papranuar të Kosovës me vendosjen e doganave Brnjak dhe Jarinje në veri”. Në takimin e mbajtur në Zveçan, përfaqësuesit e këtyre komunave dhe afaristët thuhet se kanë formuar shtabin e krizës dhe kanë vendosur që të mërkurën (sot) për gjysmë ore të bëjnë “bllokadën seleksionuese” për doganat e EULEX-it në Leposaviq dhe në Zubin Potok...

INFOPRESS
Një top nga ekipi i famshëm italian i futbollit Milan, me nënshkrimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është dhuruar 5-vjeçarit të quajtur Milan Spasiq nga fshati Palaj i Komunës së Kastriotit. Me pjesëmarrjen e tij në inaugurimin e punimeve për rindërtimin e shtëpisë së familjes Spasiq, të kthyer vite më parë në Kosovë, kryeministri Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri për Kthim e Komunitete, Sasha Rashiq, i kanë uruar kësaj familjeje serbe qëndrim të mirë në Republikën e Kosovës... “Është familje e kthyer për të jetuar në Kosovë, në një shtëpi të re që sapo filluam, e që besoj se shumë shpejt do të përfundojë me investime të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këto investime nuk do të ndalen, përkundrazi, do të rriten”, është shprehur kryeministri Thaçi...

KOSOVA SOT
Partitë politike opozitare kërkojnë nga krerët e Komisionit Qendror Zgjedhor që gjatë përgatitjes së procesit zgjedhor të punojnë në mënyrë të paanshme ndaj subjekteve politike, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira, korrekte dhe demokratike, por thonë se nuk e kanë “lehtë t’u besojnë krerëve të rinj të KQZ-së”, pasi ata janë vendosur në ato pozita nga koalicioni qeverisës PDK-LDK. Aleanca Kosova e Re thotë se kjo parti është e shqetësuar lidhur me mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve lokale, andaj kërkon nga KQZ-ja që të kryejë punën e vet sipas ligjit. Njëri nga nënkryetarët e kësaj partie, Ibrahim Makolli, ka thënë për “Kosova sot” se AKR-ja kërkon nga dy të zgjedhurit në krye të KQZ-së që të respektojnë ligjin dhe të veprojnë në mënyrë të paanshme ndaj subjekteve politike...

EXPRESS
Autoriteti i certifikuesit të rezultateve të zgjedhjeve i është shtuar problemeve të deritashme në debatet politike që kanë përcjellë përgatitjet për votimet e reja në nivel komunal. Opozita kërkon prani ndërkombëtare në certifikimin e rezultateve. Kërkesa ka lindur në interpretimin juridik që opozita u bën dy dokumenteve të rëndësishme - Pakos së Ahtisaarit dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë. Duke pasur supremacinë mbi çdo dokument vendor, Pakoja e Presidentit Ahtisaari, në Nenin 11.1, thotë se “zgjedhjet do të kërkojnë certifikimin nga një autoritet kompetent ndërkombëtar, për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare”. Por, hartuesit dhe miratuesit e Ligjit për Zgjedhjet përgjegjësinë e certifikimit të zgjedhjeve ia kanë lënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Neni 6), një organ i cili përbëhet vetëm nga anëtarë vendorë, përfaqësues të partive politike me një gjykatës në krye të tij. Blerim Shala, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, thotë se gjetja e një organi ndërkombëtar për certifikim të zgjedhjeve është çështje që as duhet të vihet në diskutim...

ZËRI
1 nëntori i vitit 2009, apo e diela e parë e muajit të parafundit të këtij viti, duket të jetë data e preferuar e Fatmir Sejdiut, kryetarit të Kosovës, dhe e koalicionit PDK-LDK për organizimin e zgjedhjeve lokale, të parat në shtetin e Kosovës – mëson gazeta “Zëri” prej burimeve të afërta me Presidencën e Kosovës. Kryetari Sejdiu, megjithatë, në paraqitjet e tij të fundit mediatike, ka theksuar që në ditët vijuese të kësaj jave do ta bëjë të ditur vendimin tij, pasi që të jetë konsultuar me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe pas një takimi tjetër me përfaqësuesit e të gjitha partive relevante në Kosovë. Sipas të gjitha gjasave, jo më vonë se këtë të premte, më 5 qershor, partitë dhe qytetarët (votuesit) e Kosovës do të marrin vesh se kur do të votojnë për kryetarët e komunave të Kosovës dhe për anëtarët e kuvendeve komunale...

BOTA SOT
KQZ-ja duhet të përgatisë një proces zgjedhor korrekt dhe të ndershëm, i tha presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, znj.Nesrin Lushta, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe z. Xhemajl Peqani, kryeshef i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, me të cilët bisedoi të martën për përgatitjen që po bëhen për zgjedhjet e sivjetme lokale. “Presidenti Sejdiu kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëhet gjithçka që është e mundur për të përgatitur një proces zgjedhor korrekt dhe të ndershëm, i cili do t’u garantonte qytetarëve sigurinë e votës së tyre”, bën të ditur zyra për informim e Presidencës. Presidenti Sejdiu shprehu përkrahjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës për KQZ-në, sidomos në këtë proces zgjedhor. Ai ritheksoi se shumë shpejt do të takohet me përfaqësuesit e partive politike, që të arrihet ujdia për datën e zgjedhjeve lokale. Për datën e zgjedhjeve lokale ende nuk ka konsensus, pasi disa parti opozitare kanë kërkuar që ato të mbahen në tetor, ndërsa LDK-ja ka kërkuar të mbetet nëntori...

EPOKA E RE
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ia ka përcjellë homologut të tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, mesazhin e qartë se Kosova tashmë është e pavarur dhe se mbështetja e vendeve fqinje duhet marrë në karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë diplomatik e politik, në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë. Takimi ndërmjet presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe homologut të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ishte bërë me kërkesë të këtij të fundit, i cili po kalonte transit në Shqipëri, për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturore në Evropën Juglindore... “Kreu i shtetit shqiptar ka nënvizuar faktin se tashmë Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumetnik dhe se mbështetja e vendeve fqinje duhet marrë karakterin e partneritetit reciprok...

LAJM
Kuvendi i Kosovës do të provojë sërish të enjten të zgjedhë Avokatin e Popullit. Pas më shumë se tre vjetësh përpjekje të dështuara, partitë në koalicionin qeverisës i kanë edhe 48 orë kohë që të dakordohen lidhur me zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve më të poentuar nga paneli intervistues, pas konkursit të pestë me radhë. Të martën, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që ta caktojë për të enjten seancën e veçantë të Kuvendit, ku do të votohet për zgjedhjen e Ombudspersonit. Kryetari Jakup Krasniqi u shpreh i bindur se çështja e Avokatit të Popullit do të përfundojë në këtë seancë. Këtë besim e ka mbështetur në bisedat që ka zhvilluar me shefat e grupeve parlamentare, prej të cilëve ka marrë përkushtimin për qasje serioze për këtë çështje. Mirëpo, Krasniqi tha se ende nuk është arritur konsensusi mes subjekteve politike për zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve. Sipas tij, do të jenë deputetët ata që do të vendosin për kë do të votojnë...
XS
SM
MD
LG