Ndërlidhjet

Analistët: Fushata - një polemikë normale politike


Duke u shprehur për fushatën e deritashme zgjedhore në Shqipëri, analistët mendojnë se ishte një polemikë normale politike. Sipas tyre, tashmë, çështja e pasjisjes me karta identiteti nuk i rrezikon zgjedhjet.


Në një kohë kur partitë duket ta kenë marrë seriozisht debatin mbi pajisjen e shtetasve me karta identiteti, ajo çfarë shohin analistët, është një polemikë normale politike. Polemika që duket në të dyja rastet në akuza dhe kundërakuza, nuk ka servuar fakte të forta që të mund të sjellin si pasojë zgjedhje pa standarde dhe manipulim të parapërgatitur të procesit.

Analisti Henri Çili thotë se shifra e shtetasve që kanë marrë deri tani karta, e ka tejkaluar pragun kritik, që të mund të sillte dështimin e procesit për këtë shkak.

“Në demokraci, më mirë një alarm i kotë, sesa një alarm i vonuar. Hapësira publike ka karakter preventiv, pra parandalues. Në këtë pikëpamje, unë e mirëkuptoj debatin që ngre Partia Socialiste, edhe nëse ai është i ekzagjeruar. Ajo që duhet thënë, është fakti se është e kritikueshme, qartësisht e kritikueshme, lënia e çështjes së kartave për në gjashtëmujorin e fundit të mandatit. Mjafton të kishte filluar një gjashtëmujor më parë”.

“A mund t’i vë kjo në rrezik zgjedhjet? Shpresoj jo. Gjithsesi, numri kritik i njerëzve që kanë pasaporta dhe karta, ka kapërcyer, dhe shumë prej atyre që nuk kanë - ose ndoshta nuk kanë dëshirë të votojnë, ose nuk janë në Shqipëri, ose gjenden në një pamundësi të caktuar për të mos votuar. Në këtë pikëpamje, mendoj që numri kritik i zgjedhësve për të pasur votime të drejta dhe të barabarta, është i kaluar”,
theksoi Çili.

Analisti Andi Bejtja thotë se në asnjë rast ky debat nuk duhet të sillte shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Një opsion që po serviret jo zyrtarisht nga qarqe politike, duke e lidhur këtë me ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit - shtyrja do të ishte katastrofike për vendin, thotë Bejtja.

“Është e kotë të hyjmë ne debate teknike dhe ne të mundohemi të japim se kush ka të drejtë – kjo palë ose ajo palë. Ajo që duhet të nënvizohet, është fakti që të dyja forcat politike e bënë vetë këtë infrastrukturë parazgjedhore, siç hartuan kodin elektoral po vetë. U takon të dyja palëve të dalin nga situata”.

“Unë, personalisht, mendoj që nuk është çështje që lidhet me tendencën apo lidhet me një forcë apo tjetrën, pasi që nuk dua të besoj se Shqipëria e 2009-ës, pas anëtarësimit në NATO, të ketë forca që tentojnë të bëjnë këtë gjë. Mendoj se është një debat që duhet ta zgjidhin po këto dy forca dhe mendoj se do ta zgjidhin. Shtyrja e zgjedhjeve mendoj se do të ishte katastrofë për Shqipërinë”,
u shpreh Bejtja.

Bejtja shton vlerësimin se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë dhënë pak ose aspak argumente të besueshme, me të cilat kanë sulmuar publikisht kundërshtarin politik.

“Kuptohet, së pari, që kjo është një luftë politike paraelektorale dhe këto akuza janë më se normale. Kur flitet për Partinë Socialiste, për frikën që mendojnë ata se ekziston te Edi Rama për zgjedhjet, lidhet me faktin që ai nuk kandidoi në listën për deputet, por ngeli prapë në bashki”.

“Ndërsa, kur flitet për manipulimin e palës tjetër, mazhorancës, mendoj që nuk ka fakte konkrete. Të dyja palët nuk kanë fakte konkrete për këtë dhe është thjesht një luftë paraelektorale”,
tha Bejtja.

Më shumë se 2 javë nga mbajtja e zgjedhjeve, analisti Çili e sheh këtë kohë si mundësi që të mund të tregojë se sistemi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti, mund të fuksionojë.

“Është pjesë e kësaj strategjie të Partisë Socialiste dhe çdo partie që është në opozitë për të lënë një rrugëzgjidhje... për të lënë dy rrugë në raport me një proces politik. Në këtë kuptim, është ende e parrezikshme. Unë nuk mendoj se zgjedhjet do të dështojnë dhe nuk mendoj se ato do të jenë poshtë një standardi gjerësisht të pranueshëm".

"Monitorimi i rreptë që u është akorduar këtyre zgjedhjeve nga ODHIR si dhe në përgjithësi standardet e shoqërisë shqiptare për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, fakti që jemi vend anëtar i NATO-s, janë një presion i mjaftueshëm për të pasur zgjedhje në standarde qartësisht të pranueshme. Sidoqoftë, është e pafalshme që t’i kishim këto diskutime edhe në zgjedhjet e 2009-ës. Shpresojmë që të jetë kjo hera e fundit”,
deklaroi Çili.
XS
SM
MD
LG