Ndërlidhjet

Greqi: Mbahet takimi NATO – Rusi


NATO-ja dhe Rusia do ta mbajnë takimin e nivelit më të lartë, prej ftohjes së raporteve, për shkak të luftës Gjeorgji – Rusi, ka njoftuar sot zëdhënësi i aleancës, Xhejms Apaturai.

“Takimi i ardhshëm ministror i Këshillit NATO – Rusi do të mbahet më 27 qershor, në Korfuz të Greqisë, ku mbahet mbledhja ministrore e OSBE-së”, tha Apaturai.

Në delegacione do të përfshihen edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Amasadori i Rusisë në NATO, Dmitri Rogozin, tha se Moska është në pritje të ftesës zyrtare për këtë takim.

“Ky takim duhet t’i riafirmojë parimet, në të cilat bashkëpunimi ynë politik është i ndërtuar”, tha zoti Rogozin dhe shtoi se “pa këtë nuk do të jetë e mundshme të vazhdojë bashkëpunimi ynë ushtarak”.

AFP raporton se NATO-ja dhe Rusia për një kohë të gjatë kanë mospajtime të mëdha për planet mbrojtëse raketore, pastaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku NATO-ja e ka forcën paqeruajtëse dhe për një varg të marrëveshjeve për armatim.

Megjithatë, vendimi i Rusisë për luftën kundër Gjeorgjisë dhe njohja e menjëhershme e Abkhazisë dhe e Osetisë Jugore, në mënyrë të dukshme i ka shtuar tensionet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s.
XS
SM
MD
LG