Ndërlidhjet

EULEX: S’ka zgjidhje të shpejtë për gjykatën në Mitrovicë


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë

Drejtuesit e komponentit të drejtësisë të misionit EULEX prezantuan të arriturat dhe synimet që i ka ky mision në Kosovë. Një përqendrim i posaçëm i tyre ishte Mitrovica dhe rikthimi i rendit dhe ligjit në këtë pjesë.


Rifillimi i punës në gjykatën e Mitrovicës, ndonëse me kapacitete të kufizuara dhe vetëm me stafin ndërkombëtar, nga zyrtarët e EULEX-it është cilësuar si një nga të arriturat më të mëdha të këtij misioni, këta muajt e parë të funksionimit.

Duke shpalosur të arriturat dhe synimet në fushën e drejtësisë, zyrtarët e EULEX-it kërkuan njëkohësisht edhe bashkëpunim me vendasit, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i shtetit ligjor të Kosovës. Por, sipas tyre, kthimi në punë i shqiptarëve dhe serbëve në gjykatat në veri të Kosovës duket të jetë mjaft i vështirë.

Alberto Perduca, udhëheqës i komponentit të Drejtësisë në EULEX, përmendi si të arritur të veçantë Mitrovicën, ku EULEX-i po i bën përgatitjet që t’i trajtojë rastet në pritje, pas një pauze të gjatë prej disa muajve, sa kjo gjykatë ishte jofunksionale.

Por, ai tha se mbetet ende sfidë kthimi në punë i gjykatësve shqiptarë dhe atyre serbë.
...nuk do të ketë një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë për këtë çështje. Nuk duhet harruar se për dhjetë muaj pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës, gjykatat ishin të mbyllura dhe jofunksionale...

“Sipas njohurive tona, nuk do të ketë një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë për këtë çështje. Nuk duhet harruar se për dhjetë muaj pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës, gjykatat ishin të mbyllura dhe jofunksionale. Atje asgjë nuk funksiononte”, tha Alberto Perduca.

Gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it, shtoi ai, filluan të punojnë dhe në bashkëpunim me policinë lokale arritën që t’i përfundojnë tri raste gjyqësore.

“Kjo nuk është mjaft, por është fillimi”, tha zyrtari i EULEX-it, duke rikujtuar se në Mitrovicë ka dhjetëra njerëz që presin fjalën e drejtësisë.

“Janë raste me urgjencë, sepse bëhet fjalë për njerëz. Ka me dhjetëra veta, të cilët qëndrojnë me muaj në paraburgim dhe ata janë viktima dhe kanë të drejtë të dëgjojnë fjalën e drejtësisë”, tha Perduca.

Logo e misionit EULEX
E vetmja mënyrë që të zbatohet sundimi i rendit dhe ligjit, sipas tij, është që krahas ndërkombëtarëve, të punojnë edhe vendasit, gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës.

“Po punojmë që të përfshijmë gjykatës e prokurorë të të gjitha komuniteteve, për të startuar nga rastet më të vjetra tek ato më të rejat”, tha zyrtari i EULEX-it.

Ai nuk ka dashur ta konfirmojë e as mohojë nëse do të nevojitet që rastet të trajtohen ndaras, për serbët në veri dhe për shqiptarët në jug të Mitrovicës, për shkak të rrethanave politike në këtë qytet. Por, sipas tij, me rëndësi është që vendorët të përfshihen në trajtimin e rasteve të mbetura.

Ndërkaq, Maria Giuliana Civinini, kryetare e Asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, tha se bashkëpunimi ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve do t’i rrisë rezultatet në fushën e gjyqësorit.
Gjykatësit e EULEX-it dhe ata kosovarë janë anëtarë të një sistemi të vetëm gjyqësor...

“Gjykatësit e EULEX-it dhe ata kosovarë janë anëtarë të një sistemi të vetëm gjyqësor. Ne nuk jemi një trup gjyqësor vendimmarrës, por jemi së bashku me vendorët dhe punojmë së bashku me ta”, tha Maria Giuliana Civinini.

Sidoqoftë, zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dashur të shpalosin detaje të angazhimeve të tyre edhe në fushat tjera, siç janë luftimi i korrupsionit, çështja e krimeve të luftës dhe lëndëve të tjera, në të cilat ky mision është duke punuar.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka shtrirje në fushën e policisë, gjykatave dhe doganave dhe trajton rastet më të rënda. Po ashtu, ky mision merr përsipër edhe rastet, të cilat gjykatat e Kosovës nuk arrijnë t’i trajtojnë apo nuk kanë qasje, siç është rasti me veriun e Kosovës. Po ashtu, sfidë tjetër e këtij misioni janë edhe rastet e trashëguara nga UNMIK-u.
XS
SM
MD
LG