Ndërlidhjet

TI: Sistemi i drejtësisë më i korruptuari


Sistemi i drejtësisë dhe partitë politike klasifikohen si sektorë më të korruptuar në Kosovë. Këtë vlerësim e jep Transparency International, në raportin e fundit të publikuar - “Barometri i Korrupsionit Global 2009”.


Sipas raportit të Organizatës Transparency International, e cila mat nivelin e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës, Kosova është radhitur në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni, duke fituar notën 3.4. Nota 5 tregon nivelin më ekstrem të korrupsionit.

Hulumtimet janë zhvilluar në 69 vende dhe gjetjet kryesore dëshmojnë se partitë politike, shërbimi civil, parlamenti dhe drejtësia mbeten sektorët më të korruptuar.

Në Kosovë, sektori më i korruptuar raportohet të jetë ai i drejtësisë dhe ai i partive politike. Visar Berisha, nga organizata Index Kosova, që ka marrë pjesë në hulumtim, thotë se raporti paraqet gjendjen reale që ekziston në Kosovë.

“Kjo edhe nuk është për t’u çuditur, sepse edhe sistemi gjyqësor në Kosovë funksionon jo si duhet, ekziston një mungesë e rendit dhe e ligjit, e gjithashtu ekziston një perceptim se partitë politike janë të përfshira në korrupsion. Edhe ky perceptim krijohet në bazë të shumë raporteve që kemi dëgjuar nëpër media, se pak parti politike i kanë publike financat publike”, tha Berisha.

Sipas këtij raporti, Kosova ka nivelin më të ultë të korrupsionit në krahasim me vendet e rajonit, ku prin Bosnja e Hercegovina (4.2), e pasuar nga Kroacia (4.1), Serbia (3.9) e Maqedonia (3.8).

Drejtori i Agjencisë Kosovare Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, shpjegon se niveli i ultë i korrupsionit në media, e jo ai në institucione, ka ndihmuar që Kosova të gjendet më mirë në mesin e vendeve të rajonit.
Gjyqësori është më i korruptuari, që ka notën 4, më pastaj partitë politike 3.8, sektori privat 3.7, parlamenti 3.4, shërbimi civil 3.3 dhe mediat 2.3.

“Gjyqësori është më i korruptuari, që ka notën 4, më pastaj partitë politike 3.8, sektori privat 3.7, parlamenti 3.4, shërbimi civil 3.3 dhe mediat 2.3. Nga kjo del së më pak të korruptuarat janë mediat dhe një mirënjohje për mediat, sepse kjo përqindje kaq e vogël e mediave e zvogëlon mesataren dhe bën që koeficienti i korrupsionit në Kosovë të jetë 3.4”, pohon Preteni.

Për Qeverinë e Kosovës, raporti i Transparency International dëshmon, siç thuhet, trendin pozitiv të luftës kundër korrupsionit. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, shpjegon:

“Nëse krahasohet me raportin e fundit të vitit 2007, në barometrin për korrupsionin që ka bërë Transparency International, shihet qartë se qytetarët e Kosovës vlerësojnë shumë punën që është bërë në luftimin e korrupsionit dhe të arriturat në këtë drejtim”,
thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës vlerësojnë se fenomeni i korrupsionit në Kosovë gjen vend më shumë në institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Berim Ramosaj, thotë se Kosova nuk ka bërë shumë në luftimin e këtij fenomeni.

“Nuk mendojmë se kemi bërë shumë në këtë drejtim, përveç deklaratave. Është e rëndësishme që këtij fenomeni duhet t’i ndërpritet rruga jo vetëm nga institucionet formale legale, por në përgjithësi si qytetarë, duke marrë parasysh se kemi obligim të gjithë qytetarët që të ndërtojmë një shtet funksional dhe ligjor, ashtu siç e kërkojnë edhe standardet evropiane, por edhe standardet e ndërtimit të një shteti funksional”, tha Ramosaj.

Ashtu sikurse edhe në raporte tjera të organizatave të ndryshme, edhe në këtë të Transparency International, sektori i drejtësisë del të jetë më i korruptuari, i cili edhe ka marrë notën 4.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, pranon brishtësinë e këtij sektori, por thotë se ekzekutivi është i pafuqishëm që të ndikojë në këtë sektor.

Në anën tjetër, vetë drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, thotë se në Kosovë është vënë re një punë jo e madhe nga ana e prokurorive për të ndjekur rastet e dyshuara të korrupsionit.

“Ne nuk kemi asnjë element që të kalojmë në vetëkënaqësi, por të gjitha institucionet e Kosovës duhet të punojnë, shumë, shumë, shumë dhe ta parandalojmë atë”, thotë Preteni.

Ndër vendet më të korruptuara, sipas raportit të Transparency International, janë Ukraina, Argjentina, Bullgaria, Rumania, Bolivia etj. Raporti është realizuar në periudhën tetor 2008 – shkurt 2009.
XS
SM
MD
LG