Ndërlidhjet

“Fqinjët e injorojnë Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, ka pranuar të mërkurën se po e ka dhe do ta ketë vështirë të rikthejë në punë gjyqtarët vendorë në gjykatat e Kosovës në veri të Mitrovicës, por ka premtuar se nuk do të heqë dorë nga kjo. Në një konferencë të organizuar, drejtues të komponentit të drejtësisë në EULEX janë shprehur se mënyra më e mirë që të sundojë ligji si duhet, është që në këto gjykata të kthehen edhe gjykatësit vendas... Shefi i komponentit të drejtësisë në EULEX, Alberto Perduca, ka thënë se nuk mund të priten rezultate të menjëhershme sa i përket kthimit të gjyqtarëve vendorë në gjykatat në veri. “Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë. Ne kemi filluar të bisedojmë me palët, por duhet kohë. Palët kanë paraqitur kushtet e tyre. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të bazuar në shqetësimet e tyre. Unë besoj se zgjidhja do të gjendet, nuk them se jam optimist. Ne po punojmë për këtë”, ka thënë Perduca...

KOSOVA SOT
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ndonëse në mbledhjen e vet të fundit e ka pasur në tavolinë një peticion të nënshkruar nga 87 deputetë, për procedimin dhe miratimin e Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, ajo nuk i ka dhënë dritën jeshile, por e ka zvarritur çështjen edhe për një kohë të pacaktuar. Burime të afërta me zhvillimet e fundit në kryesi kanë deklaruar të mërkurën në kushte anonimiteti se lidhur me këtë peticion, që , sipas rregullore, i plotëson të gjitha kushtet për nxjerrjen e Ligjit vetëm në votim formal në seancë plenare, kryesia nuk ka marrë qëndrim të qartë, por e ka prolonguar atë duke kërkuar raporte të reja plotësuese nga komisionet parlamentare, madje edhe nga MEF-i, lidhur me mundësinë e implikimeve buxhetore që mund të ketë ligji në zbatim. Deputetët nënshkrues të këtij peticioni janë ndarë të pakënaqur me veprimin e fundit të kryesisë, për të cilin theksojnë se është veprim, i cili në plotni shkon në kundërshtim me rregulloren e punë së Kuvendit...

EXPRESS
Pesë javë pasi nga Dhoma e Dëshmive në ndërtesën e Komandës Qendrore të Policisë së Kosovës janë vjedhur sasi e madhe droge, janë arrestuar tre persona si të dyshuar në lidhje me këtë rast. Policia nuk tregon identitetin e tyre, ndërkohë që nga burime të saj, “Express” ka arritur të mësojë se në këtë rast bëhet fjalë për Nysret Mernicën (1981), Amin Sejdinin (1977) dhe Naim Dashajn (1966). Dy prej tyre janë nga rajoni i Prishtinës, kurse i treti vjen nga rajoni i Mitrovicës, ndërkaq të tre personat janë arrestuar të martën në mbrëmje në pikën kufitare të Hanit të Elezit, rreth orës 20 e 15 minuta, derisa përpiqeshin të kalonin kufirin në drejtim të Maqedonisë. Burime të gazetës brenda policisë shpjegojnë se nga Hani i Elezit, në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, tre të arrestuarit janë sjellë të martën në orët e vona, menjëherë pas arrestimit. “Ata edhe janë marrë në pyetje të mërkurën gjatë ditës në prani të avokatëve të tyre mbrojtës”, thotë ky zyrtar në kushtet e anonimitetit....

ZËRI
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, mund t’i befasojë pritjet e opozitës sa i përket datës së zgjedhjeve, e cila ka kërkuar që zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovë të mbahen në tetor të këtij viti. Burime të afërta me presidentin dhe vetë përgatitjet për procesin zgjedhor thonë se zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të caktohen të mbahen në pjesën e dytë të nëntorit, apo afërsisht rreth një muaj më vonë se që kanë kërkuar partitë opozitare në Kosovë... Burime nga përgatitjet për procesin zgjedhor thonë se caktimi i një date të zgjedhjeve për pjesën e dytë të nëntorit është i ndërlidhur edhe me faktin se në takimin që presidenti Sejdiu ka pasur të martën me kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta, dhe kryeshefin e Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, presidentit i është kërkuar që t’u japë më shumë kohë dhe mundësi këtyre trupave përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve...

BOTA SOT
Me qëllim të promovimit të softuerit të lirë dhe të hapur si dhe mundësisë së përdorimit të tij në edukim dhe hulumtime, por edhe më gjerë në shoqëri, Universiteti i Prishtinës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën “Organizata Kosovare e Softuerit të Lirë dhe të Hapur” si dy palë të barabartë drejt organizimit të konferencës vjetore, e cila do të mbahet më 29 dhe 30 gusht të këtij viti. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Enver Hasani, rektor i Universitetit të Prishtinës, tha se kanë për synim që konferenca vjetore tani për hapjen e mundësive për zhvillimin e softuerit të institucionalizohet, duke e krahasuar me Universitetin Veror. “Ne synojmë që niveli i punës së konferencës të institucionalizohet në kohën që vjen çdo verë, sikurse Universiteti Veror, por tani UP-ja do të jetë pjesë e trendeve të përgjithshme të përdorimit të teknologjisë, me këtë do të krijojmë edhe mundësi për hapjen e zhvillimit të softuerit”, tha rektori Hasani. Ndërsa, James Mike Dupont, anëtarë i bordit të Organizatës së Softuerit të Lirë dhe të Hapur, shprehu bindjen se Prishtinë do të bëhet qendër e zhvillimit teknologjik...

EPOKA E RE
Organizata Transparency Internatinal e ka publikuar raportin “Barometri i Korrupsionit Global 2009”, ku është përfshirë edhe Kosova (si njësi nën administrimin e UNMIK-ut dhe jo si shtet), e ranguar në “mesin e artë”, në grupin e tretë të shteteve të korruptuara. Hulumtimet janë zhvilluar në periudhën tetor 2008 – shkurt 2009 në 69 vende të botës. Janë anketuar 73 mijë persona. Përfundimet e veçanta i kanë nxjerrë edhe partitë politike si të korruptuara në botë, me rritje në disa rajone. Ato bashkë me shërbimin civil, parlamentet dhe drejtësinë, mbeten sektorët më të korruptuar të rruzullit. Kosova nuk është ndër vendet e zeza të globit. Ka marrë notën 3.4. nota më e lartë për nivelin më të lartë të korrupsionit është 5. Sektori i medieve doli më se paku i korruptuar, ndërsa gjyqësori më i korruptuari, para partive politike...

LAJM
Disa shoqata joqeveritare në Kosovë kanë vlerësuar se qëndrimi i politikës zyrtare të Maqedonisë ndaj Kosovës mund t’i shkaktojë dëm vetë ekonomisë maqedonase, nëse në Kosovë fillon një fushatë kundër produkteve të këtij shteti, të cilat shiten në tregun e Kosovës. Ekspertët shpesh kanë vlerësuar se tregu i Kosovës ka qenë shpëtim për ekonominë e Maqedonisë, sepse importuesi më i madh në Kosovë është Maqedonia... Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mendon që Kosova mbase duhet të zbatojë masa reciprociteti ndaj Maqedonisë, qoftë kjo edhe në shkëmbimet tregtare. “Mendoj që është e domosdoshme që Kosova të fillojë ta aplikojë parimin e reciprocitetit. Është naivitet nëse Kosova vazhdon të sillet mirë me ata që sillen keq me të. Maqedonia nuk na ka njohur pse na do, por për shkak të trysnisë së SHBA-ve”, tha Kurti...

KOHA DITORE
Pas Maqedonisë, trendit të injorimit të Kosovës i është bashkuar edhe shteti tjetër fqinj, Mali i Zi. Presidenti i këtij vendi, Filip Vujanoviq, e ka injoruar homologun e tij kosovar, Fatmir Sejdiu, duke mos e ftuar fare në Samitin e shteteve të Evropës Juglindore, i cili od të mbahet në Cetinë, më 4 qershor. Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk e konsiderojnë injorim anashkalimin që po u bëhet nga ana e shteteve fqinje, të cilat ndonëse kanë njohur pavarësinë e Kosovës, hezitojnë që këtë njohje ta kurorëzojnë me ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike. Përfaqësues të opozitës, ndërkaq, konsiderojnë se për këtë injorim që po u bëhet nga fqinjët, kanë faj edhe vetë drejtuesit e institucioneve të Kosovës...
XS
SM
MD
LG