Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Fillim i ri me botën myslimane

  • RFE /RL

Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit në Kajro, 4 qershor '09.

Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit në Kajro, 4 qershor '09.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ka ardhur në Kajro për të kërkuar një fillim të ri në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane, por “ky ndryshim nuk mund të vijë brenda natës”.



Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë krijuar mbi idealin se të gjithë janë të barabartë. Ai tha se “Islami gjithmonë ka qenë pjesë e historisë së Amerikës” dhe u zotua për të luftuar kundër stereotipave të Amerikës në mesin e myslimanëve.

Presidenti Obama gjithashtu u zotua se ekstremizmi i dhunshëm duhet të konfrontohet në të gjitha format e tij dhe shtoi se veprimet e ekstremistëve janë të papajtueshme me Islamin.

“Kam ardhur këtu në Kajro për të kërkuar një fillim të ri ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Myslimanëve në mbarë botën, të bazuar mbi interesin dhe respektin e ndërsjellë dhe mbi të vërtetën se Amerika dhe Islami nuk përjashtohen mes vete dhe nuk duhet të jenë në garë. Përkundrazi, ato mbulojnë njëra-tjetrën dhe ndajnë parimet e njëjta, parimet e drejtësisë dhe progresit, të tolerancës dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve”, tha Obama.

Obama tha se ekstremistët e dhunshëm i kanë eksploatuar tensionet ndërmjet Perëndimit dhe Myslimanëve dhe shtoi se Islami nuk është pjesë e problemit, por pjesë e promovimit të paqes.

Gjatë fjalimit...
“Përderisa marrëdhëniet tona të përkufizohen nga dallimet tona, ne do t’i fuqizojmë ata që kërkojnë urrejtje në vend të paqes, ata që promovojnë konflikt në vend të bashkëpunimit. Ky rreth i mosdakordimeve ndërmjet amerikanëve dhe myslimanëve duhet të marrë fund”,
tha presidenti amerikan.


Obama tha se “asnjë sistem i qeverisjes nuk mund dhe nuk duhet t’i imponohet një vendi nga një vend tjetër”.

“Mos gaboni të mendoni se ne duam t’i mbajmë trupat tona në Afganistan. Ne nuk synojmë baza ushtarake atje. Për Amerikën është agoni kur humb djemtë dhe vajzat e reja. Me dëshirë do të kthenim çdo ushtar në shtëpi, nëse do të ishim të bindur se ekstremistët e dhunshëm në Afganistan dhe tash në Pakistan, nuk do të vritnin amerikanë sa të munden. Por, kjo ende nuk ka ndodhur”, tha Obama.

Duke folur për konfliktin në Lindjen e Mesme, Obama tha se lidhja e Amerikës me Izraelin është “e pathyeshme”.

Ai e ripërsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Obama tha se palestinezët duhet të heqin dorë nga dhuna, por gjithashtu shtoi se edhe Izraeli duhet t’i ndalë ndërtimet.

“Izraelitët duhet ta pranojnë se ashtu siç nuk mund të mohohet e drejta e Izraelit për ekzistencë, nuk mund as e drejta e Palestinës. Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë legjitimitetin e vendbanimeve të Izraelit. Është koha të ndalen këto ndërtime”, tha ai.

Obama tha se gjendja e popullit palestinez është e “patolerueshme” dhe shtoi se Amerika “nuk do t’ua kthejë shpinën” aspiratave legjitime të palestinezëve.

Presidenti gjithashtu tha se të dyja palët në konfliktin izraelito-palestinez duhet t’u përmbahen obligimeve të tyre. Ai tha se palestinezët duhet të denoncojnë dhunën dhe se Hamasi duhet ta njohë të drejtën e Izraelit për ekzistencë.

Të pranishmit...
Lidhur me Iranin, presidenti amerikan ripërsëriti se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ecin përpara në marrëdhëniet me Iranin për t’i kapërcyer “dekadat e mosbesimit”.

Obama tha se ngecja në programin bërthamor të Iranit “nuk është thjesht në interesin e Amerikës”, dhe e paralajmëroi Iranin se mund të nxitë një garë të armatimit bërthamor në Lindjen e Mesme.

Ai tha se Irani duhet të ketë të drejtën për energji bërthamore paqësore, nëse i përmbush traktatet ndërkombëtare.

Presidenti Obama gjithashtu tha se SHBA-të kanë nxjerrë mësime nga lufta në Irak.

“Megjithëse besoj se populli irakian është shumë më mirë pa tiraninë e Sadam Huseinit, unë gjithashtu besoj se ngjarjet në Irak e përkujtuan Amerikën mbi nevojën e përdorimit të diplomacisë dhe ndërtimit të konsensusit ndërkombëtar për t’i zgjidhur problemet kudo që është e mundur”, tha presidenti Obama.

“Njerëzit e botës mund të jetojnë në paqe. Ne e dimë se ky është vizioni i Zotit. Tash, kjo duhet të jetë detyra e jonë këtu në Tokë”,
tha Obama.

Në fund të fjalimit, presidenti amerikan Barak Obama u përcoll me ovacione nga të pranishmit në Universitetin e Kajros.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG