Ndërlidhjet

logo-print

Përpjekjet për të vënë drejtësi


Pamje nga protestat e 10 shkurtit.

Pamje nga protestat e 10 shkurtit.

Sërish është shtyrë seanca dëgjimore për rastin e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të cilët ishin vrarë më 10 shkurt të vitit 2007 nga policia rumune e UNMIK-ut, në një protestë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.


Sipas avokatëve të familjarëve të viktimave, paneli këshillëdhënës për të drejtat e njeriut, i cili është formuar nga UNMIK-u, ka shtyrë seancën dëgjimore pa dhenë asnjë arsyetim. Paul Trup, avokati që përfaqëson familjarët e viktimave, tha:

“Nuk na është dhënë kurrfarë shpjegimi, por ne kemi marrë vesh se PSSP-ja ka udhëzuar panelin që të lëshojë një urdhëresë administrative, sipas së cilës, do të kufizonte veprimin e seancave publike. Me sa jemi në dijeni, as sot e kësaj dite nuk është implementuar kurrfarë lloj urdhërese administrative e tillë”.
...seanca publike, për të cilën familjarët mendojnë se do të ishte mënyra e vetme e drejtë për të kuptuar se çka ka ndodhur më 10 shkurt, tash nuk do të ndodhë kurrë.

“Edhe në bazë të këtyre korrespondencave sekrete që ka pasur me PSSP-në dhe në bazë të të gjitha marrëveshjeve që kanë pasur bashkë, paneli ka vendosur që të mos ketë kurrfarë seance publike për këtë rast. Pra, seanca publike, për të cilën familjarët mendojnë se do të ishte mënyra e vetme e drejtë për të kuptuar se çka ka ndodhur më 10 shkurt, tash nuk do të ndodhë kurrë”,
tha Paul Trup.

Ai pohoi se i ishte kërkuar panelit që të rishqyrtojë këtë vendim, si në emër të drejtësisë ashtu dhe të zbatimit të ligjit, por, sipas tij, nuk është dhënë kurrfarë shpjegimi lidhur me këtë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, tha se UNMIK-u nuk mund të flasë asgjë rreth kësaj çështjeje, pasi që, siç u shpreh, paneli këshillëdhënës për të drejtat e njeriut është i pavarur dhe nuk i raporton UNMIK-ut.


"Varet nga Paneli Këshillëdhënës për të drejtat e njeriut që të vendosë. Ky panel është një trup i pavarur, që nuk i raporton UNMIK-ut. Kjo është një çështje që duhet diskutuar me Panelin Këshillëdhënëse për të drejtat e njeriut”.


“UNMIK-u është njëri nga trupat që ka formuar Panelin Këshillëdhënës, por, siç e thashë, ky panel tashmë është një trup i pavarur dhe varet nga ai se si do ta bëjë dëgjimin e rastit”,
tha Ivanko.

Për rastin e Balajt dhe Xheladinit, avokatët e familjarëve ka qenë dashur që sot t’i paraqesin ankesat ndaj UNMIK-ut në lidhje me 10 shkurtin e vitit 2007.

Avokati tjetër i familjarëve, Halim Selmani, tha se pavarësisht asaj që Paneli Këshillëdhënës nuk ka dhënë kurrfarë përgjigjeje për shtyrjen e dëgjimit publik, ai tha se do të vazhdohet deri në fund që fajtorët të dalin para drejtësisë.

“Edhe më tej do t’i vazhdojmë proceduarat e mundshme, se me këtë nuk do të ndalemi. Do të gjejmë ose mënyra, ose procedime, me të cilat do të kërkohet që drejtësia të vijë në vend. Këtë e kërkojnë familjarët”, u shpreh Selmani.

Seanca e hapur ishte caktuar të mbahej qysh vitin e kaluar, por është hera e dytë që anulohet. Herën e parë ishte thënë se për shkaqe sigurie seanca nuk do të mbahet, ndërsa për shtyrjen e fundit nuk ka asnjë arsyetim. Për këtë, babai i Arben Xheladinit thotë:

“Herën e kaluar ishte arsyetimi se nuk do të mbahet paneli se nuk ka siguri, po kë e rrezikuam deri tash, kujt i jemi kërcënuar?! Ne kërkojmë që të na jepet një përgjigje, që Arben Xheladini dhe Mon Balaj kanë qenë kriminelë - OK, ne do të pajtohemi, paskan qenë kriminelë, e kanë merituar edhe e kanë gjetur. Por, në një anë thuhet se kanë qenë masa të jashtëzakonshme, të tepruara, por ata nuk kanë qenë të involvuar në veprime që e kanë rrezikuar policinë - atëherë ku është puna”, thotë Shaban Xheladini.
UNMIK-u është i interesuar që ta heshtë tërësisht të vërtetën për rastin e 10 shkurtit. Kjo është njëfarë forme indirekte e pranimit të fajit nga UNMIK-u...

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur vendimin e sotëm si përpjekje për të fshehur të vërtetën mbi 10 shkurtin. Visar Ymeri, aktivist i kësaj lëvizjeje, thotë se me shtyrjet e vazhdueshme të këtij procesi, UNMIK-u e ka pranuar fajin që ka bërë.

“Faktikisht, UNMIK-u është i interesuar që ta heshtë tërësisht të vërtetën për rastin e 10 shkurtit. Kjo është njëfarë forme indirekte e pranimit të fajit nga UNMIK-u; natyrisht duke e përdorur fuqinë e vet, pushtetin e vet absolut, UNMIK-u po i ik dhënies së përgjegjësisë për rastin e 10 shkurtit”, tha Ymeri.

Paneli është trup i pavarur, i krijuar nga një rregullore e UNMIK-ut. Ai përbëhet nga tre anëtarë të pavarur, të emëruar nga PSSP-ja pas nominimit nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG