Ndërlidhjet

“Thaçi cilëson AAK-në parti të korruptuar”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Katër vjetët e zvarritjes së Avokatit të Popullit përfunduan me votimin e përgjegjshëm të kësaj të enjteje në Kuvendin e Kosovës. Ps disa konkurseve të dështuara, fitimtari Sami Kurteshi do të jetë në krye të institucionit më të rëndësishëm të pavarur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Avokati i Popullit është një mekanizëm i njohur në shtetet demokratike, që nuk ka realisht fuqi ekzekutive, por ka mundësi të trajtojë raste të ndryshme të shkeljes së të drejtave të njeriut, të bëjë rekomandimet përkatëse, duke ushtruar funksion të organet kompetente në favor të drejtësisë. Për këtë post u zhvillua një garë e fortë dhe nuk mund të mos ripërmendim emrin e Murat Jasharit, favoritit kryesor, i cili si duket u bllokua pas presioneve ndërkombëtare. Ky ishte edhe konkursi që deri diku e zhvlerësoi garën dhe interesin për Avokatin e Popullit, por gjithsesi konkurset u shpallën e u rishpallën. U desh që edhe zyrat ndërkombëtare t’ia tërhiqnin vërejtjen politikës kosovare, për të përshpejtuar zgjedhjen...

EXPRESS

Tre të arrestuarit të martën në mbrëmje vazhdojnë të jenë të dyshuar për vjedhjen në dhomën e dëshmive në polici. Policia e Kosovës ende nuk ka bërë kallëzim penal për vjedhjen e drogës dhe disa të hollave, muaj më parë, ndërkohë që dënimin për dy të arrestuar me masën e paraburgimit, Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, e ka arsyetuar duke thënë se ata janë dënuar për vepra të tjera penale. “Ata vazhdojnë të jenë të dyshuar për vjedhjen në polici, ata janë dënuar nga gjykata me paraburgim për shkak të veprave të tjera, ndërkohë që policia ende nuk ka bërë kallëzim penal’, thotë ai. Ndryshe nga pretendimet e para të Policisë se këta mund të jenë tre personat e përfshirë në vjedhjen e famshme të 25 prillit, gjykatat, të tre këta persona, i kanë liruar, përkatësisht u ka caktuar masën e paraburgimit për vepra penale, tërësisht të tjera. Të arrestuarve, Nysret Mernica dhe Amin Sejdini, gjyqtarët e procedurës paraprake në Gjykatat e Qarkut në Mitrovicë dhe Prishtinë, secilit prej tyre, u kanë caktuar nga një, përkatësisht dy muaj paraburgim. Ndërkohë, lënda e të arrestuarit të tretë, Naim Dashaj, pasi është shëtitur deri në Kaçanik, në Gjykatën e atjeshme për Kundërvajtje, ka përfunduar në gjykatën e të njëjtit nivel në Prishtinë...

ZËRI
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ka përfunduar konsultat veç e veç me të gjitha subjektet politike në vend, pritet që sot në një takim të fundit të konsultimeve, t’i takojë të gjitha partitë së bashku. Burime të “Zërit”, të afërta me Presidencën e Kosovës, kanë thënë se në atë takim, presidenti Sejdiu do t’i lërë që partitë vetë të vendosin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, mirëpo në rast se ato nuk do ta arrijnë kompromisin, atëherë pritet që vetë presidenti ta caktojë datën. Në anën tjetër, opozita frikësohet se nga zvarritjet e vazhdueshme nga ana e koalicionit aktual (PDK-LDK) mund të vijë edhe deri të shtyrja e zgjedhjeve lokale për vitin tjetër. Këshilltari për media i Presidentit, Xhavit Beqiri, ka thënë se të premten (sot) presidenti Sejdiu do t’i takojë në një takim të përbashkët përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike që pretendojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, por ai nuk thotë nëse në këtë takim do të caktohet data e zgjedhjeve apo kjo do të bëhet më vonë...

BOTA SOT
Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore në orët e para të mëngjesit të së enjtes, sipas kohës sonë. Anëtarësimin në Bankën Botërore e kanë vlerësuar pozitivisht presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Kosova, të mërkurën në mbrëmje, sipas kohës amerikane, mori shumicën e votave të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Botërore, i cili dominohet nga fuqia e vendeve perëndimore, të cilat edhe e kanë njohur Kosovën. Para pak javësh, Kosova u pranua edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me këto anëtarësime, institucionet shpresojnë se Kosova do të mund të marrë hov të zhvillimit, ndërsa Kuvendi ka miratuar ligjin përkatës për anëtarësim në këto institucione. Presidenti Sejdiu e vlerësoi si shumë të rëndësishëm dhe historik anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bankën Botërore, si dhe ka falënderuar Bordin e Guvernatorëve të Bankës Botërore për vendimin e marrë pro anëtarësimit të vendit tonë në këtë institucion shumë të rëndësishëm financiar botëror...

EPOKA E RE
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, ka thënë të enjten për “Epokën e re” se gjasat janë shumë të mëdha që zgjedhjet lokale, të parapara të mbahen këtë vit, të shtyhen për vitin e ardhshëm. “Po flas për gazetën tuaj pa dorëza. Unë, Nexhat Daci, e kam pasur informatën e parë para shumë muajve se këtë vit nuk do të ketë kurrfarë zgjedhjesh lokale”, ka thënë Daci. Pavarësisht se a do të mbahen zgjedhjet lokale këtë vit, Daci thotë se partia e tij është e përgatitur për garën zgjedhore në nivelin komunal. Nexhat Daci ka thënë se nuk do t’i hyjë garës për të kandiduar për Prishtinën, pasi më herët, kur ishte në LDK, e kishte zhgënjyer elektoratin, i cili ia kishte dhënë votën. “Unë s’do të kandidoj për Prishtinën. Jam kryetar i partisë, jam anëtar i kryesisë. Njëherë nuk e kam mbajtur fjalën kur e kam fituar votën për Prishtinën, prandaj më s’kam të drejtë morale t’ua kërkoj votën”, ka thënë Nexhat Daci...

LAJM
Pas më shumë se një viti të pavarësisë, Kosovën asgjë nuk mund ta pengojë për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës (KE). Drejtori i përgjithshëm për demokracinë dhe marrëdhënie politike në KE, Jean-Louis Laurens, ka thënë në Bruksel, të enjten, se nuk është e domosdoshme që Kosova të jetë anëtare e OKB-së për t’u bërë anëtare e organizatës së KE-së. “Nuk ekziston asnjë dokument, ku të thuhet se para anëtarësimit në KE, nevojitet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara”. Sipas Laurensit, kjo i jep një shans të vërtetë Kosovës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. “Për të marrë vendimin lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KE, nevojiten votat e dy të tretave të shteteve anëtare. Për më tepër, sipas Laurensit, pothuajse dy të tretat e shteteve anëtare e kanë njohur në mënyrë bilaterale Kosovën, kështu që në mënyrë logjike votimi për pranim në këtë organizatë, në parim, nuk duhet të paraqesë probleme, ngase nuk nevojitet unanimiteti...

KOHA DITORE
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar të enjten partinë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si më të korruptuarën në vend, ndërkohë që zyrtarë të AAK-së e kanë ftuar publikisht që të procedojë të ashtuquajturat dosje që ai, PDK-ja dhe SHIK-u i patën dorëzuar para disa viteve në polici derisa kanë qenë në opozitë. Akuzat e kreut të Qeverisë kanë rezultuar pas publikimit të fundit të Transparency International, ku është raportuar se partitë politike në Kosovë renditen lart për nga dukuria e korrupsionit në Kosovë. “Vetëm një parti demokratike, transparente, e debatit dhe e llogaridhënies do të ketë sukses të ndërtojë institucione të fuqishme, demokratike, transparente, llogaridhënëse dhe mund ta luftojë korrupsionin. Kurrë mos pritni prej një partie të korruptuar ta luftojë korrupsionin. Qytetarët i kanë ndëshkuar në vitin 2007”, ka thënë Thaçi duke iu referuar AAK-së...

INFOPRESS
Mungesa e presidentit të Republikës së Kosovës në samitin e kryetarëve të shteteve të Evropës Juglindore me moton “Diversiteti i pasurisë kulturore – menaxhimi dhe promovimi turistik”, nuk ka kaluar pa komente. Kështu, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, nuk ka ngelur vetëm si ambasador i kulturës shqiptare, por është kthyer edhe në një avokat të çështjes së Kosovës, duke ua bërë me dije vendeve anëtare të këtij samiti, se Kosova do të duhej të ishte pjesë e tavolinës së diskutimit, që është organizuar nën kujdesin e kryetarit malazias, Filip Vujanoviq, në bashkëpunim me UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës. Gjatë të enjtes, presidenti malazez ka provuar të japë sqarime rreth mungesës së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai është treguar i matur dhe fajin ia ka hedhur statusit që ka Kosova në UNESCO dhe Këshill të Evropës...
XS
SM
MD
LG