Ndërlidhjet

logo-print

Drezden: Obama u takua me kancelaren Merkel


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u takua sot me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit, të dy zyrtarët e lartë thanë se kanë diskutuar për shumë çështje, përfshirë krizën ekonomike globale, procesin paqësor në Lindjen e Mesme, që po ngec, dhe situatën lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Zoti Obama tha se ai nuk ka kërkuar dhe as nuk ka marrë përkushtime të forta nga Gjermania për pranimin e të burgosurve nga burgu amerikan në Guantanamo Bej në Kubë.

Presidenti Obama ka urdhëruar që ky burg të mbyllet në vitin 2010.

Takim Merkel – Obama u zhvillua në qytetin lindor në Drezden, që ishte shkatërruar nga bombarduesit e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Obama do ta vizitojë edhe kampin e dikurshëm të koncentrimit në Buhenvald, për t’i përkujtuar viktimat e Holokaustit.
XS
SM
MD
LG