Ndërlidhjet

Kuko: S’ka vendim për ushtarët shqiptarë në KFOR


Artur Kuko
Artur Kuko

Përfshirja apo mospërfshirja e ndonjë kontingjenti ushtarak të Shqipërisë në NATO, i përket Aleancës Veri-atlantike, tha sot në Prishtinë, ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko.



Nuk ka vendim për përfshirjen e ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të forcës së KFOR-it në Kosovë, tha sot ambasadori shqiptar në NATO, Artur Kuko.

Gjatë një vizite që po i bën Kosovës, ambasadori Kuko realizoi takime me ministrin e Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, si dhe takoi Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Ai premtoi ndihmën e Shqipërisë për ngritjen sa më profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërkaq, lidhur me njoftimet se Shqipëria mund të dërgojë një kontingjent ushtarak në kuadër të KFOR-it, ambasadori Kuko tha se kjo çështje i përket Aleancës Veri-atlantike dhe se deri më tash nuk është diskutuar si mundësi.

“Këto janë subjekt diskutimesh të brendshme të Aleancës dhe në momentin që do të gjykohet e arsyeshme, do të merret një vendim lidhur me këtë. Por, për momentin nuk është në diskutim e sipër”, tha Kuko.

Ambasadori Kuko tha se ndihma e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë do të jetë në shumë aspekte. Qëllimi kryesor, sipas tij, është që Kosova ta ketë një forcë të përgatitur profesionalisht.
Shqipëria do të vazhdojë të japë një ndihmë jo thjesht për mbështetje morale, por edhe mbështetje materiale...

“Shqipëria do të vazhdojë të japë një ndihmë jo thjesht për mbështetje morale, por edhe mbështetje materiale. Shqipëria ka kontribuar në mënyrë modeste në fondin e mirëbesimit kushtuar ngritjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kam përshtypjen se së shpejti do të ketë në kuadrin e Aleancës edhe këshilltarë shqiptarë, të cilët do të punojnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, theksoi ambasadori Kuko.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se synimet e Kosovës janë që edhe ajo, ngjashëm me Shqipërinë, të jetë pjesë e NATO-s, si edhe e strukturave evropiane.

Koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare, sipas Pajazitit, po bën që Kosova, dita-ditës, të jetë më afër arritjes së këtyre qëllimeve.

Zenun Pajaziti
“Kosova ka ambicie për t’u bërë pjesë e të gjitha institucioneve euroatlantike. Tashmë jemi të kyçur plotësisht në procesin e integrimeve evropiane, po kryejmë detyrat tona që parashihen aty. Kemi ambicie po ashtu që të jemi pjesë e NATO-s. Jemi në një fazë shumë të hershme të konsolidimit të institucioneve tona dhe me mbështetjen që e kemi nga partnerët ndërkombëtarë, jemi të sigurt që jemi në rrugë të mirë”,
tha Pajaziti.

Vizita e ambasadorit shqiptar në NATO ishte e para që një nivel i tillë i bën Kosovës. Njëherësh, kjo ishte edhe vizita e parë që kur Shqipëria fitoi vendin e saj në NATO. Ndihma e shtetit shqiptar për ngritjen e FSK-së, forcë kjo në formim e sipër, thuhet të ketë qenë një prej qëllimeve kryesore të vizitës.
XS
SM
MD
LG